Nga 1 marsi deri në 31 gusht 2013/ Falen gjobat e marra nga biznesi, zbardhet procedura e rimbursimit. Ja kush përjashtohet

Gëzim Saliu

 

Falen bizneset që janë dënuar me gjobë administrative për punonjës të padeklaruar apo të deklaruar me vonesë, për mosinstalim të pajisjeve fiskale apo moslëshim të kuponit tatimor

 

fabrike tullash Anulohen të gjitha gjobat e marra nga biznesi gjatë periudhës 1 mars deri në 31 gusht 2013. Përmes një vendimi të marrë në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave, qeveria ka vendosur të falë gjobat e marra nga biznesi në këtë periudhë, ku përfshihen ato për gjobë administrative për punonjës të padeklaruar, për mosinstalim të pajisjeve fiskale apo moslëshim të kuponit tatimor. “Ky ligj parashikon faljen e gjobave të vendosura, si pjesë e detyrimit tatimor, nga administrata tatimore ndaj tatimpaguesve, të evidentuara dhe të kontabilizuara në regjistrat tatimorë për periudhën 1 mars deri më 31 gusht 2013. Përfitojnë nga ky ligj të gjithë tatimpaguesit, persona fizikë dhe juridikë, të regjistruar në administratën tatimore dhe që janë debitorë për detyrimet tatimore”, thuhej në vendim.

 

Gjobat

Sipas vendimit të qeverisë, do të falen gjobat e vendosura si pjesë e detyrimit tatimor që janë të evidentuara sipas datës së nxjerrjes së njoftimvlerësimit (akti administrativ) ose të kontabilizuara në regjistrat e administratës tatimore gjatë periudhës 1 mars deri më 31 gusht 2013, ndaj tatimpaguesve, persona juridikë apo persona fizikë, të regjistruar në administratat tatimore. “Falen gjobat e vendosura, të cilat, në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë ankimuar dhe janë në proces ankimimi administrativ apo në proces gjyqësor. Të gjithë tatimpaguesit që janë dënuar me gjobë administrative për punonjës të padeklaruar apo të deklaruar me vonesë, për mosinstalim të pajisjeve fiskale apo moslëshim të kuponit tatimor ose moslëshim të biletave, u falen shumat e gjobave të vendosura”, sqaron qeveria në vendimin e saj. Por ndërkohë nga kjo falje ka edhe përjashtime, ku përfshihen masa e tatimit dhe kamatëvonesat. “Përjashtohen nga falja, gjobat e parashikuara në nenin 3, të këtij ligji, të cilat janë të llogaritura dhe të regjistruara automatikisht nga sistemi informatik i tatimeve për shkak të shkeljeve të dispozitave të ligjit nr. 9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”. Ndërkohë që vendimi bën të ditur edhe procedurën e rimbursimit të gjobave të paguara . “Subjekteve që kanë bërë pagesat e gjobave, të përcaktuara në nenin 3, të këtij ligji, u rimbursohen në masën 100% shumat e paguara të gjobave, sipas radhës së datës së pagesës së bërë”, – theksohet në vendim. Ndërsa sa i përket procedurës së shuarjes së detyrimeve të falura nga ligji i ri, qeveri bën të ditur: “Brenda 5 (pesë) muajve pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, administrata tatimore fshin dënimet administrative të falura sipas këtij ligji dhe bën pasqyrimet konkrete të fshirjes në regjistrat e saj”. Lidhur me vendimin e djeshëm të qeverisë, ministri i Ekonomisë Arben Ahmetaj tha se ai përbën një hap të rëndësishëm përpara në marrëdhënien qeveri – biznes. “Ky vendim vazhdon trendin pozitiv për ekonominë, që këto ditë është treguar nga marrëveshja e arritur me FMN për programin dhe rritja e ndjeshme e të ardhurave për administratën tatimore dhe doganore. Ne jemi të ndërgjegjshëm që ky është një moment kyç për fatin ekonomik të vendit. Kemi premtuar se do ta ndryshojmë për mirë klimën e biznesit dhe se do ti ngremë marrëdhëniet me sipërmarrjen në një nivel tjetër”, – tha Ahmetaj.

