Florenc Drizari
Ngritja e komisionit pritet të bëhet në Kuvend pas tryezës së 6 tetorit
Presidenti Bujar Nishani dhe Kryeministri Edi Rama pritet të jenë përballë njëri-tjetrit në një tryezë diskutimesh për reformën në drejtësi që do të mbahet më 6 tetor të këtij viti. Të dyja palët janë në përfundim të draftit që do të paraqitet në këtë tryezë, ndërkohë që nga radhët e mazhorancës mësohet se ngritja e një komisioni parlamentar për reformën në drejtësi. Komisioni pritet të jetë i ngjashëm me komisionin për reformën administrativo-territoriale që përfundoi veprimtarinë e tij në fund të sesionit të shkuar parlamentar. Edhe pse nuk flitet ende për përbërjen e komisionit apo për përcaktimin e axhendës, pritet që anëtarët të jenë kryesisht nga Komisioni i Ligjeve, si dhe krerët e komisioneve të tjera parlamentare.
Nisma e mazhorancës vjen në kohën kur opozita parlamentare ka bojkotuar Kuvendin e Shqipërisë që prej mesit të korrikut, ndërsa ende nuk ka një qëndrim të qartë se kur pakica do të bëhet pjesë e debatit parlamentar.
Mësohet se në krye të axhendës së komisionit parlamentar do të jenë disa projektligje që pritet të merren në shqyrtim. Pas vendimit të pritshëm të Gjykatës Kushtetuese, do të përcaktohet edhe qëndrimi që do të mbajë mazhoranca për ligjin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ligj i cili është kundërshtuar nga KLD dhe opozita pak kohë më parë. Gjithashtu mësohet se komisioni do të marrë në shqyrtim edhe ligjin për Gjykatën e Lartë dhe ndryshimet në Kodin Penal. Reforma në drejtësi, konsiderohet si kryereforma që do t’i hapë dyert e negociatave për anëtarësim në BE Shqipërisë. Edhe në tryezën e fundit të Dialogut të Nivelit të Lartë Shqipëri-BE, komisioneri në detyrë për Zgjerimin e BE-së, Stefan Füle, në vizitën e tij të fundit në Tiranë, bëri thirrje që reforma në drejtësi të jetë gjithëpërfshirëse.
Nisma e mazhorancës për reformën në drejtësi vjen në një kohë kur Kuvendi i Shqipërisë me votat e së majtës ka miratuar edhe ngritjen e një komisioni hetimor për shkarkimin e dy anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Kjo iniciativë është etiketuar nga opozita si një tentativë për kapjen e institucionit të KLD-së nga qeveria. Ndërsa një tjetër qëndrim të ashpër ka mbajtur edhe Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, edhe në rolin e kryetarit të KLD-së. Në një intervistë të dhënë në fillim të kësaj jave, Presidenti Nishani e ka cilësuar ngritjen e komisionit hetimor parlamentar për dy përfaqësuesit e KLD-së, nënkryetarit Elvis Çefa dhe anëtarit Lulzim Lelçaj, si një lëvizje për ta vënë këtë institucion nën urdhrat e ekzekutivit. Më herët mes kreut të shtetit dhe Kryeministrit, ka pasur përplasje qëndrimesh për disa projektligje të miratuara nga mazhoranca, si dhe për dekretimin e disa prej kandidatëve në Gjykatën e Lartë.
Reforma, Rama: Respektuam vendimin e Presidentit
Pas njoftimit se kreu i shtetit do të çelë punimet e tryezës për reformën në drejtësi, Kryeministri Edi Rama deklaroi se qeveria e tërhoqi draftin e përpunuar nga ministri i Drejtësisë dhe kryetari i Komisionit të Ligjeve, në respekt të institucioni të Presidentit të Republikës. Tryeza e parë e dialogut pritet të mbahet më 6 tetor, ndërsa ende nuk dihet se cili do të jetë roli i pozitës për këtë çështje. Pas bojkotit të Kuvendit, opozita ka deklaruar se bëhet pjesë e një reformë të tillë, vetëm nëse sigurohet prania e ekspertizës ndërkombëtare dhe të faktorëve të tjerë që janë të përfshirë që preken nga kjo reformë. Reforma në drejtësi e qeverisë vjen në një situatë të tensionuar mes Kryeministrit dhe Presidentit, edhe për shkak të ngritjes së komisionit hetimor parlamentar për shkarkimin e dy anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Vjedhja në BSH/ Braçe: Golemin e thirra referuar Kushtetutës, i zhgënjyer nga Këshilli i BSH-së
Një ditë pas intervistës që dha nga burgu ish-inspektorja e Përgjithshme e Bankës së Shqipërisë, Elivar Golemi, ka reaguar edhe kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erion Braçe, duke thënë se nuk ka asnjë shkelje ligji në thirrjen që i është bërë asaj në Kuvendin e Shqipërisë. “Të gjitha janë në referencë të Kushtetutës. Asnjë nen nuk është cenuar. Është e pavërtetë që anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës kanë refuzuar të paraqiten në komision”, – u shpreh Braçe. Në intervistën e Elivar Golemit thuhet se mosraportimi në Komisionin e Ekonomisë ishte në respektim të ligjit.
Më tej ai theksoi se nuk dëshiron që të komentojë rrëfimin e një personi që është në burg. Braçe u shpreh se vjedhja në Bankën e Shqipërisë ka cenuar reputacionin e Bankës dhe besimin e shumë klientëve. “Ngjarja ishte shumë e rëndë dhe ka cenuar shumë fortë reputacionin e bankës ashtu siç ka cenuar edhe besimin e operatorëve që veprojnë në treg. Përtej politikës monetare, e cila nga një grup ekspertësh vlerësohet pozitive, gjithë procesi i administrimit të bankës ka qenë në kufijtë e shkeljeve të rënda të ligjit”, – u shpreh Braçe.
Sipas deputetit të PS-së, në Bankën e Shqipërisë ka shkelje me shpenzimet dhe kontratat. Braçe shprehet se është i zhgënjyer nga qëndrimi i Këshillit Mbikëqyrës. Sipas tij ka rëndim të situatës në Këshillin Mbikëqyrës së Bankës së Shqipërisë. “Jam i zhgënjyer nga përgjigjja e Këshillit Mbikëqyrës. Çdo gjë është bërë në kushtet e një presioni shumë të fortë dhe janë marrë vendimet për shkarkimin e guvernatorit dhe Kuvendi ka marrë një vendim teknik kur ka shkarkuar inspektoren e përgjithshme të BSH. Ka pasur agravim të situatës në Këshillin Mbikëqyrës së BSH”, – u shpreh deputeti Braçe.




