Gëzim Saliu
Kryeministri: Nga 10% tatimfitim do të paguani vetëm 7.5%, taksa e biznesit bëhet 0
Kush fiton më pak paguan më pak, kush fiton më shumë do të paguajë më shumë”
Në kohën kur kritikat dhe kundërshtitë për paketën fiskale janë rritur ndjeshëm nga përfaqësuesit e sipërmarrjes, Kryeministri i vendit zbriti dje në terren për të sqaruar, sipas tij, efektet pozitive të paketës. Ashtu si edhe në fushatën elektorale, kreu i qeverisë zhvilloi takime me përfaqësues të biznesit të vogël në zonën e “Don Boskos”, ku me letër në dorë bëri llogaritë me shifra se sa do të jetë përfitimi i tyre nga heqja e taksës së biznesit të vogël dhe nga ulja e tatimfitimit me hyrjen në fuqi të paketës fiskale në janar të vitit 2014. “Taksën e biznesit të vogël ju e paguanit 595 mijë lekë. E gjitha aforfe të pushteti vendor. Përveç pushtetit vendor që ua merrte aforfe, arbitrare komplet ju paguanit edhe tatim fitimin 10%. Tani, taksa e biznesit të vogël nga 595 mijë lekë bëhet zero. Ju do paguani vetëm një herë dhe do paguani tatim fitimin jo 10%, sa ç’ishte, por 7.5%. Dhe praktikisht, në fund fare ju kurseni 345 mijë lekë”, – shpjegoi Rama në takimin e zhvilluar me drejtuesen e një biznesi të vogël në këtë zonë, e cila deklaroi si xhiro vjetore 1 milion e 458 mijë lekë.
Takimet
Në takimet e zhvilluara me bizneset e vogla, Rama u mëshoi fort në fjalën e tij politikave që do të ndiqen nga 1 janari për uljen e tatimfitimit dhe heqjes së taksës për këtë pjesë të sipërmarrjes. Në diskutimin e tij, Kryeministri bëri një vlerësim të efektit të përgjithshëm që këto masa të reja fiskale do të kenë mbi buxhetin e tij. “Xhiron e deklaruar ju e keni 1 milion e 320 mijë. Taksa e biznesit të vogël që ju e paguanit aforfe, nga 450 mijë lekë bëhet zero. Nuk keni më taksë të biznesit të vogël. Nuk ka më aforfera në kurrizin tuaj. Tatimfitimi që ju rezultonte në fund, nga gjithë kjo llogari, në 275 mijë lekë, bëhet 250 mijë dhe në finale që nga viti i ardhshëm nuk do paguani gjithë këto, por do të paguani vetëm 250 mijë lekë. E në fund, vetëm nga ulja e përgjithshme, ju do fitoni 200 mijë lekë”, – theksoi Rama. Në këtë kontekst, kreu i qeverisë pohoi se me këtë formulë vihet në vend një padrejtësi, duke përsëritur parimin se “kush fiton më shumë do paguajë më shumë dhe kush fiton më pak do të paguajë më pak”. Në takimin me një tjetër drejtues të biznesit të vogël të zonës, pasi bëri përllogaritjet e paketës së re fiskale, Rama i la në duar fletën, duke premtuar: “Mbajeni këtu me shkrimin tim dhe nesër, në qoftë se nuk ndodh kështu, thoni që nuk na ndodhi kështu. Ja ku e keni me shkrimin tim!” Sipas kreut të mazhorancës qeverisëse, me paketën e re do të ndryshojë i gjithë sistemi, ku nënvizoi Rama, ulja e tatim fitimit nga 10% në 7.5% do të jetë një ndër përfitimet e mëdha të biznesit të vogël. Paketa e re fiskale e qeverisë, e cila pritet të hyjë në fuqi që nga 1 janari i vitit të ardhshëm, është kritikuar hapur nga një pjesë e madhe e sipërmarrjes në vend, si ajo vendase ashtu edhe e huaj.
