Alma Çuka
Dyshohet se në kundërshtim me ligjin ndërtonte një pallat pa leje në Selitë. Familjarët: Arrestimi u krye për hakmarrje, nuk është ndërtim pa leje, kemi bërë kërkesë për rinovim
Arrestohet nga Policia e Shtetit biznesmeni i ndërtimit Hajredin Fratari, dyshuar për kryerjen e veprës penale “Ndërtim i paligjshëm”. Operacionet e Policisë së Shtetit për të prishur çdo ndërtim me apo pa leje në Tiranë, të cilët bien në kundërshtim me këndvështrimin dhe politikat e qeverisë, nuk kanë kursyer edhe ndërtuesit e njohur në kryeqytet. Dje në mesditë, policia arrestoi biznesmenin Hajredin Fratari, me akuzën e “Ndërtimit të paligjshëm”, në një prej zonave më të populluara në kryeqytet, Selitë. Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, biznesmeni Fratari kishte nisur ndërtimin e një pallati pa leje në zonën e Selitës, në një kohë që prej rreth një muaji qeveria me vendim ka ndërprerë çdo lloj ndërtimi apo rikonstruksioni të banesave deri në zgjedhjet vendore të vitit 2015. Me anë të këtij vendimi qeveria pretendon të minimizojë abuzimet me lejet e ndërtimit dhe në të njëjtën kohë të normalizojë situatën në këtë sektorë.
Hetimi
Burime të Policisë së Shtetit pohuan për gazetën “Standard” se hetimi ndaj biznesmenit të ndërtimit kishte filluar prej dy muajsh. Të njëjtat burime theksuan se biznesmenit i kishte përfunduar leja e ndërtimit që në datë 14 tetor dhe që prej kësaj date Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar kishte lajmëruar ndërprerjen e punimeve. Më tej policia shprehet se Fratari nuk e ka respektuar vendimin e INUK, duke vazhduar të kryej punimet. Përfaqësuesit e Policisë së Shtetit shprehen se pasi nuk gjetën gjuhën e përbashkët dhe mirëkuptimin e biznesmenit Fratari për të ndërprerë punimet, urdhëruan arrestimin e tij mesditën e djeshme. Arrestimi u krye nga forcat e komisariatit të policisë numër një Tiranë, në oborrin e ndërtesës ku vazhdohej të punohej. Mësohet se në momenti e arrestimit, Fratari, 72 vjeç, ka kundërshtuar ashpër punonjësit e policisë. Arrestimi i këtij shtetasi u realizua, pasi dyshohet se ka realizuar një pallat në mënyrë të paligjshme, në zonën e Selitës së Vjetër në Tiranë.
Vendimi i INUK-ut
Me vendim të Inspektoratit Urbanistik Qendror të datës 20 tetor 2014, i është kërkuar pezullimi i punimeve, pasi kishte përfunduar afati i lejes së ndërtimit dhe mungonte oponenca teknike, ndërkohë që në këtë ndërtesë vazhdonin ende punimet për të përfunduar. Policia shprehet se materialet në ngarkim të tij, ju referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale të “Ndërtim pa leje”, parashikuar nga neni 199/a të Kodit Penal”. Në bazë të Kodit Penal Fratari, nëse vërtetohet akuza e ngritur nga policia rrezikon dënimin nga 1 deri në 5 vite burg, pasi ndërtimi thuhet se është bërë në tokë të tjetrit. Në rast se ndërtimi është kryer në tokën e blerë prej tij,por pa leje, ai rrezikon dënimin me gjobë deri në tri vite burg. Pas veprimeve te policisë radhën për të shqyrtuar provat e saj e ka gjykata. 48 orë pas arrestimit, Fratari pritet të paraqitet në gjykatë për tu njohur me masën e sigurimit personal.
Incidentet dhe familjarët
Për familjarët veprimi i Policisë së Shtetit është hakmarrje e pastër. Menjëherë pas arrestimit familjarët e biznesmenit e quajtën skenën e arrestimit të 72 vjeçarit një veprim të ideuar nga qeveria duke mohuar faktin se ndërtimi ishte i paligjshëm. Sipas familjarëve biznesmeni ka bërë kërkesë për rinovimin e lejes së ndërtimit dhe është në pritje të rinovimit të kësaj leje. Ka qenë kjo arsyeja sipas familjarëve që punimet kanë vazhduar. “Kemi bërë kërkesë dhe jemi në pritje të rinovimit të lejes së ndërtimit. Puna po vazhdonte pasi leja ishte në proces rinovimi. Pallati në fjalë nuk është një ndërtim i paligjshëm”, – shprehen familjarët. Fratari mbahet mend për akuzat që i bëri Edi Ramës, në kohën kur drejtonte Bashkinë e Tiranës, se i kishte kërkuar 1 milion dollarë për t’i dhënë leje ndërtimi. Fratari ka qenë një ndërtues, i dënuar në kohën e sistemit komunist, drejtues i shoqatës Konfindustria si dhe kandidat për President.




