Florenc Drizari
“Së shpejti qeveria do të avancojë edhe me disa koncesione që janë kthyer në problem. Ai i pullave fiskale, po marr një shembull, është një problem shumë i madh. Është një problem shumë i madh, sepse nuk ka garantuar asnjë lloj ndryshimi cilësor të këtij shërbimi”
Kryeministri Edi Rama prezantoi dje krijimin e Sekretariatit të Këshillit Ekonomik Kombëtar. Para përfaqësuesve të biznesit, trupit diplomatik në Tiranë si dhe drejtuesve të institucioneve bankare, Rama tha se ky nga Këshill do të trajtohen problemet strategjike të zhvillimit ekonomik, si dhe problemet konkrete të çdo sipërmarrjeje.
Duke folur për situatën ekonomike në vend dhe qëndrimin e shtetit në raport me biznesin, Rama tha se aktualisht ekziston një administratë e paedukuar që, sipas tij, është trashëguar nga qeverisja e mëparshme. “Kemi një administratë që i qëndron përballë qytetarit, në tërësi dhe në rastin konkret, sipërmarrjes, si të ishte në të drejtën për t’i folur tjetrit, a thua se tjetri ia ka me borxh që jo vetëm të mos marrë shërbimin që i takon me ligj dhe me zakon, por edhe të dëgjojë apo të përjetojë sjellje të papranueshme. Arsyeja pse ne e kemi ndërtuar Sekretariatin e Këshillit Ekonomik Kombëtar, arsyeja pse ky Sekretariat, siç jemi zotuar më parë, përpara se të fitonim zgjedhjet, do të jetë i vendosur këtu në Këshillin e Ministrave, është pikërisht që të kemi një urë lidhëse direkte me sipërmarrjen dhe që çdo sipërmarrës që ndjehet keq, për shkak se është ballafaquar me një sjellje të padenjë të administratës tatimore, doganore apo kudo qoftë”, – deklaroi Kryeministri Rama. Duke qëndruar në këtë linjë Rama tha se “koha e tallavasë me financat ka mbaruar, e tallavasë nga ana e qeverisë, e tallavasë nga ana e biznesit”.
Aktiviteti i djeshëm u zhvillua në mjediset e Këshillit të Ministrave dhe përfaqësues të biznesit patën mundësi t’i drejtonin pyetje Kryeministrit në lidhje me vendimet e fundit të qeverisë në fushën e financave dhe nismat që qeveria pritet të marrë për lehtësirat fiskale ndaj sipërmarrjes. Kryeministri Rama foli edhe për koncesionet, duke paralajmëruar prishje të disa kontratave të firmosura në qeverinë “Berisha”, për të cilat ai tha se nuk i shërbejnë as biznesit, qytetarëve dhe shtetit.
“Për sa u përket koncesioneve, ne kemi anuluar jo pak. Do të vazhdojmë t’i shohim me shumë vëmendje. S’kemi qenë asnjëherë dhe nuk jemi absolutisht kundër koncesioneve si praktikë, por kemi qenë dhe jemi vendosmërisht kundër kthimit të kësaj praktike, që është një nga instrumentet e stimulimit të investimeve dhe zhvillimit, në një praktikë korruptive, në një praktikë arbitrare për të privilegjuar disa, në kurriz të të gjithë të tjerëve dhe për të cenuar rëndë konkurrencën”, – deklaroi Rama. Sipas tij, së shpejti qeveria do të avancojë edhe me disa koncesione që janë kthyer në problem. “Ai i pullave fiskale, po marr një shembull, është një problem shumë i madh. Është një problem shumë i madh, sepse nuk ka garantuar asnjë lloj ndryshimi cilësor të këtij shërbimi”.
Gjithashtu, Kryeministri Edi Rama premtoi një paketë të re fiskale për biznesin fason. Për çështjen e turizmit, Rama tha se është i nevojshëm një formalizim i këtij sektori.
