Ofrohen katër licenca 4G njëherësh, çmime shumë të ulëta

Ervin Kaduku

4g –  Për tre brezat e parë të frekuencave, çmimi dysheme do të jetë 1 milion e 485 mijë euro, ndërsa për brezin e fundit që tenderohet dhe që do të ketë sasi më të kufizuar të spektrit, çmimi minimal i pranuar do të jetë 110 mijë euro

 Do të jepen të katërta licencat 4G për internetin në telefoninë celulare njëherësh. Ndryshe nga sa është vepruar më parë, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare ka shpallur tenderin për dhënien në përdorim të frekuencave që do të përdoren për teknologjinë 4G dhe mësohet se autorizimet do të jenë katër, çka teorikisht do t’ju mundësojë këtë teknologji për të gjithë operatorët celularë në vend. Gjithsesi, rregullorja lejon që pjesëmarrësit të mund të ofertojnë edhe për dy nga brezat në garë. Për tre brezat e parë të frekuencave, çmimi dysheme do të jetë 1 milion e 485 mijë euro, ndërsa për brezin e fundit që tenderohet dhe që do të ketë sasi më të kufizuar të spektrit, çmimi minimal i pranuar do të jetë 110 mijë euro. Çmimi i ofruar nga pjesëmarrësit në garë do të jetë kriteri i vetëm për shpërndarjen e të drejtave të përdorimit.

Shteti shqiptar duket se po tregohet shumë liberal për dhënien e licencave, krahasuar me disa vjet më parë. Duke parë çmimet minimale të përcaktuara dhe dhënien e njëkohshme e katër licencave, nuk pritet që shumat e arkëtuara nga buxheti i shtetit të jenë të krahasueshme me ato të 3G, ku për tri licenca u siguruan afro 52 milionë euro.

Në rastin e teknologjisë 3G, tri licencat e dhëna deri tani janë dhënë në dhjetor 2010 për “Vodafone Albania”, kundrejt vlerës 31.4 milionë euro, në shtator 2012 për “AMC” për vlerën 15.1 milionë euro dhe në dhjetor 2012 për “Eagle Mobile”, kundrejt vlerës 4 milionë euro. Në tenderin e fundit, operatori tjetër celular, “Plus Communication”, kishte paraqitur ofertën simbolike 1 euro.

Autorizimet për 4G do të kenë afat 15-vjeçar, me të drejtë rinovimi dhe kusht për pjesëmarrësit në tender është zotërimi i kapaciteteve teknike dhe financiare për të mund të ofruar shërbimin. Kriteret teknike konsistojnë kryesisht në eksperiencën në ngritjen e rrjeteve dhe ofrimin e shërbimeve të komunikimit të lëvizshëm, ndërsa kriteri financiar bazë është një garanci bankare në vlerën e të paktën dy milionë eurove.

Afati për dorëzimin e ofertave do të jetë data 15 shtator e këtij viti, ndërsa Komisioni i Vlerësimit të Ofertave do të ketë një muaj kohë për të shpallur renditjen. Pas marrjes së autorizimit, secili operator do të ketë dy muaj kohë për të nisur ofrimin e shërbimit. Nëse procesi i vlerësimit të ofertave nuk do të ketë ankimime, ofrimi i shërbimeve në brezat e rinj pritet të nisë në fillim të vitit të ardhshëm.

Plani kombëtar i radiofrekuencave parashikon që brezat e tenderuara nga AKEP të përdoren për shërbime të gjeneratës 4G dhe që garantojnë shpejtësi të internetit dhe transmetimit të të dhënave që, teorikisht, mund të arrijë deri në 100 Megabajt për sekondë për përdoruesit e pajisjeve të lëvizshme. Kjo shifër nuk realizohet asnjëherë praktikisht, por sidoqoftë shpejtësia do të shumëfishohet.

 

 Luftërat rritin çmimin e sigurimit të avionëve

Kompanitë e sigurimit pritet të rrisin primet e rrezikut të luftës, për shkak të konflikteve në rajone të ndryshme të globit. Agjencia e Vlerësimit të Siguruesve, “A.M. Best Company”, deklaroi se shkas është bërë rrëzimi i avionit të “Malaysia Airlines” me 298 persona në bord në lindje të Ukrainës. Zgjidha e çështjes së sigurimit të avionit, që u rrëzua nga një raketë tokë-ajër, pritet të jetë një proces shumë kompleks dhe i gjatë. Kërkesat pritet të jenë si për humbjen e avionit, ashtu edhe përgjegjësitë ndaj pasagjerëve. Agjencia e Vlerësimit deklaroi se kompania “Lloyd’s Syndicate”, që menaxhohet nga “Atrium Underëriters”, ka konfirmuar se po udhëheq “luftën politike” për çështjen e avionit të rrëzuar.

Sigurimi i rrezikut të luftës përdoret kryesisht tek industritë e aviacionit dhe anijeve për të mbuluar dëmet dhe primi llogaritet duke u bazuar në vlerën e mjetit. “A.M. Best Company” deklaroi se sindikatat dhe bashkë-siguruesit kanë rënë dakord të zgjidhin çështjen e humbjeve të luftës dhe kanë nxitur mbledhjen e fondeve.

