Shkrimtarja bullgare gjatë qëndrimit në rezidencën për shkrimtarë dhe përkthyes letrarë, përveç fokusimit në planet e veta krijuese, do të hyjë në marrëdhënie me jetën kulturore dhe letrare shqiptare. Shkrimtarja bullgare Olya Stoyanova është fituesja e pestë e bursës për qëndrim njëmujor në Shtëpinë e Shkrimtarëve dhe Përkthyesve Letrarë. Ajo do qëndrojë në Tiranë nga 15 tetori deri më 15 nëntor 2014, si pjesë e projektit “Tirana in Between”, organizuar nga “Poeteka” dhe mbështetur nga TRADUKI dhe Ministria e Kulturës e Republikës së Shqipërisë.
“Gjatë këtij muaji qëndrimi në Rezidencën për shkrimtarë dhe përkthyes letrarë, përveç fokusimit në planet e veta krijuese, Olya Stoyanova do të hyjë në marrëdhënie me jetën kulturore dhe letrare shqiptare, do të japë intervista, do të bëhet pjesë e procesit krijues “Shkrimtarët përkthejnë shkrimtarë”, do të kryejë lexime publike dhe bashkëbisedime në kafenetë letrare të kryeqytetit”, thuhet në njoftimin e publikuar nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë. Olya Stoyanova (Bullgari, 1977) është poete, prozatore dhe dramaturge. Ka studiuar në Fakultetin e Gazetarisë dhe Komunikimit Masiv në Universitetin e Sofjes, ku tani po mbron gradën shkencore Olya Stoyanova është autore e katër librave me poezi, “Fotografi” (2000), “Prozë (2002), “Hartë rrugore” (2003) dhe “Rruga ‘Lumturi’” (2013). Romani i parë Olya Stoyanova-s – “Gjeografi personale” u botua në vitin 2005. Libri më i fundit i Olya Stoyanova-s, “Rruga ‘Lumturi’” fitoi çmimin kombëtar “Nikolaj Kanchev” për vitin 2013, si dhe çmimin kombëtar “Ivan Nikolov” për librin poetik më të mirë të vitit 2013




