Kreu i shtetit: Ligj organik për Presidencën, data e zgjedhjeve brenda afatit, nga mesi i dhjetorit
Kreu i shtetit do të nisë konsultimet përfundimtare për zgjedhjen e guvernatorit të ri të Bankës së Shqipërisë, ku ditën e nesërme ka thërritur në Presidencë krerët e mazhorancës, Edi Rama dhe Ilir Meta si edhe kryetarin e opozitës Lulzim Basha. Konsultat do të nisin në orën 09:00 të mëngjesit dhe pritet që takimet mes Presidentit dhe palëve të zgjasin deri në 45 minuta. Po ashtu pas këtyre takimeve paraditen e nesërme, kreu i shtetit ka thirrur një takim tjetër në darkë, ku mësohet se diskutimi do të fokusohet dhe në çështje të tjera të mprehta, si reforma në drejtësi apo edhe ngërçi i dekreteve për Gjykatën e Lartë. Takimet konsultative me krerët e politikës shqiptare, Presidenti i konfirmoi dje edhe në një intervistë për “ABC News”, ku tha se e drejta ekskluzive e zgjedhjes së emrit të ri për guvernatorin e Bankës i takon kreut të shtetit. “Gjithsekush dhe çdo institucion është i qartë në lidhje me përcaktimet kushtetuese dhe tagrin kushtetues të çdo institucioni tjetër dhe mbetem besimplotë që kjo do respektohet nga çdo lloj pushteti dhe institucioni tjetër në vend. Është një proces, i cili do të konkludohet së shpejti. Unë kam pasur një informacion të bollshëm mbi kapacitetet që ne kemi për drejtimin e Bankës së Shtetit Shqiptar. Kam parashikuar që ditën e enjte të thërras për konsultë kreun e Parlamentit, kreun e qeverisë dhe kreun e opozitës”, – tha Nishani duke konfirmuar se procedura e zgjedhjes së guvernatorit është mjaft e qartë në Kushtetutë dhe se kriteret janë gjithashtu të qarta në ligj. “Nuk ka arsye apo nevojë për procedura ekstra kushtetuese apo ekstra ligjore. Çështja e guvernatorit të Bankës së Shqipërisë ishte një çështje që erdhi në mënyrë të panatyrshme në vëmendjen e opinionit publik dhe në realitetin institucional shqiptar. Në kontekstin e zbatimit të Kushtetutës dhe prospekt të ligjit, Presidenti i Republikës si autoriteti i vetëm kushtetues që do të propozojë emrin e guvernatorit, është thellësisht dhe realisht i angazhuar me seriozitetin maksimal në këtë proces”, – tha Nishani.
Debatet me mazhorancën
Lidhur me debatet e shumta mes Presidencës dhe mazhorancës, referuar edhe ngërçit të ripërsëritur të dekreteve për Gjykatën e Lartë, Presidenti tha se zgjidhja është fare e lehtë. “Çdo institucion të respektojë Kushtetutën jo vetëm frymën, por edhe germën e saj. Të respektojë ligjin dhe të respektojë pushtetet e tjera. Natyrisht, nëse do të kishim një rast të tillë kur mazhoranca do t’i thoshte Presidentit – ‘ky është emri që duhet të sjellësh’ – atëherë ka rënë integriteti, në radhë të parë, i institucionit të Presidentit të Republikës. Së dyti, është çmontuar Kushtetuta e vendit. Dhe së treti, është bërë “de facto” e kundërta e asaj e cila është përcaktuar “de jure” në legjislacionin e vendit”, – tha kreu i shtetit. I pyetur në intervistë nëse ka nevojë edhe institucioni i Presidentit për një ligj organik, Nishani tha: “Çështja e ligjit për Presidentin e Republikës është prej kohësh një domosdoshmëri dhe, për fat të keq, Shqipëria është i vetmi vend në Evropë, madje edhe shteti më i ri i saj, Kosova, e ka tashmë një ligj për Presidentin e Republikës. Shqipëria është i vetmi vend që nuk ka një ligj të tillë. Prej më shumë se një vit e gjysmë është depozituar në Ministrinë e Drejtësisë një projekt. Ky projekt me sa di unë ka mbetur në sirtarët e Ministrisë së Drejtësisë”. Po ashtu Presidenti foli edhe lidhur me debatin me mazhorancës sa u përket kandidatëve për ambasadorë, ku theksoi se i vetmi institucion që është cenuar në këtë proces nga pikëpamja formale, është ai i institucionit të Presidentit të Republikës dhe askush tjetër. “Ka pothuajse gati një vit, tani po mbushet, që është liruar me propozim të qeverisë ambasadori ynë në Izrael dhe ende nuk ka një propozim për emërimin e ambasadorit të ri të Shqipërisë në Izrael, në një kohë që marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Izraelit, – mora si shembull këtë rast, – janë intensifikuar”, – u shpreh Presidenti. Ndërkaq i pyetur se kur do të shpallë datën e zgjedhjeve vendore të 2015-ës, Nishani tha: “Ka përcaktime mjaft të qarta ligjore, të cilat e kanë përcaktuar mirë se kur Presidenti do të caktojë datën e zgjedhjeve. Afati përfundimtar është diku nga mesi i dhjetorit, në mos gaboj”.