Banka “Barclays”, deklaroi në një studim të saj javën e kaluar, se nëse vërtetohen raportet që avioni është goditur me raketë, tregu i fluturimeve ajrore do të marrë një goditje akoma më të rëndë, duke pasur parasysh edhe humbjet e mëdha të kohëve të fundit. Në një intervistë të dhënë për “Reuters” të mërkurën, komandanti i rebelëve pro-rusë, Alexander Khodakovsky, konfirmoi se separatistët kanë një raketë kundërajrore, të modelit që Uashingtoni deklaroi se është përdorur për të goditur avionin e fluturimit MH-17, dhe origjina është nga Rusia.

 

 Franca: Dobësoni euron, është e mbivlerësuar!

Kryeministri i Francës i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian të bëjë më tepër për të ndihmuar vendet anëtare që të realizojnë reformat dhe përsëriti pikëpamjet e Francës se euroja është e mbivlerësuar. “Unë mendoj se aktualisht euro është shumë e shtrenjtë, shumë e fortë. Për zbatimin e paktit të stabilitetit, ne kemi nevojë për më shumë fleksibilitet. Evropa duhet të bëjë më shumë për të mbështetur reformat e kryera nga qeveritë”, – deklaroi Kryeministri francez, Manuel Valls. Ai iu referua në mënyrë të veçantë premtimit të Presidentit të zgjedhur të Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker për të prezantuar brenda 3 muajve të parë të mandatit të tij një “Paketë të punësimit, Rritjes Ekonomike dhe Investimeve”.

Ky plan i Juncker ka për qëllim 300 miliardë euro investime gjatë 3 viteve të ardhshme. Qeveria socialiste e presidentit François Hollande është ankuar shpesh gjatë këtij viti për forcën e euros, duke i bërë thirrje Bankës Qendrore Evropiane dhe qeverive të ndërmarrin masa të tjera për të dobësuar monedhën dhe për të nxitur rritjen. Edhe vetë Hollande deklaroi më herët gjatë kësaj jave se, mund të jetë e vështirë për Francën të realizojnë objektivat fiskalë të Bashkimit Evropian, për shkak të rritjes së dobët ekonomike.

Por, ai shtoi se Franca do të përdorë të gjitha mundësitë për të realizuar objektivat, nëse do të jetë e nevojshme. Në çdo rast, Franca nuk do të shkojë përtej planit për të ulur shpenzimet me 50 miliardë euro gjatë periudhës 2015-2017. Edhe udhëheqësit e Bashkimit Evropian sinjalizuan në samitin e fundit se janë të gatshëm për më tepër fleksibilitet, duke i dhënë vendeve anëtare kohë shtesë.

 

 Lëkunden bankat e Bullgarisë dhe Portugalisë – Po kthehet kriza?

“Banco Espritio Santo – Hija e falimentimit në Portugali”, “Skandal i ri bankar në Bullgari” – vetëm dy kryetituj nga java e kaluar. Kudo ku në Evropë një bankë ndodhet në gjendje të vështirë, kërcënon të vijë sërish kriza. Në rastin e bankës bullgare Corp-Bank qeveria bëri të ditur se për shpëtimin e bankës do të futet në borxh rreth 1 miliardë euro në tregjet financiare.

Andreas Dombret nga bordi i Bankës Gjermane shprehet se raste të tilla do të ketë edhe në të ardhmen. “Kjo nuk mund të përjashtohet, përkundrazi”. Dhe kur një vend si Bullgaria, vendi më i varfër i Bashkimit Europian, merr borxhe të përmasave të tilla, sigurisht kjo do të efekt edhe në ekonominë e vendit. Në këtë rast Bullgaria duhet të korrigjojë objektivat e saj për uljen e deficitit buxhetor. Qëllimi ishte 1,8% e kapacitetit ekonomik të vendit, tani mund të arrihen më së miri vetëm 3%.

 

Atmosferë e ndezur

Në klimën financiare politike – në SHBA dhe BE – normat e interesit janë në pikën më të ulët më të mundshme. Një gjë e tillë mund të ketë pasoja për sektorin bankar, analizon eksperti Dombret: “Kjo përzierje mes normave të ulta të interesit, inflacionit të ulët, volatilitetit të ulët dhe likuiditetit të lartë bën që tregjet financiare të fillojnë të gjuajnë sërish renditet”. Në një gjendje të tillë të ndezur mjaftojnë disa veprime kriminale, siç duket në rastin e bankës bullgare, apo dështim i disa menaxherëve që banka të futet në vështirësi.

Në raste të tilla mjaftojnë vetëm thashethemet se një bankë nuk ka likuiditet që ajo të futet në krizë. Shumë konsumatorë kërkojnë pastaj kursimet – si rregull shumë banka nuk mund ta sigurojnë këtë – dhe vërtet ndodh në këtë mënyrë që banka të shpallë falimentimin. Thomas Hartmann-Wendels nga Universiteti i Këlnit shpjegon se “tek banka gjithmonë ekziston rreziku i infektimit nga njëra-tjetra. Po qe se një bankë ka probleme, humbet kështu edhe besimi tek bankat e tjera. Apo në rast se bankat i kanë dhënë njëra-tjetrës kredi dhe kjo i fut ato në vështirësi. Këto janë disa efekte negative sistemike, të cilat nuk kanë këtë formë në ekonominë reale”.

 

 

Share it :