Operacioni/ SHKB arreston shefin e stacionit policor Divjakë, Gjergji Çelaj

MB: Dyshohet se dekonspironte aksionet policore, kundër aktivitetit të paligjshëm të lojërave të fatit

 Lushnje

arrest Dyshimet për dekonspirim të aksioneve të policisë kundër aktivitetit të paligjshëm në fushën e lojërave të fatit ka çuar në pranga drejtuesin e postës policore të Divjakës në Lushnjë. Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, në Ministrinë e Punëve të Brendshme ekzekutoi urdhrin e Prokurorisë për zbatimin e vendimit të masës së sigurimit personal “Arrest me burg”, marrë nga Gjykata e Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Lushnjë, në ngarkim të punonjësit të policisë nënkomisar Gjergji Çelaj, me detyrë shef i stacionit të policisë Divjakë. Sipas burimeve zyrtare nga Ministria e Brendshme, Çelaj akuzohet për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës”, “Korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Nxjerrjes së sekretit” parashikuar nga nenet 248, 259 dhe 294 të Kodit Penal. Ministria e Brendshme bën me dije se operacioni u finalizua ditën e djeshme pas urdhër – arrestit të firmosur nga Prokuroria e qytetit të Lushnjës. Po sipas të njëjtave burime zyrtare, arrestimi i tij u bë, sepse në kohë të ndryshme përgjatë vitit 2014, ka favorizuar persona që ushtronin aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit në zonën e Divjakës. Në këmbim të përfitimit të shumave të konsiderueshme monetare, nga pronarët e disa pikave të basteve që ushtronin aktivitet të paligjshëm, dyshohet se Gjergji Çelaj dekonspironte operacionet e Policisë së Shtetit, për goditjen e këtij aktiviteti të paligjshëm.

 

Hetimi

Hetimi për këtë shtetas ka nisur rreth 4 muaj më parë, pas një materiali referues nga SHKB. Prokuroria e Lushnjës krijoi dyshime të arsyeshme lidhur me shpërdorimin e detyrës së këtij shtetasi, referuar të paktën dy situatave, së pari pasi në muajin korrik 2014, policia kufitare e Lushnjës ndaloi një automjet, në të cilin ishin dy persona që kishin dy armë gjahu pa leje. Këtë rast, policia kufitare ia kaloi për kompetencë postës policore të Divjakës. Nga hetimi ka rezultuar se, për këtë rast, komandanti i postës policore nuk ka kryer asnjë veprim procedural. Pra, as nuk e ka regjistruar si material të referuar dhe, natyrisht, nuk e ka referuar as në prokurori për vijimin e ndjekjes penale për “Mbajtje pa leje të armëve të gjahut”. Së dyti, sipas akuzës, rezulton nga hetimi se ky shtetas dekonspironte aksionet policore kundër veprimtarisë së paligjshme të lojërave të fatit. Ky shtetas, për shkak të pozicionit të tij, vihej në dijeni të kontrolleve që ushtronte Drejtoria e Policisë së Qarkut Fier në zonën e Divjakës për evidentimin e pikave të lojërave të fatit që operonin në mënyrë të paligjshme, dhe njoftonte disa administratorëve të këtyre pikave për të mbyllur lokalet e tyre derisa të largohej kontrolli policor. Nga hetimi është faktuar se zyrtari i policisë komunikonte me dy prej administratorëve të lojërave të fatit në Divjakë, të cilët më pas njoftonin edhe të tjerët për operacionet që zhvillonte Drejtoria e Policisë së Qarkut Fier për aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit. Për më tepër, rezulton se njëri prej dy personave që njoftohej nga zyrtari i policisë është në gjykim, i akuzuar nga Prokuroria e Lushnjës për zhvillim të aktivitetit të paligjshëm të lojërave të fatit. Pavarësisht këtij fakti, ky shtetas vijonte aktivitetin e tij i pashqetësuar.

 

 

Share it :