Sonja Caka
Policia: Lënda narkotike kishte për destinacion kryeqytetin, dyshohet për shpërndarje në Tiranë
Vlorë, kapet një gomone 6 metra e gjatë, dyshohet se do përdorej për transport droge në Itali
Katër të rinj janë vënë në pranga pasi u kapën me një sasi të konsiderueshme droge. Sipas burimeve zyrtare policore, 4 të rinjtë u arrestuan në lagjen “Iliria” përgjatë aksit rrugor Shkodër-Tiranë, pasi po transportonin në një makinë furgon të tipit Wolkswagen me targa Durrësi, dy arka plastike me 169 kilogram lëndë narkotike Marijuanë. Sasia e drogës ishte e ndarë në 14 thasë dhe dy arka plastike. Po sipas të njëjtave burime, drejtuesi i automjetit ishte Paulin Shpati, ndërsa droga kishte për destinacion kryeqytetin. Dyshohet se pas mbërritjes në kryeqytet, droga do të përgatitej për shitje dhe shpërndarje në tregun narkotik në Tiranë. Megjithatë, burime nga blutë e Shkodrës hedhin dyshimet se droga mund të sillej në Tiranë për paketim dhe më pas të trafikohej drejt Malit të Zi. Ende nuk ka diçka konkrete për destinacionin përfundimtar të kësaj lënde narkotike, ndërkohë që policia po heton rrjetin ku bëjnë pjesë 4 të rinjtë dhe origjinën e lëndës narkotike.
Operacioni
Operacioni i policisë u zhvillua dje nga policia e Shkodrës, pas një informacioni të siguruar në rrugë operative. Sipas burimeve zyrtare të policisë së Shkodrës, të arrestuarit janë shtetasit Paulin Shpati, 30 vjeç, Aleksandër Shpati, 25 vjeç, Arben Shpati, 25 vjeç, Blinar Luka, 25 vjeç, të gjithë banuesa në Shkodër. Gjithashtu, policia bën me dije se janë ndaluar dhe dy makina të tjera të cilat shoqëronin dhe ruanin furgonin me drogë. Njëra, një veturë e po të njëjtit tip me targa SH 3850 E, e drejtuar nga Arben Shpati dhe me pasagjer Aleksandër Shpatin, ku u gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës edhe një amë zjarri Automatik Model 56 mm. Tjetra, një automjet tipit Mercedez Benz me targa AA 468 BN, me drejtues Blinar Lukaj që shoqëronte rrugëtimin e drogës për në Tiranë. Materialet hetimore iu kaluan Prokurorisë së Shkodrës, për veprat penale të parashikuara nga nenet 283/2 e 278/2 të Kodit Penal.
Vlorë
Policia e qytetit bregdetar sekuestroi një gomone 6 metra të gjatë në bregdetin e Dëllinjës në Vlorë. Sipas policisë, gomonia do të ngarkohej me lëndë narkotike rreth orës 02:00 me qëllim transportin drejt shtetit të Italisë. Por, kjo gjë nuk u realizua pasi gomonia kishte ngecur në rërë. Peshkatarët lajmëruan policinë kufitare, e cila filloi kërkimet dhe krehjen e zonës së bashku me njësinë Delta Forcë për gjetjen e lëndës narkotike. Operacioni i policisë vazhdon përgjatë bregdetit të Dëllinjës, ku u gjet dhe gomonia.
Gjirokastër
Policia e Gjirokastrës ka identifikuar dhe shpallur në kërkim dy organizatorët e trafikut të rreth një ton marijuanë, e cila u kap dy netë më parë në aksin rrugor Gjirokastër- Memaliaj. Sipas policisë, janë shpallur në kërkim shtetasit me iniciale S.I dhe I.E, ndërkohë që blutë kanë sekuestruar edhe dy automjete që kanë transportuar drogën nga Lazarati për në Tepelenë. Lënda narkotike rreth 1 ton hashash e llojit marijuanë u sekuestrua në një kamion në kuadër të operacionit të koduar “Ujëvara” të realizuar nga Drejtoria e Forcës Operacionale e policisë së Gjirokastrës. Ndërkaq policia arrestoi drejtuesin e kamionit me targa AA308FX, Ardjan Serezi, 45 vjeç, efektiv i Policisë së Shtetit, dhe konkretisht shofer në parkun e automjeteve të këtij dikasteri, i cili drejtonte kamionin me targa AA308FX.
Selanik
Dy grek dhe një shqiptar janë kapur dje nga policia e shtetit fqinj, pasi iu gjet në posedim një sasi prej 52 kg lëndë narkotike e llojit kanabis. Sipas burimeve policore, sasia e drogës kishte origjinë Shqipërinë ndërsa destiancion përfundimtar Gjermaninë. Policia bën me dije se droga është gjetur e shpërndarë, 27 kg në banesën e këtyre shtetasve dhe 25 kg në makinë. Tre të arrestuarit janë arrestuar dhe tashmë ndodhen në qeli, në pritje të masave të sigurisë. Mediat e shtetit fqinj nuk bëjnë me dije identitetet e tre të arrestuarve, por vetëm origjinat e tyre dhe destinacionin e drogës.
Greqi
Akuzohet për grabitjen e 9 bankave, pranga 32-vjeçarit shqiptar
Policia e shtetit fqinj ka arrestuar një shqiptar të moshës 32-vjeçare, i cili dyshohet se ka grabitur 9 banka. Dyshohet se pas vjedhjeve, ai arratisej me një taksi që e priste jashtë. Burimet zyrtare të policisë greke u thanë mediave të shtetit fqinj se një 32-vjeçar i veshur me kapelë dhe syze dielli hyri në një bankë në rrugën “Galatsi”, ku iu drejtoi armën klientëve dhe duke neutralizuar punonjësit, merrte paratë. Grupi hetimor ka identifikuar një taksi me të cilën po udhëtonte shqiptari, në posedim të së cilit është gjetur dhe sekuestruar një sasi parash nga grabitja e bankës. Gjatë kontrolleve në shtëpinë e tij në Ambelokipous është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë me 15 fishekë. Siç bëhet me dije nga hetimet e Departamentit të Krimeve kundër Pronës, 32-vjeçari shqiptar 4 muajt e fundit kishte kryer 9 grabitje të tjera në degën e bankës në Athinë, gjithmonë duke përdorur të njëjtën metodë, i veshur me kapelë dhe syze dielli, kryente grabitjen dhe ikte me një taksi që e priste jashtë. Ai dyshohet se vetë kishte marrë pjesë në grabitjen e 9 bankave greke, ndërsa ndaj tij ishte lëshuar një urdhër-arrest për përfshirje në një bandë shqiptarësh që kishin grabitur të paktën 26 pika bankare dhe postare në rajonet e Atikës.




