Sonja Caka
Pretendimi i babait: Cesku u përfshi në konflikt pasi u dhunua më parë, qëlloi në ajër për të trembur agresorët. Avokati: Vrasja ka qenë aksidentale
Jo vetëm që nuk shfaqin asnjë pendesë për krimin e kryer në familjen e vëllait, por pretendojnë se përfshirja në krim ka ardhur pasi Cesk Muri u dhuanua më parë nga viktima dhe i ati, dhe pastaj qëlloi në ajër për t’i trembur agresorët. Për këtë arsye, sipas Nik Murit, i biri duhej të lirohej dhe arrestimi i tij të shpallej i paligjshëm. Më pas e ka marrë fjalën avokati mbrojtës i tyre, i cili ka ngritur pretendimin se vrasja ka qenë aksidentale. “Çesk Muri, pasi ka parë përleshjen, ka qëlluar nga shtëpia vetëm pak metra më tutje me kallashnikov për të ndaluar grindjen dhe kur ka parë që kjo nuk po ndodhte, është afruar menjëherë dhe arma ka shkrepur gabimisht duke vrarë Gjin Murin dhe plagosur Aleks Murin” u shpreh para gjykatës avokati Bajraktari. Por, këto pretendime janë hedhur poshtë nga prokurori i çështjes dhe gjyqtarja e gatshme, e cila vlerësoi si të ligjshëm arrestimin e babë e bir për krimin brenda familjes, duke caktuar masën “arrest me burg” për Nik e Cesk Murin. Krimi i rëndë ndodhi mbrëmjen e 10 korrikut në fshatin Vukatanë në Shkodër. Si pasojë e një konflikti pronësie mes dy familjeve, kushërinj me njëri-tjetrin, mbeti i vdekur Gjin Muri dhe u plagos njëri prej dy vëllezërve të tij. Gjatë seancës së masës së sigurisë, viheshin re shenjat e dhunës në trupin e 23-vjeçarit Çesk Muri. Ndaj Nik Murit rëndon akuza për “Vrasje brenda familjes”, ndërsa ndaj djalit të tij Çesk Muri “Vrasje brenda familjes dhe armëmbajtje pa leje”. Kjo çështje pritet të kalojë për kompetencë te Prokuroria e Krimeve të Rënda, ndërsame ndryshimet në Kodin Penal vepra penale parashikon dënim nga 20 vjet deri në burgim përjetë.
Ngjarja
Sipas policisë, shtetasi Nik Muri, 54 vjeç, ka shkuar te banesa që po ndërtonte aty pranë nipi i tij, Gjin Muri, dhe ka nisur të debatojë. Më pas në debat janë përfshirë edhe meshkujt e tjerë të dy familjeve. Grindja mes tyre ka nisur fillimisht për motive banale, ku Nika i ka kërkuar llogari nipit se bagëtitë i kishin ngrënë hardhitë. Kaq është dashur që mes palëve të fillojë edhe debati për pronësinë e rrugës në vendin ku familja e Mark Murit kishte nisur të bënte një ndërtim. Pas pak minutash gjithçka ka dalë jashtë kontrollit kur shtetasi Çesk Muri, 23 vjeç, në bashkëpunim me babain e tij, Nik Murit, ka marrë armën e zjarrit në banesën e tyre aty pranë dhe ka nisur të qëlloj në drejtim të djemve të xhaxhait. Për pasojë ka mbetur i vdekur në vend Gjin Muri, 23 vjeç, dhe janë plagosur shtetasit Aleksandër Muri, Gjin Muri, vëllezërit e viktimës si të plagosur lehtë. Ndërkohë që nga goditja me sende të forta kanë mbetur dhe dy autorët e ngjarjes babë e bir Nik dhe Çesk Muri. Mësohet se të katër plagosurit e dy familjeve të përfshira në konflikt Mark dhe Nik Muri janë jashtë rrezikut për jetën.
