Gëzim Saliu
Reformat dhe prioritetet nismat që pritet të ndërmerren nga qeveria
Shkarkimi i kreut të ILDKP-së pritet të jetë vetëm fillimi i një sërë ndryshimesh që do të ndodhin në disa institucione të vendit. Ndryshimet në Shërbimin Informativ Shtetëror, sistemin e drejtësisë, reformën elektorale, Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve si edhe mundësinë e ndërhyrjes në Kushtetutën e vendit janë disa nga hapat e pritshëm të mazhorancës së majtë në muajt në vijim. Edhe pse një ndër ccështjet që ka zënë vend parësor për qeverinë aktualisht është reforma administrative territoriale, për të cilën ende nuk janë krijuar hapësirat e bashkëpunimit me opozitën, në listën e e nismave dhe reformave që do të ndërmarrë mazhoranca në të ardhmen ka një numër të caktuar prioritesh.
Ndryshimet
Reformimi i thellë i Shërbimit Informati Shtetëror është paralajmëruar vetëm pak kohë më parë nga kryeministri Rama, i cili ka nënvizuar se lufta ndaj krimit kërkon edhe reformë ligjore. Në këtë kontekst, kreu i qeverisë ka pohuar se përveç ngritjes së Byrosë Kombëtare të Hetimit, do të ketë edhe një reforme ligjore e organizative edhe në shërbimet inteligjente. “Niveli i Shërbimeve Inteligjente, përfshi këtu edhe SHISH që funksionon mbi një ligj të 98 që nuk i përgjigjet kërkesave të kohës, duhet ngritur në një nivel tjetër dhe këtu lypset një reforme ligjore dhe organizative e cila ka filluar”, ka theksuar Rama. Ndërkohë që një tjetër ndryshim pritet edhe në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve, ku edhe pse situata aktuale duket e qetë, pas përplasjes së madhe mes palëve para elektoraleve të 23 qershorit për dorëheqjen e anëtarërve të së majtës, duket se riformatimi i këtij institucioni mbetet në qendër të synimeve të mazhorancës. Megjithëse është lënë të nënkuptohet më parë nga ministri për marrëdhëniet me Parlamentin se anëtarë aktualë të KQZ-së nuk do të ndryshojnë, përplasjet duket se do të ndodhin mes palëve për ndryshimet në nivelet e 2 dhe të 3 të administrates zgjedhore. Qeveria ka propozuar që një pjesë e komisionerëve të propozohen nga politika dhe pjesa tjetër të jenë komisionerë të perhershëm që varen nga KQZ. Ndërkohë demokratët kanë bërë të ditur qëndrimin e tyre kundër këtij ndryshimi, duke theksuar se sistemi duhet të jetë i njejtë, por sipas tyre janë vetëm të domosdoshme masat ndëshkuese për komisioneret që shkelin ligjin. Ndërkohë një tjetër reformë që pritet të ndërmerret është edhe ajo elektorale, e cila duket se do të zhvillohet në të njëjtën kohë me atë administrative. Opozita ka akuzuar më parë mazhorancën se përmes mungesës së konsensusit në reformën territoriale, mazhoranca kërkon të përfitojë politikisht për zgjedhjet vendore. Gjithashtu edhe ndryshimi i mundshëm i Kushtetutës së vendit mbetet një tjetër nismë në pritje e mazhorancës, ku pas deklaratave të vazhdueshme nga ana e LSI, e cila kërkon korrigjimin e ndryshimeve të prillit 2008, duket se është e vendosur edhe dakordësia e PS-së. Vetëm pak kohë më parë në 15-vjetorin e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, kryeministri Rama dhe kreu i kuvendit Meta ishin në dakordësi për një ndërhyrje në Kushtetutë, por sipas tyre,ajo duhet të vijë vetëm përmes ekspertëve dhe gjithëpërfshirjes. Nga ana tjetër kjo ndërhyrje e mundshme në ligjin themeltar të vendit para zgjedhjeve lokale sigurisht do të sillte një debat të ri mes palëve, duke marrë parasysh atmosferën aktuale të krijuar nga ligji i Nëpunësit Civil apo edhe vendimet e ndryshme të marra nga qeveria , të cilësuara si antikushtetuese nga ana e opozitës.
