Gestjana Musha
Topalli: Të vetmit që do të lejohen janë subjektet me licencë dhe taksapaguesit e rregullt
Policia Bashkiake e Tiranës ka vijuar dje procesin e kontrollit ndaj subjekteve private, që shfrytëzojnë hapësirat e lira publike. Trotuare të zëna nga lokalet, shitësit ambulantë janë kthyer në makthin e këmbësorëve, të cilët janë të pritje të përmirësimit të kësaj gjendjeje. Policia Bashkiake ka nisur kështu aksionin kundër çdo subjekti që vepron në kundërshtim me ligjin. Drejtori i Policisë Bashkiake, Vullnet Topalli, u bën thirrje subjekteve që kanë zënë hapësirat publike dhe shitësve ambulantë, të zbatojnë ligjin, pasi në të kundërt do të përballen me sanksione, nga gjoba deri në konfiskim të materialeve dhe mallrave të tyre. Topalli ka ftuar subjektet dhe qytetarët, të bashkëpunojnë duke zbatuar ligjin. “Siç e keni konstatuar edhe ju, pothuajse në të gjithë trotuaret e Tiranës, shitës ambulantë, me karroca, me karrige, tavolina, subjekte të ndryshme që zaptojnë trotuaret në mënyrë të paligjshme po vazhdojnë të “goditen” nga Policia Bashkiake. Aktualisht, kemi “goditur” rreth 300 subjekte, qoftë me gjobë, qoftë me konfiskime nga ana e Policisë Bashkiake. Janë raste të përsëritura, pasi kanë refuzuar të zbatojnë urdhrat e punonjësve të Policisë Bashkiake”, – pohoi kreu i policisë bashkiake. Çdo trotuar i Tiranës do të pastrohet nga subjektet e pa licencuara, për të mundësuar ecjen e lirë të qytetarëve. Nisma e policisë bashkiake do të vazhdojë jo vetëm në rrugët dhe trotuaret kryesore të Tiranës, por edhe në rrugë të ndërmjetme apo brenda blloqeve të pallateve. Shitës të ndryshëm ambulantë vazhdojnë të vendosin tavolina dhe karrige apo shesin produktet e tyre në këto trotuare. Duke qenë se Tirana ka fluks të madh lëvizjesh dhe ndërtimesh, lëvizja në të është e vështirë. “Të vetmet subjekte që do të lejohen janë ato që kanë licencë apo janë taksapagues të rregullt në Bashkinë e Tiranës. Edhe këto subjekte do të lejohen vetëm në hapësirën e lejuar për ta. Për të gjithë rastet e tjera, do të merren masa me gjobë, apo konfiskim të materialeve të tyre”, – u shpreh Topalli. Synimi i Bashkisë së Tiranës është të krijojë sa më shumë hapësirë të lirë për qytetarët, duke u garantuar kushte komode jetese sipas standardeve evropiane.
Kukës
Basha: Ndarja administrative, e domosdoshme
Këshilli i Qarkut të Kukësit, me mbështetjen e Asamblesë së Rajoneve Evropiane, zhvilloi dje në Kukës një seminar për “Decentralizimin e pushtetit lokal”. Në këtë takim u diskutua në kuadër të procesit të decentralizmit për rolin dhe përgjegjësitë e këshillave të qarqeve me të gjitha resurset e potencialet e tyre, problematikën dhe vështirësitë e zhvillimit si dhe për të ofruar mbështetjen e bashkëpunimin për projektet nga Asambleja Evropiane. Në këtë takim ka qenë i pranishëm edhe kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, i cili theksoi se është domosdoshmëri ndarja e re administrative. Ndërsa presidentja e Asamblesë së Rajoneve Evropiane, Hande Ozsan Bozatli, vuri në dukje rëndësinë dhe angazhimin e këtij institucioni me qëllim ndërtimin dhe ngritjen e projekteve me të cilat funksionojnë rajonet e BE-së edhe për qarqet e Shqipërisë.
Sarandë
Bashkia, masa ndaj ndërtimeve pa leje
Saranda po kthehet në një kaos urbanistik, falë ndërtimeve pa leje të bëra aty. Rreth 20 ndërtime pa leje janë ngritur gjatë ditëve të fundit në qytetin e Sarandës, në kundërshtim me ligjin. Stefan Çipa, kryebashkiaku i Sarandës, në një konferencë për shtyp ka bërë publike situatën e krijuar, e cila e prish imazhin e Sarandës pikërisht në pikun e sezonit turistik. Ndërtime pa leje kanë vazhduar pa kurrfarë shqetësimi për prishjen e tyre, numri i tyre është alarmant. Ndërtimet pa leje kanë nisur pas 23 qershorit duke shfrytëzuar situatën zgjedhore. Në fjalën e tij kryetari i bashkisë Stefan Çipa është shprehur se është hequr ligji i moratoriumeve por nuk është hequr ligji i çekiçëve. Bashkia e Sarandës gjatë kësaj periudhe po has vështirësi me personat që injorojnë dhe sfidojnë ligjin haptazi. Objekte të shumta mbi kolektorët e kanalizimeve, kolona betoni të hedhura në det, shtesa katesh pothuajse në çdo pallat, është pamja që në këto ditë vere Saranda po iu ofron turistëve vendas apo te huaj.
Durrës
Ujërat e zeza, problem për pushuesit
Ujërat e zeza vazhdojnë të ndotin plazhin e Durrësit nga Shkëmbi i Kavajës e deri në Currila, nga mosfunksionimi i kolektorit të ri të për ujërat e zeza. Këto ujëra po ndotin gjithnjë e më shumë bregdetin e Adriatikut. Sipas kontratës, kolektori duhet të përfundonte në shtator të vitit 2012. Projekti që kap vlerën e 12 milionë eurove është financuar nga komuniteti evropian dhe qeveria shqiptare. Zona e plazhit në Durrës aktualisht funksionin me kolektorin e vjetër të ndërtuar në vitet ’70 për një numër pushuesish rreth 30 mijë në total. Problemet me ndotjen janë të mëdha, pasi shumë hotele funksionojnë ende me gropa septike dhe në mbrëmje e në mëngjes me tubat e shtrirë në thellësi të rërës i dërgojnë ujërat e zeza direkt në det. Në krahun tjetër në Durrës është vënë në funksion një investim prej 11 milionë eurosh. Bëhet fjalë për impiantin e ujërave të zeza në Shënvlash, i cili duhet të përpunojë ujërat e zeza të të gjithë zonës bregdetare dhe të qytetit të Durrësit, dhe më pas t’i derdhë të pastra në det. Projektet të cilat nuk janë vënë end enë zbatim duke bërë që ujërat e zeza të vazhdojnë të derdhen në det tek shëtitorja “Taulantia”. Një problem mjaft shqetësues ky për të gjithë pushuesit në plazhin e Durrësit.