Kush përjashtohet nga falja

 -Përjashtohen nga falja e çdo dënimi administrativ (gjobës), masa e tatimit dhe kamatëvonesat

-Përjashtohen nga falja gjobat të cilat janë të llogaritura dhe të regjistruara automatikisht nga sistemi informatik i tatimeve për shkak të shkeljeve të dispozitave të ligjit nr. 9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

 

Procedura për rimbursimin e gjobave dhe shuarjen e detyrimeve të falura

 Rimbursimi

-Subjekteve që kanë bërë pagesat e gjobave u rimbursohen në masën 100% shumat e paguara të gjobave, sipas radhës së datës së pagesës së bërë

Shuarja e detyrimeve të falura nga ky ligj

Brenda 5 (pesë) muajve pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, administrata tatimore fshin dënimet administrative të falura sipas këtij ligji dhe bën pasqyrimet konkrete të fshirjes në regjistrat e saj

 

 

 

Unaza e madhe/Shpronësim për banorët e “Komunës së Parisit” dhe Rrugës së Kavajës, masa e kompensimit

 Zbardhet vendimi: Data kur nis procesi i kompensimit, procedura e likuidimit

Qeveria ka vendosur të shpronësojë për interes publik pronarët e pasurive të paluajtshme që preken nga ndërtimi i Unazës së Madhe të Tiranës, ku përfshihen banorët e Komunës së Parisit dhe ato të Rrugës së Kavajës. Në këtë vendim bëhet e ditur se vlera e përgjithshme e shpronësimit për tokë, objekte dhe kultura bujqësore, do të jetë 891 294 437 (tetëqind e nëntëdhjetë e një milionë e dyqind e nëntëdhjetë e katër mijë e katërqind e tridhjetë e shtatë) lekë. “Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës së kompensimit përkatës, për tokë, me vlerë 447 730 031 (katërqind e dyzet e shtatë milionë e shtatëqind e tridhjetë mijë e tridhjetë e një) lekë, për objekte, me vlerë 442 002 906 (katërqind e dyzet e dy milionë e dy mijë e nëntëqind e gjashtë) lekë, dhe për kultura bujqësore me vlerë 1 561 500 (një milion e pesëqind e gjashtëdhjetë e një mijë e pesëqind) lekë”, – thuhej në vendim, duke ngarkuar Autoritetin Rrugor Shqiptar që të përballojë shpenzimet. “Vlera e përgjithshme e shpronësimit për tokë, objekte dhe kultura bujqësore, prej 891 294 437 (tetëqind e nëntëdhjetë e një milionë e dyqind e nëntëdhjetë e katër mijë e katërqind e tridhjetë e shtatë) lekësh, të përballohet nga buxheti i miratuar për vitin 2014, për Autoritetin Rrugor Shqiptar”. Më tej, qeveria bën të ditur se shpronësimi do të fillojë në datën 10 mars 2014, duke theksuar se pronarët e pasurive për të cilat është bërë shënimi “Konfirmuar nga ZVRPP-ja”, do të likuidohen, për efekt shpronësimi, në bazë të dokumentacionit të plotë të pronësisë, që do të dorëzojnë pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar. “Të gjithë pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që janë në listat e shpronësimit, të likuidohen pasi të kenë paraqitur dokumentacionin e plotë të pronësisë nga ZVRPP-ja, Tiranë. Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Tiranë, në bashkëpunim me Autoritetin Rrugor Shqiptar, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi të fillojnë procedurat për hedhjen e trupit të rrugës në hartat kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit që do t’u vihet në dispozicion nga Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe, me fillimin e procesit të likuidimit, të fillojë dhe procesi i kalimit të pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të shtetit”, – theksohej në vendimin e qeverisë.

 

 

 

 

Share it :