Artur Bego
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në shkollën e mesme “Hamdi Rrapaj” të fshatit Gjorm në rrethin e Vlorës. Një dashuri e refuzuar ka bërë që një 17-vjeçar të qëllojë me armë bashkëmoshataren e tij, duke e lënë të plagosur. Ngjarja ndodhi rreth orës 10:00 në kohën e pushimit të madh brenda ambienteve të shkollës. Autori i dyshuar i ngjarjes, mësohet se është dhe djali i një prej mësueseve të shkollës dhe nipi i drejtorit të po kësaj shkolle. Fati duket se ka ndihmuar adoleshenten, e cila në momentin që ka tentuar të largohet me vrap, është ndihmuar edhe nga bllokimi i pistoletës së bashkëmoshatarit të saj agresor.
Ngjarja
Sipas dëshmive, mësohet se Aldo Arishja, autori i dyshuar i ngjarjes, është djali i një prej mësueseve të shkollës dhe nipi i drejtorit të kësaj shkolle. Kjo e ka favorizuar atë, që të hynte lirisht në mjediset e brendshme të saj, i armatosur. Kështu ka bërë edhe dje, ndërsa është takuar me bashkëmoshataren e tij në një nga klasat boshe të shkollës. Gjatë këtij takimi, dy të rinjtë, Emilja Totaj, 17 vjeçe, dhe Aldo Arishja, u konfliktuan ashpër midis tyre për motive banale. Gjatë këtij debati, bashkëmoshatari 17-vjeçar nxori pistoletën dhe e qëlloi me plumb në kokë dhe në shpatull adoleshenten. Më pas autori u largua nga vendngjarja për t’u arrestuar pak orë më vonë në rrethinat e fshatit Gjorm. Mësohet se autori u ka treguar forcave të policisë edhe vendin ku ka hedhur pistoletën. Menjëherë 17-vjeçarja e plagosur Emilja Totaj u dërgua në spitalin e Vlorës, ku iu nënshtrua ndërhyrjes dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Dëshmitarët
Dëshmitarët në momentin e ngjarjes zbardhin disa detaje të saj. Sipas tyre, mësohet se në momentin e debatit, Aldoja e ka shtyrë Emiljan, e cila me vrap ka tentuar të largohet. Ky ka qenë edhe çasti që ai ka qëlluar mbi të dy herë me pistoletë, duke e goditur shkarazi në kokë e në shpatull. Të njëjtët dëshmitarë tregojnë se bllokimi i pistoletës i ka mundësuar vajzës të largohej e të kërkonte ndihmë.
Të tjerë dëshmitarë tregojnë se autori, 17-vjeçari Aldo Arishja, ishte person problematik. Sipas të njëjtit dëshmitar, ai ka përfituar për t’i njohur vetes të drejtën të hynte lirisht i armatosur në mjediset e shkollës, nga fakti që ishte i biri i njërës prej mësueseve dhe nipi i drejtorit të shkollës.
Policia
Ngjarjen e ndodhur në shkollën e mesme “Hamdi Rrapaj” në fshatin Gjorm e ka konfirmuar edhe polica lokale, e cila ka dhënë edhe disa hollësi të tjera. Sipas policisë, mësohet se pas veprimeve të shpejta procedurale, “ka rezultuar se shtetasi Aldo Arshija, 17 vjeç, së bashku me shtetasen Emilja Totaj, 17 vjeçe, kanë shkuar për të biseduar në lidhje me disa mosmarrëveshje që kishin, në katin e dytë të ndërtesës së shkollës ‘Hamdi Rrapaj’ në një ambient (klasë e boshatisur) që nuk përdorej për mësimdhënie. Si rezultat i mosmarrëveshjeve dhe konfliktit që kishin me njëri-tjetrin shtetasi Aldo Arishja, e ka qëlluar shtetasen Emilja Totaj, me armë zjarri tip pistoletë ‘Zastava’, të cilën e posedonte pa leje duke e plagosur në kokë. Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore nga strukturat e Policisë Vlorë është bërë e mundur që brenda një kohe të shkurtër të identifikohet dhe arrestohet në flagrancë autori i dyshuar i ngjarjes shtetasi Aldo Arishja si dhe të kapet dhe sekuestrohet arma e krimit, të cilën autori i dyshuar e kishte hedhur gjatë rrugës në përpjekje për t’i shpëtuar arrestimit. Aktualisht e dëmtuara është në Spitalin Rajonal Vlorë jashtë rrezikut për jetën”.
