Operacioni “Aulona” në Vlorë, sekuestrohen 5 kg heroinë, pranga dy personave

 Alma Çuka

30 forca policore, 10 automjete morën pjesë në operacion. Mes policisë dhe autorëve që trafikonin heroinë pati shkëmbim zjarri. Operacioni, në zonën e Ujit të Ftohtë. Dyshime për përfshirje të personave të tjerë

sekuestrohet heroinePolicia e Vlorës në bashkëpunim me forcat e Antidrogës të Komisariatit të Vlorës arritën pasditen e djeshme të finalizonin, përmes operacionit të koduar “Aulona”, kapjen e dy personave me precedentë penalë. Burime nga Policia e Vlorës bëjnë me dije se operacioni u zhvillua në orët e pasdites në zonën e Ujit të Ftohtë dhe objekt i tij ishte kapja e dy personave të dyshuar se po kryenin trafik të lëndës narkotike. Të njëjtat burime theksojnë se policia kishte marrë njoftim për trafikun e drogës në rrugë operative dhe me kujdes është përgatitur skema e operacionit.

 

Arrestimi

Policia ka arritur të vërë në pranga dy 20-vjeçar, Zia Telharaj dhe Bruno Shehu, të dy banues në Vlorë. Po në të njëjtën kohë është bërë e mundur edhe sekuestrimi i lëndës narkotike, prej 5 kilogramë heroinë. Pas marrjes së informacioneve, policia e përberë nga 30 forca përfshirë dhe ato të antidrogës rrethuan vendin e përfolur se në atë moment, pikërisht rreth orës 17:30 minuta po bëhej shkëmbimi i lëndës narkotike me paratë. Mësohet se zona para se të niste operacioni ishte studiuar me kujdes, me qëllim që autorët të mos kishin mundësi largimi. Po kështu thuhet se në momentin kur policia ka bërë thirrje për tu dorëzuar, dy autorët kanë qëlluar në drejtim të forcave të policisë. Bëhet e ditur se nga shkëmbimi i zjarrit nuk ka pas të lënduar.

 

Hetimi

Menjëherë pas arrestimit dhe dërgimit në ambientet e Komisariatit të Policisë Vlorë, dy djemtë i janë nënshtruar marrjes në pyetje. Oficer të Policisë Gjyqësore, që punojnë për llogari të Krimeve të Rënda, janë nisur menjëherë drejt qytetit bregdetar. Policia njofton se dosja me të dhënat e të arrestuarve, prova materiale që në këtë rast është sasia prej 5 kg drogë e llojit heroinë, arma me të cilën dyshohet se është qëlluar drejt policisë janë vënë në dispozicion të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, e cila pritet të thellojë hetimet më tej. Policia e Vlorës bënë me dije se po punon për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë pjesë e rrjetit të trafikut të lëndës narkotike në këtë qytet.

 

Mbingarkesa/ Një vit nga krijimi, Gjykata Administrative në kolaps, ka mungesë të trupës gjyqësore

 Kur ka kaluar plot një vit nga data 4 nëntor 2013, kur Presidenti i Republikës dekretoi nisjen e punës për gjykatat administrative në vend, situata në këto gjykata duket se është tepër shqetësuese. Përgjatë një viti drejtuesit e Gjykatës Administrative në Tiranë, më e madhja në vend, i janë drejtuar Ministrisë së Drejtësisë dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë me shkresa të njëpasnjëshme për të plotësuar trupën gjyqësore. Por edhe pse shkresat kanë qenë në rrugë institucionale, deri sot, kur bëhet një vit nga hapja e këtyre gjykatave, nuk është bërë i mundur shtimi i gjyqtarëve për të plotësuar trupat gjyqësore, apo dhe emërimi i ndihmësve ligjorë. Gazeta “Standard” u interesua pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë për këtë problem nga ku mori përgjigjen se emërimi i ndihmësve ligjor është kompetencë e Ministrisë së Drejtësisë, e cila sipas tyre nuk ka reaguar. Sipas tyre, ministri Nasip Naço, është njohur me problematikën dhe është munduar të justifikohet me mungesën e një buxheti. Ndërkohë drejtues të Gjykatës Administrative Tiranë, në një vjetorin e krijimit, kërkojnë nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, komandimin e disa gjyqtarëve në mungesë të emërimit, për shkak të mbingarkesës së madhe të dosjeve. E njëjta shkresë i është nisur për dijeni në të njëjtën kohë edhe ministrit të Drejtësisë, Nasip Naço. Ky i fundit, ligjërisht duhej të emëronte ndihmësit ligjore për gjyqtarët e Gjykatës Administrative që në hapje të kësaj gjykate, por kjo nuk ka ndodhur. Mos emërimi i tyre dhe numri i madh i padive të dorëzuara, ka bërë që qytetarët të presin me muaj nisjen e proceseve gjyqësore, edhe pse me ligj duhet të vihet në lëvizje brenda 7 ditëve nga moment i dorëzimit. Statistikat tregojnë se brenda një dite pranë Gjykatës Administrative dorëzohen 40 deri 60 padi. Por zgjidhja e mosmarrëveshjeve që qytetarët kanë me institucionet shtetërore, për shkak të mbingarkesës në këtë Gjykatë, nuk mund të bëhet brenda tre muajve, ashtu si ishte parashikuar në hapje të tyre. Në një vit, kjo gjykatë ka dhënë mbi 6 mijë vendime, të cilat janë ankimuar në Gjykatën e Apelit Administrativ, e cila ka po të njëjtën problematik.

 

Tiranë, digjet automjeti i një efektivi të policisë

Makina e një efektivi policie është djegur në kryeqytet. Efektivët e Komisariatit nr. 6 të Policisë vunë në pranga 47-vjeçarin Artur Minxolli, lindur në Krujë dhe me banim në Tiranë. Minxolli dy ditë më parë në rrugën “Bedri Karapici”, i ka vënë zjarrin automjetit tip “Deawo”, me targa CB 920 MP, në pronësi të punonjësit të policisë shtetasit R. H., 53 vjeç. Dyshohet se i ndaluari dhe Minxolli janë konfliktuar mes tyre për motive ende të paqarta, duke bërë që inati i debatit të përfundojë mbi makinën e efektivit të policisë. Nga ana e uniformave blu vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes si dhe për origjinën e konfliktit.

 

 

 

Share it :