Përballja në Kushtetuese për ILDKP-në/ Heqja e kompetencave të Presidentit, Kristo-qeverisë: Ku thuhet në Kushtetutë se i përket Kuvendit
Heqja e kompetencave të Presidentit në propozimin e kreut të ILDKP-së ka sjellë përballjen e radhës dje mes mazhorancës dhe opozitës në Gjykatën Kushtetuese. Juristët demokratë kanë kërkuar shpalljen si të papajtueshëm me Kushtetutën, nenin që ia kalon kuvendit të drejtën për të propozuar dhe zgjedhur inspektorin e Përgjithshëm “Duhet të theksohet se dhënia apo heqja e kompetencave ligjore të Presidentit nuk është dhe nuk mund të jetë i ndërvarur nga vullneti i shumicës parlamentare në një moment të caktuar. Ajo varet vetëm nga organizimi shtetëror kushtetues dhe diktohet nga parimet kushtetuese”, – tha Ivi Kaso. Ndërkohë që juristët e mazhorancës kanë argumentuar se kreu i shtetit nuk mund të ketë asnjë kompetencë tej atyre që burojnë nga Kushtetuta. Në ndërhyrje në këtë diskutim, anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Vladimir Kristo, pyeti përfaqësuesin e qeverisë se në cilin nen të Kushtetutës thuhej se kjo zgjedhje duhet të bëhet nga Kuvendi. “Ju më thoni që ky rol i Presidentit është antikushtetues ose ky pozicion i tij është antikushtetues, meqenëse Kushtetuta nuk ia jep; po atëherë po ju them unë, pse qenka në përputhje me Kushtetutën që duhet ta bëjë Kuvendi këtë, më thoni një dispozitë ku thuhet, që Kuvendi i Republikës së Shqipërisë emëron kryetarin e ILDKP-së”, – pyeti Kristo. Në përgjigje të tij, Alban Brati theksoi se “bindës ose jo ne argumente duhet të jetë kërkuesi, jo subjekti i interesuar, i cili e ka bërë këtë ndryshim dhe e ka pasqyruar në relacione, po mban qëndrimin e tij, qe është që ndryshimi i këtij ligji nuk cenon asnjë prej kompetencave të Presidentit”. Sipas Presidentit, që e ktheu mbrapsht ligjin dhe opozitës me ndryshimin në ligj, mundësia për përzgjedhjen e një kandidature politike në këtë funksion është shumë e madhe, duke ditur se Kuvendi ka një shumicë politike të caktuar që dikton edhe përbërjen e qeverisë.
Debatet mes të majtëve, Komisioni i Jashtëm mbyll dyert në diskutimin për ambasadorët
Komisioni i Politikës së Jashtme mbylli dje dyert për mediat, pas seancës dëgjimore me dy kandidatë për ambasadorë, Kastriot Robo në Mbretërinë e Danimarkës dhe Ilir Tepelena në Republikën e Rumanisë. Kryetarja e këtij Komisioni, Arta Dade, pas dëgjesës së dy kandidaturave, në pjesën e diskutimit të tyre, e cila shoqërohet me pyetje përgjigje mes anëtarëve të komisionit dhe kandidaturave, duke marrë edhe konsultimin me deputetët e pranishëm, ka vendosur të mbyllë dyert për mediat për të vazhduar pjesën e mbetur të mbledhjes pa kamera. Ky skenar është përsëritur më parë edhe në seancën dëgjimore me kandidatët për ambasadorë në Arabinë Saudite dhe në Rusi. Ndërkaq, në mbledhjet e kaluara seancat dëgjimore me kandidatët për ambasadorë janë zhvilluar gjithmonë të hapura dhe media ka qenë e pranishme në to deri në fund të diskutimit. Me sa duket, strategjia e re lidhet me kundërshtitë dhe kritikat e disa prej anëtarëve të majtë të këtij Komisioni për një pjesë të kandidatëve të përzgjedhur nga qeveria e direkt nga kryediplomati Bushati. Kështu, kundërshti ka pasur ndaj kandidatëve për ambasadorë në Katar, Edmond Çaça si edhe më parë kandidatura e Ermir Gjinishit në Emiratet e Bashkuara. Ndërkaq, opozita ka shprehur me kohë kritikën ndaj kandidatëve për ambasadorë të qeverisë, ku sipas saj nga 15 ambasadorë të propozuar, 8 ishin kandidatura politike.
Dëgjesa
Ndërkohë, në nisje të seancës dëgjimore, kryetarja e Komisionit të Politikës së Jashtme, Arta Dade, i bëri thirrje opozitës, që t’i japë fund bojkotit parlamentar dhe të marrë pjesë në Kuvend. “Do kishim dëshirë që të ishin të pranishëm se kanë ngritur shqetësime për zbatimin e ligjit për shërbimin e jashtëm, dhe realisht në të gjitha seancat ku opozita nuk ka qenë qe pranishme ne kemi bërë seanca dëgjimore me kandidatë për ambasadorë që vijnë vetëm nga shërbimi diplomatik, në respekt edhe të ligjit. I tillë është rasti edhe sot”, – tha Dade. Duke vijuar më pas me mbledhjen, dy kandidatët për ambasadorë paraqitën prioritetet që do të kenë në misionet e ardhshme diplomatike. Pas dëgjesës, Dade vlerësoi kandidaturat dhe shtoi: “Sipas rregullit që e kemi vendosur tani për seancat dëgjimore, nuk e di kolegë si mendoni të vazhdojmë me seancë pa media apo… të vazhdojmë pa praninë e medias”. Ndërkaq, disa ditë më parë, kreu i shtetit firmosi pas propozimit të Kryeministrit Rama, lirimin nga detyra të diplomatit Gilbert Galanxhi, ambasador në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, rezident, si dhe në Shtetet e Bashkuara të Meksikës, në Republikën e Panamasë dhe në Republikën Dominikane, jorezident. Ndërkohë, mazhoranca ka propozuar për postin e ambasadorit në SHBA Floreta Luli-Faber, drejtore Ekzekutive e Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri, për të cilin Presidenti ende nuk ka marrë një vendim.




