Nëpunësi Civil/ PD: Qeveria po mban peng vendimin e Kushtetueses, do ta anullojë me ligj

Gëzim Saliu

 

Bylykbashi: Ligji detyron QBZ-në që të botojë vendimin brenda 10 ditësh, vepër penale që ndëshkohet

 

BylykbashiPartia Demokratike denoncon mbajtjen peng dhe bllokimin nga qeveria të vendimit të Gjykatës Kushtuese të datës 5 Shkurt, që e konsideroi antikushtetues aktin normativ për ligjin e “Nëpunësit Civil”. Deputeti i PD-së Oerd Bylykbashi deklaroi dje se Kushtetuta përcakton që vendimi hyn në fuqi pasi botohet në fletoren zyrtare e sipas tij ai po mbahet peng me qëllimin e vetëm që të mos marrë fuqi ligji, derisa mazhoranca të miratojë anullimin e vendimit.  “ Kushtetuta përcakton se vendimi hyn në fuqi pasi botohet në Fletoren Zyrtare. Ligji detyron Qendrën e Botimeve Zyrtare ta botojë atë brenda 10 ditësh. Gjykata Kushtetuese e ka dërguar vendimin të zbardhur që në datë 5 Shkurt. Sot kanë kaluar 8 ditë nga skadimi i afatit më datë 15 shkurt, dhe vendimi vazhdon të mbahet peng me urdhër të Kryeministrit. Ndërkohë janë botuar akte me datë më të vonshme se vendimi i Gjykatës. Qëllimi i vetëm është që ky vendim të mos marrë fuqi deri sa mazhoranca të miratojë ligjin që anulon vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Ndërkohë që mijëra vetë janë larguar nga puna në mënyrë antikushtetuese, qeveria vazhdon me largimet e paligjshme me pretendimin se vendimi i Gjykatës nuk ka hyrë në fuqi”, tha ligjvënësi demokrat.

 

Reagimi

Duke bërë të ditur arsyet e vërteta sipas opozitës për vonesën e publikimit të vendimit të Kushtetueses për aktin normativ, deputeti demokrat tha se ky akt përbën një shkelje të ligjit e si i tillë, theksoi Bylykbashi, do sjellë përgjegjësi penale për personat përgjegjës.  “Kjo është një pengmarrje mafioze e shtetit, ligjit dhe gjykatës nga kryeministri Rama. Ky akt është përdhosja më e rëndë ndaj Gjykatës Kushtetuese dhe gjyqësorit në përgjithësi. Kjo pengmarrje e vendimit të gjykatës përbën vepër penale dhe dënohet nga Kodi Penal. Përgjegjësi direkte për këtë mban drejtoresha e Qendrës së Botimeve Zyrtare dhe ministri i Drejtësisë që e ka atë në varësi. Partia Demokratike siguron personat përgjegjës direkt, por edhe urdhëruesit e tyre, që ne do të kërkojmë deri në fund drejtësi për këtë skandal të paprecedent”, tha ai. Më 30 shtator të vitit 2013, qeveria miratoi aktin normativ që shtynte efektet e ligjit “për Nëpunësin Civil”, të votuar me konsensus mes palëve, deri me 1 prill. Në atë kohë, akti normativ i qeverisë u publikua brenda 24 orëve në fletoren zyrtare, ku ndërkohë ndryshe po ndodh me vendimin e Gjyaktës Kushtetuese, i cili e rrëzoi këtë akt. Qëndrimi i qeverisë pas zbardhjes së vendimit që rrëzoi aktin normativ si antikushtetues  u bë i ditur nga ministrja për Inovacionin dhe Administratën Milena Harito e cila pohoi se: “Akti Normativ i Qeverisë për Nëpunësin Civil është në fuqi derisa vendimi i Gjykatës Kushtetuese të botohet në Fletoren Zyrtare”. Ndërkohë në mbledhjen e një jave më parë të qeverisë, u vendos projektligji për ndryshimin e ligjit të Nëpunësit Civilë, në të cilin përcaktohej se cilat do të ishin hapat që do të ndermerren  në rastet e punonjësve të administratës që largohen nga puna për shkak të riksontruksionit apo mbylljes së institucionit. Opozita e ka kundërshtuar  haptas këtë projektligj, duke theksuar se përmes saj qeveria synon që në administratë të mos ketë nëpunës që gëzojnë statusin civil.

 

 

Shkarkimet

Papa: Vetëm në Korcë janë larguar nga puna 270 punonjës

Kryetari i PD-së në Korçë Gjergji Papa paraqet shifrat e të larguarve nga puna në këtë qytet, duke pohuar se është duke e zhvilluar një situatë spastrimi nga të majtët. “Më tepër se 270 punonjës të administratës publike në Korçë janë larguar nga puna vetëm në 4 muajt e fundit”, tha ai. Ndërkohë të larguarve nga puna, Partia Demokratike u ka garantuar mbështetje në asistencë ligjore falas nëpërmjet strkturave të saj e ndërsa vetë të shkarkuarit janë mbledhur pak ditë më parë në një shoqatë. Sipas tyre janë 4000 persona, të cilët kanë punuar në administratë dhe janë larguar nga puna kur në qeverisje erdhi e majta.