Tiranë/ Korçë
Humb jetën motoristi, një grua me fëmijë përplaset nga zetori
Dy aksidente kanë ndodhur dje në Tiranë e Korçë, ku i pari fatmirësisht nuk ka pasur viktima, ndërsa në të dytin ka humbur jetën një 32-vjeçar. Një aksident i rëndë ka ndodhur dje në “Rrugën e Dibres” në Tiranë, ku një zetor ka goditur një nënë me fëmijën e saj që po kalonin rrugën. SIpas policisë drejtuesi i mjetit zetor Julian Topi është ndaluar ndërsa shtetasja B.Bushati dhe fëmija i saj janë dërguar në Spitalin Ushtarak dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Mësohet se 25 vjeçarja Bushati së bashku me fëmijën e saj, po kalonte rrugën kur zetori me targa AA 123 BO ka hyrë në parakalim dhe ka goditur kalimtarët. Drejtuesi i zetorit nuk ka arritur të kontrollojë mjetin, duke u përplasur më pas me koshat e mbeturinave. Aksidenti i dytë ka ndodhur në Korçë. Një i ri 30-vjeçar, Kristi Bica, ishte duke udhëtuar me motor në unazën e qytetit, në çastin kur është goditur për vdekje nga një automjet tip “Fiat”, me targa AA2230CD. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 13.00 të mesditës së djeshme, ku si pasojë e përplasjes, 30-vjeçari ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Ndërkaq, në vendin e ngjarjes kanë mbërritur menjëherë forcat e policisë së qytetit, dhe kanë shoquruar në komisariat drejtuesin e automjetit, Leonard Memelli, 20 vjeç, nga Maliqi. Uniformat blu, po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Berat
Maskat grabisin biznesmenin, i marrin 20 milionë lekë
Katër persona të armatosur kanë hyrë në banesën e biznesmenit 40 vjeçar Edmond Piti duke grabitur me dhunë një shumë prej 20 milion lekësh të reja. Ngjarja ka ndodhur në Urën –Vajgurore ne Berat. Policia lokale ka shoqëruar rreth 20 persona të dyshuar për grabitjen. Sipas burimeve policore, Edmond Piti ishte pronar i një karburanti dhe me paratë kishte planifikuar të blinte një karburant tjetër. Po punohet për identifikimin edhe kapjen e 4 autorëve të grabitjes. Pasi u njoftua për këtë grabitje, grupi hetimor shkoi menjëherë në vendngjarje dhe nisi veprimet e para proceduariale. Policia ka shoqëruar disa persona dhe vazhdon hetimin për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Personi që u grabit ishte pronar i një karburanti dhe paratë i mbante në banesë për arsye biznesi.
Rrëshen
Kthehej nha Kosova, grabitet familja nga Ulqini
Maskat rishfaqen rrugëve të vendit. Një familje nga Ulqini, e cila kishte shkuar për të kaluar fundjavën në Kosovë është grabitur në Rrugën e Kombit nga dy persona me maska dhe të armatosur me pistoleta. Kryefamiljari që ndodhej me gruan dhe dy fëmijë në makinë tregon se i janë marrë të gjitha paratë nën kërcënimin e armës dhe është detyruar të kthehet mbrapsht për në Ulqin. “Ata e kishin bllokuar rrugën me gurë. U ndalëm të shihnim ç’dëm pësoi makina për shkak se hipëm mbi gurë. Ata persona qëlluan me armë dhe ne tentuam të largoheshim, por na bllokuan. Erdhën dhe na grabitën, na morën komplet çfarë kemi patur me vete, vetëm na kanë lënë rrobat. Policia nuk ka ardhur në vendin e ngjarjes”, shprehet për mediat kryefamiljari Enver Astradini.
Kavajë
Furgoni i pasagjerëve përplaset me autoveturën, 1 i vdekur, 5 të plagosur
Historia përsëritet. Sërish një furgon me pasagjerë përplaset, duke shkaktuar 1 viktimë dhe 5 të plagosur. Ngjarja është shënuar pasditen e djehsme në Kavajë, kur një frugon pasagjerësh që shkon drejt Rrogozhinës ëhstë përplasur me një autoveturë. Për pasojë, ka vdekur një grua, Dove Xhaferaj, 58 vjeçe nga Vlora dhe janë plagosur pesë të tjerë, ndërmjet tyre edhe bashkëshorti i saj, Lavdosh Xhaferaj. I plagpsuri i dytë quhet Skënder Rapi, 26 vjeç dhe tri të tjerët ende nuk janë bërë të ditur. Policia ndodhet në vendngjarje për të zbuluar shkaqet e aksidentit, por ato ende nuk janë zbardhur. Autoambulanca ka marrë viktimën e aksidendit dhe më pas të plagosurit, për t’i transportuar drejt urgjencës. Gruaja mësohet të jetë dërguar në morgun e Durrësit ndërsa të plagosurit në spitalin e këtij qyteti.




