Sonila Mesareja
Gjykata e Tiranës lëshon urdhrin e mbrojtjes dhe kërkon që djali dhunues të mos u afrohet prindërve dhe shtëpisë së tyre
Të ndërgjegjësuar, por edhe të frikësuar për jetën e tyre, të shumtë janë prindërit që po i drejtohen Gjykatës për mbrojtje, për shkak të dhunës së fëmijëve, të cilët janë të alkoolizuar apo të droguar. Ata kërkojnë urdhër mbrojtjeje dhe largim të fëmijëve nga banesa, pasi ndihen të rrezikuar, për shkak të sjelljeve të dhunshme të fëmijëve të tyre. Një rast i ngjashëm është trajtuar nga Gjykata e Tiranës pak ditë më parë, duke vendosur të pranojë kërkesën e prindërve denoncues. “Djali është jo vetëm i alkoolizuar, por edhe i droguar, ndaj kemi frikë prej tij. Na rreh, fyen, kërcënon për jetën dhe kjo n aka shtyrë t’i drejtohemi gjykatës, kemi frikë…”, – është thirrja e Fatime V. dhe të shoqit Petrit V., të cilët kanë përfituar urdhrin e mbrojtjes, pasi kanë paraqitur provat e tyre. Frika se mos u ndodh ndonjë gjë më e rëndë ka detyruar dy prindërit të kërkojnë largimin e djalit nga banesa dhe ndihmën e policisë për t’i mbrojtur prej tij.
Thirrja
Paditësja ka shpjeguar para togave të zeza se i padituri Kristiano V. është djali i saj, ushtron dhunë psikologjike ndaj saj, duke e sharë dhe e kërcënuar. Sipas Fatime V., ky fakt provohet nga dhuna e vazhdueshme që ushtron i padituri dhe të pasqyruara në kërkesë-padi siç janë: incidenti i datës 18.5.2014 në banesë me veprim, duke ushtruar dhunë psikologjike ndaj nënës së tij duke e sharë, dhe fyer. I padituri Kristiano V., pasi ka ardhur në shtëpi, ka filluar të grindet me nënën e tij, duke e ka sharë dhe fyer me fjalët më të rënda duke e kërcënuar për jetën, sepse ai është i alkoolizuar dhe i droguar. Sipas saj, nuk ka pasur njeri të pranishëm në ato momente. Nga shpjegimet e paditëses del se ajo ndihet e kërcënuar dhe e frikësuar për jetën nga veprimet e të paditurit. Sipas saj, i padituri është i paparashikueshëm për veprimet e tij, sepse ai pi alkool dhe cigare hashash dhe nuk është në gjendje të kontrollojë veten. Për këtë arsye kërkon lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes dhe largimin e të birit nga shtëpia.
Precedenti
Përdorimi i drogës dhe zënka e vazhdueshme me prindërit solli një fatkeqësi në familjen Thaçi në Tiranë. Djali, një i dënuar për shitje droge, por edhe përdorues i lëndëve narkotike, dhunoi deri në vdekje babain e tij Fatos Thaçi. Ata debatuan ashpër për borxhet e drogës së të birit dhe ky i fundit e qëlloi me grusht në kokë, duke i shkaktuar vdekjen, pasi qëndroi tri ditë në gjendje kome. Për vrasjen e të atit, Ardian Thaçi rrezikon 6 vite burg, ndërkohë që përdorimi i drogës e ka bërë që të shprehë emocione nga më të ndryshmet në Gjykatë.
Vrasja e Dritan Lamajt/ Seancën e radhës dëshmon bashkëpunëtori i drejtësisë
Bashkëpunëtori i drejtësisë, personi që identifikoi biznesmenin Arben Frroku si një nga autorët e vrasjes së kryekomisarit Dritan Lamaj, pritet të jetë dëshmitari më i rëndësishëm seancën e radhës në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Prokuroria për Krime të Rënda siguroi pas ngjarjes rrëfimin e dëshmitarit A. Ndoka, i cili drejtoi gishtin duke identifikuar Arben Frrokun si autor i ekzekutimit me kallashnikov të kryekomisarit Lamaj. Sipas burimeve, dëshmitari, i lindur në Lezhë dhe banues në Tiranë, sipas dosjes, ka qenë në vendin e ngjarjes në momentin e vrasjes së ish-shefit të komisariatit në Kombinat. Ai ka pranuar të flasë për ngjarjen e 24 shkurtit, duke përshkruar personat që ndodheshin në makinën “BMW”, nga e cila dolën plumbat vdekjeprurës për kryekomisarin Lamaj. Sipas rrëfimit, nga dritarja e makinës “BMW”, Arben Frroku i pamaskuar ka qëlluar me breshëri kallashnikovi në drejtim të makinës, ku ndodhej viktima që po tentonte të largohej, por pa arritur t’i shpëtojë vdekjes. Sipas Prokurorisë, dëshmitari A. Ndoka tashmë ka fituar statusin e “Bashkëpunëtorit të drejtësisë” dhe mbrohet së bashku me familjen nga Zyra për Mbrojtjen e Dëshmitarëve. Dëshmia e tij, sipas akuzës, është siguruar jo vetëm me shkrim por edhe me zë e figurë. Gjithashtu, mësohet se dëshmitari Ndoka është dërguar edhe në vendin e ngjarjes, ku ka treguar me detaje pozicionin e tij dhe lëvizjet e të dyshuarit Frroku. Pas heqjes dorë nga ana e prokurorit të më shumë se 30 dëshmitarëve të akuzës, tashmë kanë mbetur shumë pak për t’u pyetur, ndërsa si prova më e fortë e akuzës konsiderohet A. Ndoka, i cili do të jetë të mërkurën e ardhshme për t’u përballur me të pandehurin dhe t’i thotë në sy ato që ka parë ditën e ngjarjes. Ndërkohë që dje, gjyqi ndaj Arben Frrokut vijoi me dy dëshmi por pa nxjerrë ndonjë element të rëndësishëm lidhur me vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj. Njëri nga dëshmitarët u shpreh për togat e zeza, i pyetur nga prokurori, se njihte të pandehurin pasi ishin nga i njëjti vend, Puka, ndërsa viktimën Lamaj nuk e njihte. Madje, ai dëshmoi se nuk e kishte idenë edhe se ku ndodhej komisariati nr. 6 i drejtuar nga Dritan Lamaj.