Motivet
Lidhur me këtë ngjarje, dëshmitarët dhe policia e Vlorës ka zbardhur shkakun e plagosjes së adoleshentes në shkollën e mesme në fshatin Gjorm. Lidhur me shkakun, mësohet se i dyshuari prej disa kohësh i kishte shprehur dashurinë e tij 17-vjeçares Emilja Totaj, por kishte marrë prej saj refuzimin. Jo vetëm kaq, por, e bezdisur prej ngacmimeve të tij, u ka treguar familjarëve. Në këto kushte, mësohet se vëllai i adoleshentes i ka dërguar fjalë të dyshuarit që mos t’i afrohej motrës së tij. I irrituar nga ndërhyrja e vëllait të saj, autori ka shkuar në shkollë dhe ka nisur një sherr me të. Pas fjalëve të ndërsjella, i riu ka nxjerrë një pistoletë, duke e plagosur bashkëmoshataren e tij.
Sipas dëshmitarëve, mësohet se adoleshentja njihej si një vajzë e urtë dhe me rezultate të shkëlqyera. Ndërsa për 17-vjeçarin Aldo Arishja banorët thonë se ishte problematik dhe vinte çdo ditë i armatosur në shkollë, pasi ishte djali i mësueses dhe nipi i drejtorit të shkollës.
Flasin dëshmitarët/ “Gjormi, i mbushur me të rinj të armatosur e problematikë”
Çuman Shenaj, anëtar i kryesisë së pleqësisë në fshatin Gjorm, ka folur dje për mediat, duke dhënë hollësi për ngjarjen, ku mbeti e plagosur adoleshentja brenda mjediseve të shkollës.
Sipas Shenajt, mësohet se 17-vjeçari ka qëlluar me dy plumba në mjediset e brendshme të shkollës dhe më pas ka qëlluar edhe në oborr. Djali ka qenë problematik, tregon Shenaj, por sipas tij, nuk është i vetmi në fshatin Gjorm, pasi ai shprehet se njerëzit lëvizin të armatosur.
Drejtoria Arsimore Rajonale e Vlorës merr masa/ Shkarkohet drejtori i shkollës dhe nëna e agresorit
Drejtoria Arsimore Rajonale e Vlorës ka larguar nga puna drejtorin dhe një mësuese të shkollës së mesme “Hamdi Rrapaj” të fshatit Gjorm të rrethit të Vlorës, ndërsa ka pezulluar një tjetër mësuese. Ministria e Arsimit dhe Sportit ka bërë të ditur dje masat që janë marrë ndaj mësuesve të kësaj shkolle. Në një njoftim zyrtar të saj, Ministria bën të ditur se “ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, pasi mori informacionin nga strukturat e shëndetësisë ka komunikuar me familjarët e vajzës, duke i siguruar se vajza është jashtë çdo rreziku për jetën. Ministrja e Arsimit dhe Sportit i ka kërkuar Drejtorisë Rajonale Vlorë të ndalet me përgjegjësi tek ky rast i rëndë dhe të marrë të gjitha masat. Drejtoria e Arsimit Vlorë ka marrë masat si më poshtë: Largim të menjëhershëm nga puna të drejtorit të shkollës E. A.; Largim të menjëhershëm nga puna të mësueses D. A. dhe vërejtje me paralajmërim për mësuesin D. Z.”.
Pogradec/ Shembnin ndërtesën pa leje, vdes një, plagosen dy të tjerë
Një person ka vdekur, ndërsa dy të tjerë kanë mbetur të plagosur gjatë punës për prishjen e një ndërtese trekatëshe në Lin të Pogradecit. Ngjarja ka ndodhur dje, në Piskupat, rreth orës 12:05, në ndërtesën bar-restorant “Leon” buzë liqenit të Ohrit.
Sipas policisë lokale, mësohet se viktima është identifikuar si Ervin Shkira, 20 vjeç, banues në Lin, ndërsa të plagosur kanë mbetur Astrit Korani, 37 vjeç, banues në Përrenjas, dhe Vangjel Taho, 40 vjeç, banues në Pogradec. Mësohet se pas afatit treditor, që INUK i kishte pronarit për ta prishur ndërtesën, ky kishte punësuar për ta shembur ndërtesën dy punonjës dhe kamerierin e lokalit. Kjo ka rezultuar fatale për të rinjtë, duke sjellë vdekjen e njërit prej tyre dhe plagosjen e dy të tjerëve. Burime nga policia bëjnë me dije se gjatë prishjes së ndërtesës, punëtoret duhet të mblidhnin edhe hekurat në strukturën e ndërtesës. Të dëmtuarit ndodhen në spital në gjendje të rëndë. U ngrit grupi hetimor për të kryer veprimet, bëhet e ditur nga policia. Pronari i objektit si dhe 6 persona, të cilët punonin për shembjen e katit pa leje, u shoqëruan në polici dhe u morën në pyetje për ngjarjen.




