Presidenti Nishani: Reformat e nisura nuk duhet të ndërpriten
Florenc Drizari
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, lëshoi mesazhe të forta për krerët e mazhorancës së re qeverisëse që pritet të formohet në fillim të muajit shtator, për moscenimin e punës dhe reformave të nisura dhe shmangien e ndërhyrjeve politike në këto struktura.
Një ditë më parë, kreu i shtetit mblodhi në një takim pune krerët e institucioneve të pavarura si, me guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, kryetarin e Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, nënkryetarin e KLD-së, Elvis Çefa, prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla, kryetarin e KLSH, Bujar Leskaj dhe inspektoren e Përgjithshme të ILDKP, Zana Xhuka. Ndërkohë, pak ditë më parë kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, zhvilloi takime me Presidentin e Republikës dhe përfaqësues të tjetër të institucioneve të pavarura në vend. Në mbledhjen e parë të grupit parlamentar socialist, Rama kritikoi edhe punën e bërë nga krerët e këtyre institucioneve.
Ndërkaq, në këtë takim e djeshëm kreu i shtetit u bëri thirrje atyre të përballojnë me sukses demokratik e profesional tranzitimin e pushtetit politik. “Qeveria dhe Kryeministri i ri mund të kenë pikëpamjet e tyre për raportin që do të vendosin me këto institucione apo dhe për mënyrat e koordinimit që mund të kenë me ju, – tha Nishani, por baza e punës së përditshme të këtyre institucioneve sipas tij, – është e përcaktuar ligjërisht, e pavarur institucionalisht, e mbi të gjitha duhet t’i përgjigjet zërit të profesionalitetit, që kërkon t’i shërbejë pa reshtje e pa ndërprerje qytetarit, shtetit dhe atdheut”.
Ai shtoj më tej se institucionet kushtetuese të shtetit janë mekanizma të kolauduara, që funksionojnë me rendiment të kënaqshëm për të gjithë njëlloj pa marrë parasysh asnjë përkatësi të çfarëdo lloji, në përputhje me ligjin.
Sipas Presidentit të Republikës, do të ishte e dëmshme dhe kundër-produktive, stepja, apo dhe frika ndaj ndonjë revanshi që mund të mendohet ndaj krerëve të institucioneve të pavarura.
“Kjo gjë s’duhet të ndodhë jo vetëm për dinjitetin profesional dhe shtetëror që ju dhe institucionet tuaja përfaqësojnë, por kryesisht për atë rol të madh të garantit ligjor, ekonomik e kontrollues që institucionet tuaja kanë në shërbim të qytetarit dhe demokracisë shqiptare”, – deklaroi Nishani.
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, u bëri thirrje krerëve të institucioneve të pavarura të punojnë me sa më tepër devocion për një shtet real, gjithmonë bazuar tek ligji në përputhje me nevojat reale, rrethanat konkrete dhe jo bazuar tek meskiniteti dhe interesi.
“Të kemi parasysh një gjë; një njeri që nuk e dedikon plotësisht veten për detyrën që i është ngarkuar, nuk mund të ketë kurrë besimin e njerëzve”, – tha Nishani.
“Një periudhë e tillë tranzitimi është perceptuar jo shpesh në historinë e shtetit dhe demokracisë shqiptare si një kohë e mjegullt dhe e dobishme për t’u përdorur nga elementet e krimit, të çdo lloji, por veçanërisht atij ekonomik dhe korruptiv. Ndaj, jam për t’u përshëndetur institucionet e tilla si KLSH, që para disa ditësh ka publikuar masa të rëndësishme institucionale dhe ekonomike për institucione të caktuara. I njëjti ritëm duhet ruajtur dhe në institucionet e tjera kontrolluese, pasi kjo jo vetëm që krijon një ndjenjë të këndshme sigurie se shteti funksionon, por shërben si një mekanizëm i fortë frenues dhe parandalues për shkelje e keqbërje që mund të duken të padënueshme gjatë kësaj periudhe”, – deklaroi një ditë më parë Presidenti Bujar Nishani.
Rama kritikon krerët e institucioneve në mbledhjen e parë të grupit të PS-së
Në mbledhjen e parë të grupit parlamentar socialist, Edi Rama duke folur si Kryeministër i ardhshëm i vendit, prezantoi disa nga prioritetet kyçe të socialistëve në muajt e parë të qeverisjes, por edhe të kësaj periudhe “tranzicioni” deri në formimin e qeverisë së re në muajin shtator. Ai e quajti një kapitull të ri qeverisjeje marrjen e pushtetit në ditët e para të shtatorit dhe premtoi ndërtimin e një marrëdhënieje të re me institucionet e pavarura në Shqipëri. Duke folur për marrëdhënien me krerët e institucioneve të pavarura, kreu i PS-së zbardhi në vija të përgjithshme edhe disa nga pikat kryesore të bashkëbisedimeve që ka zhvilluar pak ditë më parë me Presidentin e Republikës, Bujar Nishanin, kryeprokurorin Adriatik Llalla dhe guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullanin. Për dy drejtuesit e parë, Rama shprehu kritika për ecurinë e punës së zhvilluar prej tyre në këtë periudhë.
Presidenti i Republikës Bujar Nishani takon ambasadorin e BE-së në Shqipëri, Ettore Sequi
Sequi: Shqipëria duhet të bindë skeptikët për reformat. Nishani: Jo presion politik mbi institucionet
Tri javë pas zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare dhe në kushtet e një tranzicioni politik në të cilin ndodhet Shqipëria për shkak të rrotacionit të pushteteve që pritet të ndodhë në shtator, Presidenti i Republikës Bujar Nishani zhvilloi takim me ambasadorin e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Ettore Sequi.
Ambasadori Sequi, në fillim të takimit u shpreh se procesi zgjedhor, zhvilluar në Shqipëri, ka rritur optimizmin për të ardhmen evropiane të vendit dhe se vëmendja e Brukselit është përqendruar në procesin e tranzicionit të pushteteve, në vazhdimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, vazhdimin e reformave dhe konsolidimin e drejtësisë, demokracisë dhe shtetit ligjor. Kryediplomati evropian shtoi se duhen evidentuar arritjet e deritashme dhe se duhet të vazhdojnë përpjekjet që vendi të bindë edhe skeptikët për performancën e tij në përmbushjen e standardeve të nevojshme të integrimit evropian.
Presidenti Nishani u shpreh optimist se mazhoranca e re qeverisëse do të vazhdojë me vendosmëri luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, do të përshpejtojë ritmin e reformave, theksoi se do të vazhdojë t`i ofrojë qeverisë së re bashkëpunimin e tij të plotë institucional dhe se është i mendimit që bashkëpunimi dhe bashkëpërgjegjësia respektive e të gjitha institucioneve shtetërore dhe politike mbeten elementë të rëndësishëm në konsolidimin e demokracisë dhe shtetit ligjor.
Presidenti Nishani, në përgjigje të interesimit të Ambasadorit Sequi, tha se institucionet e ligjit nuk duhet të stepen nga presionet e natyrave të ndryshme, por duhet të zbatojnë ligjin dhe se do të garantojë ruajtjen, forcimin dhe mbrojtjen e institucioneve të pavarura.





