Pas 4 orësh mbledhje/ Miratohet unanimisht buxheti i Bashkisë së Tiranës

Këshilltarët e PS-s përplasen me këshilltarët e LSI-s

 450 milionë lekë për këtë vit për shpronësimet

 

keshilli BASHKIAK 2014 Buxheti i Bashkisë së Tiranës ka marrë votën unanime të Këshillit Bashkiak. Pas shumë diskutimeve dhe kundërshtimeve, këshilltarët e majtë kanë dhënë votën pro buxhetit, duke i hapur rrugë një sërë investimesh në kryeqytet. “Jemi bashkëpërgjegjës, po japim votën pro”, – u shpreh kreu i Këshillit, Aldrin Dalipi. Para votimit, këshilltarët e mazhorancës dhe opozitës kanë zhvilluar debate të ashpra me njëri-tjetrin. Këshilltarët e majtë e kanë quajtur buxhetin të pakonsoliduar, ndërkohë që nënkryetari i Bashkisë, Enno Bozdo, dhe këshilltarët e djathtë e kanë quajtur si buxhetin më të mirë që mund të ketë pasur ndonjëherë Tirana. Më herët, këshilltarja e Partisë Socialiste, Adriana Berberi, theksoi se Bashkia nuk ka qenë e saktë për sa u përket parashikimeve të buxhetit. “U cilësua fakti që ka pasur një paaftësi për të qeverisur nga Bashkia e Tiranës, sa i përket mbledhjes së të ardhurave. Unë do t’i referohem normalisht këtu realizimit të plan-faktit për vitet 2009-2013 për të parë se sa eficiente ka qenë Bashkia e Tiranës. Në vitin 2009, realizimi i plan-faktit ka qenë 56%, në 2010 ka qenë 57%, në vitin 2011 ka qenë 51.5%, në vitin 2012 ka qenë 63% dhe po në këtë nivel ngelet për vitin 2013”, – ishte përgjigjja e nënkryetarit të Bashkisë.

 

Shpronësimet

Diskutime të gjera kanë marrë edhe shpronësimet për ndërtimin e bulevardit. Kreu i Këshillit Bashkiak dhe këshilltarët e majtë janë shprehur se vlerësimi i tokës nuk është i duhuri dhe se Bashkia duhet të shlyejë borxhin ndaj individëve dhe bizneseve. Nënkryetari i Bashkisë, Enno Bozdo, është shprehur se për realizimin e projektit të Bashkisë së Tiranës për bulevardin e ri, janë parashikuar të jetën 450 milionë lekë për këtë vit. “Rreth 50 mln lekë nga ky buxhet do të përdoren për shlyerje borxhi ndaj vendimeve gjyqësore. Qeveria në mënyrë paralele le të bëjë rivlerësim apo rillogaritje. Projekti i bulevardit të ri nuk mund të hiqet nga buxheti”, – tha Bozdo. “Në kushtet kur jemi në një proces kur do sanksionohet prona dhe vlera e saj, të mos filloje shpronësimi. Kur të mbarojë ky proces, që i bie në muajin qershor, ne jemi gati të rialokojmë fondet për shpronësimet e bulevardit”, – tha Adriana Berberi. Ndërsa kreu i grupit të këshilltarëve të djathtë, Ferdinand Poni, theksoi se do të rishikohen fondet.

 Debatet

Këshilltarët e Partisë Socialiste janë përplasur  me Këshilltarët e Lëvizjes Socialsite për Integrim. Që në nisje të mbledhjes këshilltarët e LSI-s kanë propozuar ndryshimin e emrit të rrrugës “Sami Frashëri”. Shezai Rrokaj u shpreh se ka kaluar një vit dhe nuk ka asnjë rrugë me këtë emër, ndërsa Aldrin Dalipi kërkoi që të mblidhet administrata, të raportojë dhe më pas të votohet në Këshill. Pas votimit të buxhetit këshilltarët e majtë kanë votuar ndryshimin e emrit të një  pjese të rrugës “Sami Frashëri”, me emrin “Dëshmorët e 4 shkurtit”. Opozita në këshill u shpreh se këshilltarët e LSI-s, duhet të kërkojnë ndjesë për ndryshimin e emrit të rrugës “Dëshmorët e 4 shkurtit”.

 

Taksat

Ndryshimi i disa taksave vendore ka sjellë debate në fillim të mbledhjes në Këshillin Bashkiak. Nënkryetari i Bashkisë, Enno Bozdo, u shpreh se Bashkia është e detyruar për të rritur taksat, kjo për shkak të vendimit të Parlamentit. “Bashkia e Tiranës, pavarësisht se është kundër politikës së rritjes së taksave dhe këtë e ka dëshmuar gjatë kësaj kohe, është e detyruar ligjërisht të pasqyrojë vendimin e Parlamentit, që parashikon rritje të nivelit të taksës për ndërtesa me qëllime biznesi si dhe shtimi i një nënkategorie të taksës së ndërtesave për banesa të dyta”. Pavarësisht nga detyrimi i ardhur nga qeveria, Këshilli Bashkiak vendosi që të ulte nivelin e taksës për ndërtesa, të vendosur nga qeveria me 30%. “Ndryshimi tjetër që propozohet ka të bëjë me konceptin e shfuqizimit të taksës së biznesit të vogël, madje si koncept juridik, taksa e biznesit të vogël është eliminuar fare dhe fakti që nga 1 janari i këtij viti, Bashkia e Tiranës nuk ka më të drejtë të mbledhë taksa në territorin e saj. Kjo është bërë pa u konsultuar me Bashkinë e Tiranës dhe me forcën e kartonëve në Parlament është vendosur që Drejtoria e Përgjithshme e Tatim-Taksave të shërbejë si agjent tatimor, në një kohë që Kushtetuta e Shqipërisë i njeh plotësisht pushtetit vendor të drejtën ekskluzive të mbledhjes së taksave në territorin e saj”, – theksoi Bozdo. Më tej, nënkryetari i Bashkisë foli edhe për ndryshimet e taksës së pastrimit dhe tarifës që do të aplikohet në kopshte. “Me rënien e konceptit të taksës së biznesit të vogël, bie edhe koncepti i përllogaritjes së nivelit 10%, ndaj ne jemi të detyruar të paraqesim para jush një përllogaritje tarifash të reja për sa i përket tarifës së pastrimit. Pavarësisht se ne duhet të kishim një rritje të tarifës duke sjellë atë të vitit 2007, ne, nisur vetëm nga parimi që biznesi nuk duhet në asnjë mënyrë të ngarkohet me taksa apo tarifa të reja, kemi gjetur mesataret, sipas fashave të biznesit, në nivelin nga 0 deri në 2 milionë, nga 2 deri në 8 milionë, sipas kategorive të caktuara dhe efekti i kësaj tabele, i tarifave të propozuara është 0, çka do të thotë se asnjë biznes nuk paguan më shumë, biznesi nuk paguan më shumë sa i përket pastrimit”, – u shpreh Enno Bozdo. Paketa fiskale përmban ndryshime edhe për sa u përket tarifave në kopshte. Me miratimin në Këshill, prindërit do të paguajnë 145 dhe 180 lekë për fëmijët në çerdhe. Bashkia e Tiranës e subvencionon këtë shërbim, shërbimin e çerdheve dhe të kopshteve, në nivelin 3 me 1, pra 1 lek e ardhur sigurohet nga të ardhurat e veta dhe 3 lekë i vë Bashkia e Tiranës për të siguruar mirëfunksionimin e çerdheve dhe kopshteve.

Share it :