Nisma e qeverisë / Rama: Kurs kundër analfabetizmit fiskal në administratë

Florenc Drizari

 “Kurs intensiv për inspektorët e tatimeve, inspektorët e AKU-së e të gjithë inspektorët e strukturave të tjera që kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me sipërmarrjen”

 

29 Mars Rama Kodi etikes

Kryeministri Edi Rama paralajmëroi dje nisjen e një kursi specializimi për administratën publike. Kursi pritet të zgjasë tre muaj, mars, prill e maj. Këtij procesi do t’i nënshtrohen të gjithë inspektorët e doganave, inspektorët e tatimeve, inspektorët e Agjencisë Kombëtare të Ushqimit si dhe të gjithë inspektorët e strukturave të tjera që kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me sipërmarrjen.

Kryeministri Rama e quajti nismën e re të qeverisë një hap kundër analfabetizmit fiskal, duke vënë theksin tek kualifikimi i administratës publike në mënyrë që t’i përshatet sfidave të kohës.

“Analfabetizmi fiskal”, tha Rama, e ka krijuar shumë probleme mes shtetit dhe sipërmarrjes, duke dëmtuar seriozisht ekonominë dhe për përpjekjen e përbashkët për mirëqenie. Në një anketë të bërë me investitorët e huaj Rama tha se çështja e kualifikimit të krahut të punës ishte një shqetësim më i madh nga ata se rritja e taksave.

Sipas Kryeministrit, nëse do të ishte investuar më shumë në kualifikimin e administratës në vitet e fundit në Shqipëri, vendi do të kishte pasur më shumë sukses në proceset integruese dhe në sipërmarrjen e lirë.

Edi Rama

“Ne besojmë që kapitali njerëzor është pjesa më e pa investuar në Shqipërinë e gjithë këtyre viteve, në funksion të forcimit dhe konsolidimit të një administrate realisht në shërbim të ligjit, në shërbim të qytetarëve, në shërbim të sipërmarrjes. Shqipëria, si shoqëri, do të hynte në vendet që, falë dëshirës për dije të prindërve, investon në përqindje me të ardhurat e përvitshme shumën më të madhe për arsimim. Ndërkohë që shteti shqiptar, padyshim, do të renditej i fundit në çdo lloj klasifikimi, ku do të analizoheshin përpjekjet institucionale për ta kthyer investimin te kapitali njerëzor në një pjesë të qenësishme dhe të pandashme të investimit në çdo fushë të jetës. Sikur t’i kishim dedikuar kapitalit njerëzor në Shqipëri po atë pasion dhe po atë vëmendje që i kemi dedikuar asfaltit në gjithë këto vite, me siguri do të kishim shtruar sot dyfishin e rrugës sonë drejt Bashkimit Evropian. Sikur t’i kishim dedikuar trurit të funksionimit të institucioneve tona po atë vëmendje që i kemi dedikuar xhepit të sipërmarrjeve, sigurisht do të kishim pasur një funksionim shumë më logjik të institucioneve dhe shumë më tepër të ardhura nga sipërmarrjet”, – deklaroi Rama.

Gjithashtu Kryeministri Rama tha se ky kurs do të zhvillohet që çdo inspektor tatimor e doganor të mos jetë analfabet fiskal, por të jetë në gjendje të kuptojë, të gjykojë dhe zgjidhë brenda parimësisë kushtetuese dhe ligjore problemet e një sipërmarrësi.

“Dhe jo rastësisht, as pa qëllim, ne kemi dashur të përfshijmë në këtë kurs intensiv jo vetëm “Crown Agents”, që e konsiderojmë një nder dhe një fat që gjenden pranë nesh në këtë moment historik për transformimin e doganave të Shqipërisë, por edhe sipërmarrja”, – theksoi Rama. Në fjalën e tij Kryeministri falënderoi edhe ministren e Integrimit për mbështetjen e kësaj nisme.

 

 

Debatet PD-PS për emërimet në administratë

Pozita dhe opozita vazhdojnë të shkëmbejnë akuza për emërime nepotike në administratën publike. Në seancën e fundit plenare, deputetët e opozitës u përfshinë në debate dhe akuza me Kryeministrin Rama dhe ministren e Inovacionit dhe Administratës Publike, Milena Harito. Fillimisht ishte ministrja Harito, e cila publikoi një listë me emra ku sipas saj familjarë të përfaqësuesve të opozitës punonin në administratë, ndërkohë që me të njëjtin argumentim iu përgjigjën edhe deputetët e opozitës, duke deklaruar publikisht disa emra zyrtarësh të afërm me ministrat. Ish-kryeministri Sali Berisha kritikoi ashpër qëndrimet e mbajtura nga ministrja e Administratës, duke thënë se në qeveri ndodhen katër pjesëtar të një familjeje. Ndërkaq, lidhur me emërimet në administratën publike, pozita dhe opozita vazhdojnë të debatojnë për ligjin e nëpunësit civil, edhe pas shfuqizimit që Gjykata Kushtetuese i bëri aktit normativ të qeverisë.

 

 

Legalizimet, ministrat ndajnë 50 certifikatat e para të pronësisë në Shkodër

Pak ditë pas publikimit të projektligjit të qeverisë për ndryshimin e skemës së legalizimeve në vend, ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni, dhe drejtori i ALUIZNI-it, Artan Lame, morën pjesë dje në një aktivitet në qytetet e Shkodrës dhe Lezhës, duke shpërndarë 50 certifikata pronësie.

Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni, prezantoi para banorëve edhe Ligjin e ri për Legalizimet që sapo kaloi në Këshillin e Ministrave dhe shumë shpejt do të kalojë edhe në parlament. “Kënaqësi që vij para jush me një premtim të mbajtur të qeverisë Rama, për legalizime falas, duke i dhënë fund makthit të qytetarëve shqiptarë, për të legalizuar banesat e tyre, mundin dhe djersën e tyre”, – deklaroi ajo. Gjermeni vlerësoi edhe punën e AUIZNINI-t për punën e bërë. “Dua të falënderoj në mënyrë të veçantë AUIZNI-n, drejtorinë qendrore dhe degët rajonale për punën e bërë, jo vetëm për ndryshimet ligjore dhe paketën ligjore që shumë shpejt do të kalojë në parlament, por mbi të gjithë për rikthimin e besimit të qytetarëve tek institucionet, tek shteti, tek qeveria. E them këtë pasi në këto 8 vitet e fundit kemi dëgjuar shumë të flitet për legalizimet, për korrupsionin, për procedurat tej mase të zgjatura, dhe sjelljen tejet mospërfillëse ndaj interesave të qytetarit”, – u shpreh Gjermeni. Sipas saj, punonjësit e ALUIZNI-t do të shkojnë derë më derë tek qytetari, për t’ia bërë këtë proces sa më të lehtë, për të kryer procesin e legalizimeve falas dhe ju të gëzoni mundin dhe djersën tuaj përmes një dokumenti ju jep të drejtën të gëzoni pronën tuaj. “Ne po i japim fund korrupsionin, makthit të sorollatjeve, mospërfilljes së qytetarëve, por nga ana tjetër dua të theksoj se i gjithë ky proces që porsa ka filluar për legalizimet falas është një proces që, ne si qeveri jemi tërësisht të angazhuar dhe të përkushtuar që brenda 4-vjeçarit të kryejmë masën më të madhe të legalizimeve falas për qytetarët kudo në Shqipëri”, – deklaroi Gjermeni.

Share it :