Ish-kryeministri
Berisha: Protestat janë rruga e vetme për të shpëtuar nga Rama
Ish-kryeministri i vendit Sali Berisha ka kërkuar dje vazhdimin e protestave të opozitës dhe qytetarëve në tërësi kundër qeverisë pasi sipas tij kjo është e vetmja formë përtë shpëtuar nga mungesa e rendit dhe sigurisë. “Vrasje çdo dite, djegje për së gjalli të stampës mafioze, tritol dhe maska në qendër të Tiranës, karvane droge nga toka, deti e ajri, të udhëhequra nga adashet e Ramës dhe Tahirit në Policinë e tyre, një seri aksidentesh me mikrobuz, por pas ndalimit të tyre edhe me autobus në rrugët e Tiranës, me pasojë dhjetëra të vdekur dhe dy herë më shumë të plagosur. Ky është bilanci i dhjetë ditëve të fundit më tragjik se i tërë vendeve të rajonit të marra së bashku. Ngjarjet tragjike në Ramistan janë më të shumta dhe më të rënda se në Afganistan”, shkruante në rrjetin social “facebook”. Më tej në koment, Berisha bënte të ditur veprimet që sipas tij kanë ndikuar në rritjen e nivelit të kriminalitetit në Shqipëri. “Rama dhe Tahiri shkrinë Policinë Rrugore për të hapur rrugët tona dhe shndërruar ato në korridore të trafiqeve të tyre të drogës. Shkrinë Policinë Kriminale që kishte dosjet e të gjitha lidhjeve të tyre me krimin dhe iu hapën rrugë të lirë bandave dhe krimit, me të cilat drekojnë e darkojnë dhe janë të lidhur kokë e xhep. Situata po degradon drejt kaosit. Në protesten e tyre gjigande, qytetarët kërkuan preraz rend dhe siguri! Protestat janë rruga e vetme për të shpëtuar nga Edi Drama, tritol qeveritarët dhe bandat e tyre!”, përfundoi deklaratën e tij në rrjetin social, ish-kryeministri Berisha.
HEC-i në Polis
Balla: Të rishikohet dokumentacioni dhe leja e dhënë
Deputeti i Partisë Socialiste Taulant Balla deklaroi dje se ka nisur një proçes negocimi me banorët e fshatit Polis në Librazhd për gjetjen e një zgjidhje, pas problemit te krijuar nga një leje konçesionare për ndërtimin e një HEC-i. Përmes një statusi në rrjetin social “Facebook”, Balla i kërkoi Ministrisë së Energjetikës dhe Industrisë të rishikojë dokumentacionin dhe lejen e dhënë për HEC-in në Polis. “Në rrethin e Librazhdit ka shumë leje konçesionare për ndërtime HEC-esh, të dhëna në kundërshtim me ligjin. Qeveria e kaluar ka dhënë leje korruptive, të pashoqëruara me dokumentacionin përkatës”, shkruantr deputeti Balla, ndersa ftoi policinë të ruajë dialogun me banorët që janë ngritur në protestë. Banorët e fshatit Polis të Librazhdit protestuan dje kundër ndërtimit të HEC-it në këtë zonë, ku u shprehen se në rast se ndërtohet HEC-i, i gjithë uji i përdorur për sistemin e vaditjes së tokave bujqësore të fshatarëve përreth do të dëmtohet rëndë.
Karta e Adriatikut
Delegacionet nga rajoni diskutojnë bashkëpunimin ndërparlamentar
Kuvendi i Shqipërisë organizon sot në Tiranë Konferencën Karta e Adriatikut me temë: “Forcimi i bashkëpunimit ndërparlamentar si garanci e suksesit të Kartës së Adriatikut – SHBA. Në konferencën ku do të marrin pjesë delegacionet nga Shqipëria, Bosnja, Kroaci, Serbi, Mal i Zi, Maqedoni, Kosovë dhe Shoqëri Civile, do të përshëndesin Kryetari i Kuvendit Ilir Meta, Kryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Spartak Braho, Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati, Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli dhe Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Aleksandër Arvizu.




