Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare: 6 mars afati i fundit
Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) i kërkoi të gjithë operatorëve të kompanive celulare që të njoftojnë përdoruesit të regjistrojnë numrat. AKEP bën të ditur se të gjithë numrat celularë duhet të regjistrohen deri në datën 6 mars në të kundërt numrat e paregjistruar do të bllokohen.
“AKEP në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme ka kërkuar nga të gjithë operatorët celularë që në kuadrin e masave për shmangien dhe eleminimin e problematikës së krijuar kohët e fundit në rendin publik nga përdorimi i aparateve celulare në shpërthimet e telekomanduara, të bëjnë brenda datës 6 mars 2014 regjistrimin individual të çdo numri telefoni celular privat dhe të institucioneve publike kur numri i tyre është mbi 20.
Për këtë qëllim i është kërkuar të katër operatorëve celularë AMC, Vodafone Albania Albtelecom, Eagle Mobile dhe PLUS Communications që duke filluar nga sot, datë 22 shkurt 2014, të njoftojnë nëpërmjet një mesazhi SMS të unifikuar të gjithë ata pajtimtarë që rezultojnë nën një emër kur grupi i tyre kalon shifrën 20, paraqitjen pranë pikave të autorizuara për riregjistrimin e tyre individual.
Në rast të mosparaqitjes së pajtimtarit për riregjistrim, ai numër telefoni do të bllokohet deri në regjistrimin e tij”,- bëhet me dije në njoftimin për media të AKEP.
Pak ditë më parë Ministria e Brendshme i ka kërkuar kreut të Këshillit Drejtues të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), me cilësinë e autoritetit më të lartë përgjegjës në fushën e Telekomunikacionit Elektronik dhe Postar të mbyllen menjëherë numrat që nuk kanë një pronar të individualizuar.
Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri me anë të një letre i ka kërkuar kreut të këtij këshilli, Pirro Xhixho, që të mbyllë menjëherë edhe numrat e tepërt të regjistruar në emrin e të njëjtit person. Sipas ministrit, ky fenomen i trashëguar prej kohësh është kthyer në një problem që cenon drejtpërdrejt sigurinë kombëtare, rendin publik e mbi të gjitha jetën e qytetarëve.
AP: Ligj për hapjen e dosjeve
“Kërkesa vjen nga ish-të persekutuar politikë”
Institucioni i Avokatit të Popullit ka kërkuar një proces transparent për hapjen e dosjeve. “Në kuadër të mbrojtjes dhe respektimit të të drejtave të njeriut, nisur nga ankesa të paraqitura nga individë ish-të persekutuar politikë, por edhe në një kuadër më të gjerë angazhimi institucional për krijimin e standardeve të mirëqeverisjes ka vlerësuar dhe vlerëson se, shoqëria jonë meriton të këtë një proces transparent të hapjes së dosjeve.
Ky proces gjykojmë se është një nga çështjet e vonuara dhe ende të pazgjidhura të shoqërisë sonë, duke kërkuar ndarjen nga e kaluara totalitare dhe antivlerat e saj, si dhe nxjerrjen e drejtësisë historike nëpërmjet transparencës në jetën publike.
Përpjekjet e bëra deri tani në këtë drejtim kanë rezultuar të pasuksesshme në kuadër të respektimit të normave, parimeve dhe vlerave demokratike të shtetit të së drejtës“,- u shpreh në një deklaratë për mediat zëdhënësja e AP, Elona Demollari.
Sipas Institucionit të Avokatit të Popullit situata e krijuar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ka krijuar një ngërç institucional dhe ligjor. “Ky ngërç afekton të gjithë jetën politike, sociale dhe psikologjike të shoqërisë shqiptare, për shkak të mungesës së një filtri ligjor, që përputhet me një qëndrim parimor në këtë çështje, për të ditur se cilët janë në raport me të shkuarën, individët politikëbërës, drejtues dhe vendimmarrës, apo përfaqësues”,- u shpreh Demollari.
AP thekson se në këto kushte është mëse e nevojshme ndërmarrja e inisiativës legjislative nga subjektet që e gëzojnë këtë të drejtë, me qëllim hartimin dhe miratimin e një ligji për hapjen e dosjeve.
Parlamenti i Ukrainës shkarkon presidentin: Zgjedhje të reja më 25 maj
Parlamenti i Ukrainës voti dje për të shkarkuar presidentin Janukovic dhe për të zhvilluar zgjedhje të parakohshme presidenciale më 25 Maj. Vendimi është miratuar me shumicë votash prej 328 vota, ndërsa nuk bëhet e qartë se sa deputetë votuan kundër apo abstenuan.
Deputetët e kanë shpallur Janukovicin të paaftë për të udhëhequr vendin. Menjëherë pas këtij vendimi, deputetët duartrokitën dhe kënduan himnin kombëtar. Ndërkohë Janukovic ka deklaruar se bëhet fjalë për një grusht shteti dhe se ai nuk do të largohet nga detyra.
Presidenti i Ukrainës Viktor Yanukovych raportohet se është larguar nga kryeqyteti Kiev të premten mbrëma, dhe se ka shkuar në Kharkiv, njoftojnë mediat ndërkombëtare. Pak orë më parë, parlamenti Ukrainas votoi për të liruar menjëherë ish-kryeministren Julia Timoshenko e cila ndodhet në burg nën akuzat për korrupsion që nga viti 2011.
Ndërkohë, mijëra protestues kanë kaluar natën në Sheshin e Pavarësisë në Kiev, përkundër marrëveshjes së arritur për t’i dhënë fund krizës politike në Ukrainë, nga e cila vdiqën dhjetëra persona.