 

Përplasja

PD: Tahiri i lidhur me personin që transporti 1 ton drogë. Ministria: Po inukurajoni krimin

Partia Demokratike akuzon ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri për lidhje me personin e arrestuar dy ditë më parë, i cili drejtonte kamionin, ku u gjet një sasi prej 1 ton drogë e llojit kanabis. Deputeti Flamur Noka deklaroi se, Ardjan Serezi, punonjës i policisë së shtetit, i emëruar nga qeveria aktuale, ka precedentë penalë. “I ndaluari i djeshëm, banor i kombinatit njihet për raportet e ngushta që ka me Tahirin, veçanërisht në fushatën e fundit elektorale, ku shërbente edhe si shoqërues i Ministrit të Brendshëm. Duke përgëzuar forcat e Policisë së Gjirokastrës për aksionin e djeshëm, PD denoncon edhe një herë rilindjen në policinë e shtetit të personave të lidhur me krimin dhe me trafikun e drogës. Sasia e frikshme e drogës e kapur dje, dhe mënyra e maskimit të njeriut të afërt të z.Tahiri, tregon qartë se me Rilindjen në vendin tonë, linjat e trafikut të drogës të lidhura direkt me ministrin janë vendosur, dhe se ky mekanizëm, vërteton edhe një herë shqetësimin e autoriteteve italiane dhe greke për sasinë e marramendëse të drogës që po mbërrin nga Shqipëria në shtetet fqinje”, tha ligjvënësi demokrat. Ndaj këtyre deklaratave reagoi dje ministria e Brendshme, e cila theksoi se PD po inkurajon krimin dhe kriminelët. “Po na akuzojnë pse po punojmë dhe po arrijmë rezultate domethënëse në luftën undër Krimit të organizuar dhe korrupsionit. Po sulmohet Policia e Shtetit pse po ju pret shtigjet rrjeteve të trafikut të fuqizuara ndër vite. Po tentohet të hidhet baltë mbi Ministrinë e Punëve të Brendshme, pse është e vendosur të zhdukë në mënyrë përfundimtare konceptin e të paprekshmëve nga ligji në këtë vend. Ministria e Punëve të Brendshme priste që opozita, qoftë dhe për një herë të vetme t’a përshëndeste luftën dhe rezultatet e Policisë së Shtetit kundër trafikut të drogës, në kuadër të së cilës një ditë më parë u kapën rreth 1 ton drogë. Por edhe kësaj radhe opozita zgjodhi të rreshtohej në krahun e gabuar”, thuhej në reagimin e ministrisë. Natën e së shtunës pas kontrollit të ushtruar në brendësi të kamionit në aksin Gjirokastër–Memaliaj, policia konstatoi një sasi prej 1 ton drogë. Mjeti drejtohej nga 45 vjeçari Ardjan Serezi, pjesetar i strukturave të policise së shtetit, i cili u arrestua në operacionin e koduar “Ujëvara”. Sipas të dhënave, droga vinte nga Lazarati dhe kishte si destinacion përfundimtar Italinë.

 

Reagimi

Vorpsi, Veliajt:Vuan nga sidroma e vitit zero, kërko falje për fyerjen e mjekëve

Partia Demokratike përmes zëdhënëses së saj Laura Vorpsi ka reaguar dje ndaj deklaratave të dhëna më parë nga ministri për Mirëqënien Sociale Erjon Veliaj lidhur me transplantin e korneas në sy. Sipas selisë blu, vetë mjekët e kanë akuzuar ministrin se ka gënjyer pasi ky lloj operacioni është zhvilluar për vite me rradhë në vend.  “Ministri Shpëtimtar Veliaj, doli fiasko në misionin e fundit të bamirësisë, duke bërë një akt, dhe një deklaratë që ka fyer komunitetin e mjekëve në vend. Ministri Veliaj, thotë se për herë të parë, dhe vetëm në një spital privat në vend, është bërë një transplant i korneas në sy, dhe sigurisht ai vetë ka meritën kryesore për mundësinë që i dha një pacienti. Por mjekët okulistë, e akuzojnë Ministrin se ka gënjyer, duke qënë se kjo lloj ndërhyrje sipas tyre, ka 20 vite që bëhet. Mjekët okulistë, i kërkojnë Ministrit të kërkojë falje, pasi ka fyer mundin dhe përpjekjet e tyre të shumë viteve në këtë drejtim. Partia Demokratike, i kërkon një prej ministrave më qesharakë të kësaj qeverie, Shpëtimtar Veliajt, që t’u kërkojë ndjesë mjekëve dhe të qëndrojë brenda fushës që mbulon”, tha Vorpsi. Më tej duke akuzuar se me vizitën e tij të fundit ka sjellë shumë probleme tek mjekët, zëdhënësja e PD-së theksoi se,: “Ne i kujtojmë z.Veliaj, autorit të fabulës së Griseldës, se ka ardhur koha të tregojë seriozitet, e të shërohet vetë së pari nga sindroma e vitit zero”.

 

Share it :