Kundërshtitë për paketën
Rritja e borxhit, rritja e tatimfitimit për biznesin e madh, rritja e taksës së qarkullimit, dyfishimi i taksës së shtëpive të dyta dhe në tërësi projektbuxheti i ri janë cilësuar nga opozita si një alarm për ekonominë e vendit. Po ashtu, edhe sipërmarrja, si ajo e huaj ashtu edhe vendase, ka kundërshtuar paketën e re fiskale, duke theksuar se politikat që ndërmerren nuk ndikojnë pozitivisht në gjallërimin e biznesit dhe të ekonomisë në tërësi. Nga ana e saj, mazhoranca qeverisëse ka mbrojtur paketën dhe buxhetin si të vetmen formë për të nxjerrë, sipas saj, nga situata e vështirë ekonomike në të cilën ndodhet. Por pavarësisht këtij qëndrimi nuk kanë munguar zërat kundër brenda mazhorancës, ku deputetët Pandeli Majko dhe Bashkim Fino kanë shprehur kritikat lidhur me disa nene të buxhetit. Kështu Fino paralajmëroi dy ditë më parë votën kundër nenit 15 të buxhetit të qeverisë, i cili i jep të drejtë Ministrisë së Financave t’u bllokojë bashkive ose komunave fondin e tremujorit të fundit, nëse ato nuk shlyejnë detyrimet ndaj kompanisë së shpërndarjes së energjisë elektrike. Ndërsa deputeti i PS-së, Majko, ka kundërshtuar dyfishimin e taksës për shtëpitë e dyta, ku ka pohuar se pasuria e banesës varet nga metrat katrorë që qytetari ka në pronësi dhe jo nga numri i banesave që ndërton.
Paketa e re fiskale, çfarë përfiton biznesi i vogël sipas Kryeministrit
Zerimi i taksës së biznesit të vogël
Ulje e tatimfitimit nga 10% në 7.5%
Shembull – Një biznes me xhiro 1 milion e 320 mijë në vit përfiton heqjen e taksës së biznesit të vogël 450 mijë lekë, e cila bëhet zero. Po ashtu tatimfitimi nga 275 mijë lekë do të bëhet 250 mijë.
Në Kuvend
Ministri Panariti kundër buxhetit për bujqësinë: Nuk na del. Deputetët pro ndryshimit
Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, kërkoi dje mbështetjen e deputetëve të të dyja palëve për të rritur shumën që do të përdoret për ujitje dhe kullimin që përbën shkakun kryesor të përmbytjeve në stinën e dimrit. Duke bërë të ditur se fondi i përcaktuar nga Ministria e Financave për këtë Ministri nuk është i mjaftueshëm, Panariti theksoi në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese: “Kërkesës sonë për një mbështetje në masën 1 miliard lekë Ministria e Financave iu përgjigj me një fond që shkonte në 200 milionë lekë. Më pas kjo u zbrit në gjysmën e kësaj shumë dhe sot ndodhemi në fondin prej 100 milionë lekëve. Të paktën ta linim në atë masë financimi prej 200 milionësh”. Ndërkohë, deputetët e Komisionit të Veprimtarive Prodhuese ranë dakord të korrigjojnë shifrat në buxhetin e vitit 2014 sa i takon sistemit të ujitjes dhe kullimit. Gjatë diskutimit të buxhetit për bujqësinë që në total kap shifrën e 7.8 mld lekëve ose 0.5% e GDP-së, u debatua mbi subvencionin e naftës në bujqësi. Sipas opozitës, ky është një nga problemet më të mëdha me të cilat do të përballen fermerët, çka do të reflektohet në rënie të sektorit. “Sot, buxheti nuk ka parashikuar subvencion për naftën. Madje, kemi një rritje të çmimit të naftës. Ne duhet të kërkojmë që të jetë i parashikuar në një masë të konsiderueshme mbulimi i akcizës së naftës përndryshe sivjet ne kemi rrezik të kemi rënie në rritjen e prodhimit bujqësor dhe kjo është shumë kritike për vitin që parashikojmë”, – tha deputeti demokrat Genc Ruli. Ndërkohë, ministri Panariti theksoi se nafta D2 është ajo që u përshtatet nevojave të bujqësisë. “Nuk është vetëm lehtësimi i shpërndarjes së një nafte me çmim të ulët, por edhe menaxhimi me eficencë i skemës së shpërndarjes që të mos kemi abuzivizëm. Kemi mendimin që të përfshijmë postat shqiptare që të shpërndajnë ato tallonat me këto lloj nafte”.




