Sonja Caka
Vlorë, kapet rreth 1 ton marijuanë në Orikum, shoqërohen 3 persona, mes tyre 1 femër. Arrestohet pronari i mjetit që transportoi sasinë e drogës
Një person është vënë në pranga nga policia e Tiranës pas konstatimit dhe bllokimit të një sasie të konsiderueshme kokaine në një pako postare të ardhur me linjë ndërkombëtare autobusësh nga Athina në vendin tonë. Droga ishte fshehur në një lodër plastike, ndërsa ishte paketuar dhe transportohej drejt Tiranës me autobusët e linjës “Klid Ballkan”. Kësaj here destinacioni ka qenë i ndryshëm nga herët e tjera, pasi zakonisht me në sitë kalojnë pakot që nisen nga vendi ynë drejt Greqisë. Ndoshta për këtë arsye edhe 25-vjeçari Enard Hoxha dhe miqtë e tij kishin menduar të fusnin drogë në Shqipëri.
Hetimi
Policisë së Tiranës i janë dashur disa javë hetime për të finalizuar dhe dhënë një goditje një grupi trafikantësh që kishin gjetur një mënyrë për të futur kokainën nga shteti fqinj i Greqisë për në Shqipëri. Uniformat blu i vunë prangat poseduesit të lëndës narkotike, ndërsa është vënë në ndjekje të të tjerë personave të përfshirë në këtë linjë trafiku. Burime nga policia e kryeqytetit kanë bërë të ditur se i arrestuari si posedues është Enard Hoxha, 25 vjeç, ndërsa bëhet e ditur se janë sekuestruar 21.6 gramë kokainë. Droga transportohej me autobusët e linjave të Greqisë, duke u fshehur në pakot postare që vijnë me këto linja. Policia tha se droga e llojit kokainë ishte fshehur në një makinë lodër, që vinte me postë. Koliposta po transportohej me autobusët e linjës “Klid Ballkan”.
Vlorë
Një tjetër operacion i suksesshëm antidrogë i koduar “Merry Christmas” është finalizuar edhe nga policia e Vlorës. Janë sekuestruar 916 kg kanabis sativa në Vlorë. Operacioni antidrogë është kryer në afërsi të fshatit Akerni, ku janë gjetur dy furgonë me nga 500 kilogramë kanabis secili, njëri pranë hidrovorit dhe tjetri pranë Orikumit. “Në vendin e quajtur Hidrovori u bë e mundur kapja dhe sekuestrimi i sasisë prej 916 kg kanabis sativa, e cila ishte transportuar nga trafikantët me dy automjete tip furgon “Fiat Ducato” dhe një “Mercedes-Benz Vito”, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Gjithashtu, gjatë veprimeve operacionale me shërbime të alternuara nga toka dhe nga deti u bë e mundur që nga shërbimet e Policisë së Kufirit në zonën e Orikumit të kapet dhe sekuestrohet edhe një mjet lundrues, tip gomone me dy motorë, 1 prej tyre 200 kw dhe një tjetër 25 kw fuqi, mjet i cili mendohet se do të përdorej nga trafikantët për transportimin e lëndës narkotike në drejtim të Italisë. Gjithashtu, nga krehja e zonës dhe kontrolli i ushtruar në një lokal që ndodhej në afërsi të vendit ku u gjet lënda narkotike, u gjet dhe u sekuestrua edhe një armë zjarri tip automatike “Scorpions””, – bën me dije policia e qytetit bregdetar. Ndërkohë, në pranga janë vënë tre persona, dy prej të cilëve u kapën në flagrancë në njërin prej dy furgonëve. Në orët e vona të ditës së djeshme u arrestua drejtuesi i njërit prej automjeteve, Vebi Bajrami, 44 vjeç, nga Novosela e Vlorës, pronar i mjetit “Fiat Ducato”. Policia e Vlorës bën të ditur se pranë Orikumit u gjet një gomone 6 metra e gjatë, e cila mendohet se do të shërbente për transportimin e drogës. Paraprakisht, dyshohet se origjina e drogës ishte Lazarati dhe destinacioni, Italia. Ndërkaq, vijojnë hetimet për të vërtetuar nëse ka persona të përfshirë në këtë rrjet trafikimi.
U sekuestruan
21.6 gramë kokainë në Tiranë
916 kg kanabis sativa në Orikum
1 armë zjarri tip automatike “Scorpions”
2 automjete, “Fiat Ducato” dhe një “Mercedes-Benz Vito”
1 gomone me 2 motorë
U arrestuan
Enard Hoxha, 25 vjeç, nga Tirana
Vebi Bajrami, 44 vjeç, nga Vlora
Fier
Dhunon dy fëmijët e mitur, prangoset nëna 34-vjeçare
Një 34-vjeçare është vënë në pranga nga blutë e Fierit, pasi akuzohet se ka dhunuar dy fëmijët e mitur. Mësohet se gruaja është prangosur në kushtet e flagrancës ndërsa rrihte të miturit. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Sheq i Vogël, në Fier. Burime zyrtare nga policia e Fierit kanë bërë të ditur se kanë vënë në pranga në flagrancë 34-vjeçaren Stelina Çomo. Sipas policisë, arrestimi i saj është bërë për veprën penale të “Dhunës në familje”. Po sipas të njëjtave burime, 34-vjeçarja Çomo ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj fëmijëve të saj të mitur. Stelina Çomo kishte dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë, përkatësisht nga 13 dhe 12 vjeç. Pas arrestimit të saj, policia e ka çuar dosjen e saj në Prokurorinë e Fierit për hetime të mëtejshme.
Elbasan
Pas aksidentit, merr flakë makina brenda tunelit të Kërrabës
Një makinë është përfshirë nga flakët në tunelin e Kërrabës pas një aksidenti. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:00 të mesditës së djeshme në tunelin e Kërrabës, në segmentin rrugor Elbasan – Tiranë. Sipas burimeve policore, shkak i aksidentit në makinë tip “Renault”, në të cilën udhëtonin dy persona, dyshohet të ketë qenë një defekt teknik. Pasi kanë konstatuar defektin, dy personat kanë dalë nga mjeti, i cili më pas është përfshirë nga flakët. Mësohet se dy personat që udhëtonin me automjetin me targa të Lezhës, nuk kanë pësuar lëndime. Zjarrfikësja e mbërritur në vendngjarje ka neutralizuar flakët e zjarrit, si dhe është bërë e mundur lëvizja e lirë e automjeteve, pasi qarkullimi u bllokua për disa minuta. Por për shkak të tymit të krijuar, është vendosur që automjetet që lëvizin nga Tirana drejt Elbasanit të ndjekin rrugën e vjetër Tiranë – Elbasan nga Kërraba. Në vendngjarje mbërriti edhe një autoambulancë, edhe pse nuk u raportuan persona të lënduar. Policia po punon për zbardhjen e ngjarjes.