“Ne duhet së bashku të biem në një mendje që sektori i hotelerisë ka nevojë për formalizim. Na rezulton që në një hotel, mesatarisht, punon një njëri e gjysmë. Pra, punonjësit e formalizuar në sektorin e turizmit, po të marrim numrin e hoteleve, do të ishin aq sa kemi hotele dhe 50 % më shumë. Është qesharake. Ne duhet të luftojmë bashkërisht që ta formalizojmë sa më shumë këtë sektor, në mënyrë që edhe stimuli për qeverinë, për të lehtësuar sektorin, të jetë më i madh. Por dhe stimuli për ju, të jetë më i madh”, – tha kreu i qeverisë.
Kush është kreu i Këshillit të Përgjithshëm Ekonomik Kombëtar
Kryeministri Edi Rama gjatë bashkëbisedimit që zhvilloi me përfaqësues të sipërmarrjes dje në mjediset e kryeministrisë, prezantoi edhe kreun e Këshillit të Përgjithshëm Ekonomik Kombëtar, avokat Genc Boga.
Në fjalën e tij Boga tha se si avokat që është, do të vazhdojë të mbetet për biznesin edhe në këtë pozicion shtetëror. “Nuk nxis konkurrentë duke thënë kështu, por do të qetësoj klientët. Vetëm se tani përveç klientëve të mi, më është dhënë dhe një detyrë tjetër që e pranova me kënaqësi, që është detyra e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit Ekonomik Kombëtar. Cili do të jetë roli ynë, çfarë do të bëjmë ne dhe cila është ideja novatore? Zoti Kryeministër, tha që ne kemi pasur frikë të flasim. Ne kemi folur në fillim. Kam parasysh këtu Komitetin e biznesit, shoqatat, unë personalisht. Ka pasur raste që i kemi rënë dhe daulles nga pak, pasi është e pamundur që të jesh në konflikt, por e folura jonë ka çaluar nga disa gjëra”, – tha Boga.
Bogdani: Kryeministri Rama, i paaftë në çështjet e ekonomisë
Deputeti i Partisë Demokratike, Gerd Bogdani, kritikoi ashpër Kryeministrin Edi Rama një ditë më parë, duke e quajtur atë të paaftë në çështjet ekonomike. Z. Bogdani tha se Rama kur flet për ekonominë, nuk di se cilit model t’i referohet për vendin.
“Kryeministri është i paaftë në çështjet e ekonomisë. E ka vërtetuar me buxhetin e shtetit, i cili nuk parashikona asnjë investim për vitin 2014, me paketën fiskale dhe sot kur tha se nuk është rritur asnjë cent nafta. E ka vërtetuar me borxhin kur deri para 23 qershorit akuzonte qeverinë e kryeministri Berisha për borxh të lartë, ndërsa sot e ka çuar borxhin në 70-74%”, – deklaroi Bogdani për “News 24”.
Në lidhje me reformën për ndarjen e re administrative, deputeti i PD-së tha se informacioni për këtë çështje është shumë i pakët nga ana e ekzekutivit.
“Decentralizimi shkon në kundërshtim me parimet e zotit Rama. Informacioni është minimal pasi kodi i heshtjes funksionon shumë mirë për reformën e ndarjes së re administrative. Nuk ka se si të flasim për konsensus sot kur zoti Rama i ka dhënë provat se nuk do të bëjë konsensus”, – u shpreh Bogdani.
I pyetur për çështjen e devijimit të lumit Radika, Bogdani theksoi nevojën që qeveria të kontaktojë me palën maqedonase, duke hedhur idenë e kërkesës për një interpelancë në Kuvend me ministrin e Jashtëm, ose kryeministrin e vendit.
“Është një çështje që prek të dy shtetet, të dy vendet. Këtu nuk ka çështje komplekse inferioriteti, nuk ka të bëjë fare me cenim të politikës së fqinjësisë së mirë. Minimumi që duhet bërë është kërkesë informacioni ndaj palës maqedonase”, – deklaroi Bogdani.




