Raportuesi për Shqipërinë: Shkarkimi i ekspertëve është humbje e njerëzve, humbje parash
Në debatin e hapur mes palëve politike në vend për adminstratën publike, Parlamenti Evropian bën thirrje ndaj qeverisë që të tregojë kujdes me eskpertët. Raportuesi për Shqipërinë në PE Nikola Vuljaniç kritikoi shkarkimin e ekspertëve nga administrata publike ku tha se ndryshimet në nuk duhet të bëhen në kurriz të ekspertizës. “E kuptoj qëndrimin e Kryeministrit që po mundohet që të sjellë ndryshime në administratën publike, duke venë persona te të cilët ai ka besim, por kjo s’duhet të ndodhë në kurriz të ekspertëve. Seleksionimi i punonjësve të administratës duhet të bëhet vërtet me shumë kujdes. Kam marrë letra nga qytetarë që janë shkarkuar nga administrata publike dhe kam folur me ambasadoren e Shqipërisë këtu. Ajo më premtoi që do t’ia transmetojë këtë shqetësim qeverisë. Shkarkimi i ekspertëve nuk është aspak një gjë e mirë, është humbje e njerëzve, është humbje parash. Shqipëria s’është vend i madh. Ju jemi pak më shumë se 2 milion e gjysëm. Ju s’mund ti lejoni vetes që të hiqni persona që janë specializuar dhe kanë marrë trajnimin e duhur për çështjet përkatëse. Pse mos të shfrytëzohen njohjet dhe përvoja e tyre? Ky është vetë kuptimi i profesionistëve. Pak rëndësi ka kush është në fuqi, profesionistët janë profesionistë”, tha eurodeputeti në intervistën për abcneës.
Reagimi
Eurodeputeti ka folur dje edhe për krijimin e shoqatës për mbrojtjen e të drejtave të punonjësve që janë shkarkuar nga administrate publike, ku i pyetur se cila ishte komenti i tij për 4 mijë personat që sipas shoqatës janë shkarkuar padrejtësisht në rang vendi, tha se,: “Nuk jam i informuar për katë 4 mijë persona. Por le ta zemë, që 3 mija persona kanë qenë të punësuar nga partia e mëparëshme. Po 1000 personat e tjerë? Çfarë bëhet me ta? Kjo është ta fillosh dhe një herë nga e para. Dhe nuk mund të ngjisësh shkallën tjetër të proçesit të integrimit, sepse s’premton koha. S’është lëvizja e duhur”. Ndryshimet në administrën publike kanë hapur prej kohësh një debat të gjerë mes palëve, i cili u nis fiollimisht me aktin normativ të qeverisë që kërkonte shtyrjen me 6 muaj të hyrjes në fuqi të ligjit për “Nëpunësin Civil”. Pasi opozita e dërgoi çështjen në Kushtetuese, kjo e fundit vendosi rrëzimin e aktit normativ pasi sipas gjykatës,: “akti ishte i papajtueshëm me Kushtetutën pasi Këshilli i Ministrave e ka përdorur atë në shkelje të parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve, pasi ligjet me shumicë të cilësuar nuk mund të ndryshohen me dekret-ligje”. Por qeveria nuk u tërhoq nga synimi i saj për shtyrjen e ligjit të nëpunësit, ku përmes një projektligji ka vendosur ndryshimin e tij. Qeveria ka propozuar disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, që prekin nëpunësit e larguar nga puna për shkak të rikonstruktimit apo mbylljes së institucionit. Ky projekt ligj është kundërshtuar fort nga opozita e cila ka theksuar se përmes saj qeveria synon që në administratë të mos ketë nëpunës që gëzojnë statusin civil.
