Një sqarim dhe falenderime për Zonjën e nderuar Av.Adriana Kalaja
Nga Ilir Meta/
E nderuar Znj. Kalaja,
Ju ndoqa sot me Flavion në “Kafe Shqeto” dhe ju falenderoj, që pavarësisht kërcënimeve që bëhen ndaj jush për të heshtur ndaj këtij korrupsioni skizofrenik të kudogjendur dhe kapjes totale të sistemit të drejtësisë, ju vijoni më këmbëngulje denoncimet, në të gjitha format.
Dëshiroj t’ju sqaroj, për një mungesë informacioni, që mesa duket ju e keni, pasi avokatët e mi, Z. Kujtim Cakrani dhe Z. Gylsen Zhllima kanë kërkuar zyrtarisht përjashtimin e Znj. Irena Gjoka si gjyqtare e seancës paraprake dhe kjo është refuzuar nga GJKKO.
Po kështu, këtë pretendim ata e kanë përsëritur edhe gjatë seancave të seancës paraprake për pamundësinë e saj për të marrë një vendim të pavarur nga prokurori i çështjes, Z. Dumani, i cili siç e dini, kallëzimin që ju bëtë me emër për Znj. Gjoka e regjistroi pa emër(!).
Për të qenë i drejtë, edhe vetë Znj. Gjoka ka kërkuar dorëheqjen nga kjo çështje pasi ajo përveçse ishte vetë nën hetim nga SPAK, ka qenë edhe gjyqtare e çështjes DIA në vitin 2016, që përbën një tjetër konflikt interesi.
Por ju e dini që këtu shorti kurrë “nuk gabon”.
Për shembull në Gjykatën e Lartë, shorti i gjithmonë i bie Z. Ilir Panda, të cilin unë kur kam qenë Kryeministër në vitin 2000 e kam shkarkuar nga Ministër i Drejtësisë.
Dhe meqënëse përmenda DIA-n, këtë javë ju ftoj të lexoni të gjitha faktet dhe dokumentat që provojnë se DIA ishte krijesë amerikane, nga fillimi deri në fund.
Por çuditërisht zonjën amerikane që ekziston në gjykimin e kësaj çështje në Shqipëri dhe në Arbitrazhin e Vjenës këta e kanë harruar fare ta përmendin në akt-akuzën ndaj meje sepse siç donin të ngatërronin METE-n me Metën, ua do porosia të “zëvendësojnë” edhe Rebeccën me Metën.
Edhe njëherë ju shpreh solidaritetin tim me betejën tuaj kundër korrupsionit dhe shpresoj ta keni kaluar numrin e 100 kallëzimeve penale derimë tani.
Le të “flenë” aty, se një ditë do të zgjohen!