Qeveria
Marrëveshja për mbrojtjen e Shfrytëzimit të Ujrave dhe Liqeneve Ndërkombëtarë
Në mbledhjen e djeshme të qeverisë, Këshilli i Ministrave vendosi propozimin e projektligjit “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në ndryshimet e neneve 25 dhe 26 të konventës “Për mbrojtjen dhe përdorimin e ujërave ndërkufitare dhe liqeneve ndërkombëtare”. “Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave V e n d o s i: Propozimin e projektligjit “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në ndryshimet e neneve 25 dhe 26 të konventës “Për mbrojtjen dhe përdorimin e ujërave ndërkufitare dhe liqeneve ndërkombëtare””, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit bashkëlidhur këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë”, thuhej në projektligjin e miratuar nga këshilli i ministrave. Ky vendim ndikon edhe në debatin e hapur në vend për devijimin e lumit Radika, pasi një marrëveshje e 18 prillit të vitit 2011 e shteteve të rajonit, parasheh që palët t’i referohen Konventës së Kombeve të Bashkuara të 1992-it, për mbrojtjen dhe përdorimin e ujërave ndërkufitare dhe liqeneve ndërkombëtare. Këtë projektligj e përmendi dje edhe minsitri i Jashtëm Bushati në takimin me Sekretarin e Përgjithshëm të Komisionit Ekonomik për Evropën pranë OKB-së (UNECE)Sven Alkalaj ku ai informoi bashkëbiseduesin se vendi është duke kryer hapat e fundit të procedurës së brendshme për ratifikimin e këtyre amendamenteve. Hyrja në fuqi e këtyre dy amendamenteve do të mundësojë hapjen e kësaj Konvente për të gjitha vendet anëtare të OKB-së.
Vendimi i qeverisë
Ndryshojnë pagat e punonjësve të policisë, kush përfiton
Qeveria miraton ndryshimet në nivelin e pagave e punonjësve të policisë së shtetit. Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave u vendos për ndryshimet e pagave të cilat përfshijnë punonjësit e Policisë së Shtetit në strukturat për krimin e organizuar dhe krimet e rënda dhe Policinë Shkencore, punonjësit në strukturat për sigurinë publike dhe rendin publik, si dhe punonjësit në strukturat për kufirin dhe migracionin. Një ndryshim pësojnë dhe punonjësit që pranohen në shkollën e policisë, duke marrë si bazë arsimimin. Kështu sipas vendimit, studentët e Shkollës së Policisë do të trajtohen me rrogë 8 mijë lekë për ata që kanë mbaruar më parë arsimin e mesëm dhe 9 mijë lekë të reja ata që kanë përfunduar një fakultet. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, do të përballohen nga fondi për politikat e reja të pagave për Policinë e Shtetit, të parashikuara në buxhetin e vitit 2014. Vendimi hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 janar 2014.
Në Kuvend
Konstituohet komsioni hetimor për lëvizjet në polici
Konstituohet Komisioni Hetimor, i ngritur nga Kuvendi, për kontrollin e zbatimit të legjislacionit gjatë procesit të lëvizjeve në Policinë e Shtetit në periudhën kohore, shtator 2013-janar 2014. Mbledhja e djeshme parashikonte miratimin e rregullores së brendshme dhe planit të hetimit për të cilin mazhoranca kërkoi kohë, për t’u njohur me draftin. Nënkryetari Taulant Balla shprehu gatishmërinë e së majtës, për të kontribuar në një hetim të plotë dhe të drejtë, teksa e cilësoi të vonuar mbledhjen. Në mbledhjen e parë të këtij komsioni ishin të pranishëm të 15 anëtarët, 8 nga mazhoranca dhe 7 nga opozita, të cilët zgjodhen me konsensus sekretaren, Ermonela Felaj. Më 6 shkurt, pas një seance maratone, Parlamenti miratoi me konsensus ngritjen e komisionit hetimor të kërkuar nga opozita për të verifikuar emërimet dhe shkarkimet e fundit në Policinë e Shtetit, të cilat sipas PD kanë qenë të paligjshme dhe kanë prodhuar një situatë alarmante të rendit dhe sigurisë në vend, për shkak të zëvëndësimit të profesionistëve me militantë partiak.




