Në Universitetin e Oksfordit/ Kundërshtia për statusin, Rama: Kërkojmë votën pro të Britanisë

Gëzim Saliu

 

Kryeministri: Bashkëpunimi rajonal është një faktor kyç në procesin e integrimit

 Rama: Pse Ballkani ka nevojë për një BE të fortë dhe të jetë pjesë e saj

 

Rama ne londer Kryeministri Rama kërkon mbështetjen e Britanisë së Madhe për të bërë të mundur që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat në mesin e muajit qershor të këtij viti. Duke marrë shkas nga fakti se Anglia ishte një ndër pesë shtetet që votoi kundër marrjes së statusit në dhjetorin e vitit të shkuar, kreu i qeverisë kërkoi dje mbështetjen e saj në rrugëtimin evropian të Shqipërisë. “Shpresoj që, ndërkohë që Shqipëria vazhdon këtë udhëtimin të brendshëm, progresi dhe ndryshimi në mënyrë që të arrijë integrimin në BE, Britania e Madhe të jetë me ne, duke na shtyrë në drejtimin e duhur”, – tha Rama gjatë leksionit që mbajti në Universitetin e Oksfordit në Angli. Ndërkohë që vendimin e dhjetorit, qeveria dhe mazhoranca e cilësuan si të ndikuar nga forca ekstremiste që ndodhen jashtë dhe brenda BE-së, opozita ka bërë me dije se shkaku kryesor i refuzimi të tij ishte dështimi i qeverisë në 4 muaj pushtet dhe vendimet e marra sipas të djathtëve në kundërshti me kushtetutën dhe ligjet e vendit.

 

Leksioni

Në fjalën e tij drejtuar auditorit të studentëve në Universitetin e Oksfordit, Kryeministri u përqendrua tek zhvillimet në Ballkan dhe perspektivën e këtij rajoni në Bashkimin Evropian. “Evropa nuk është një destinacion jashtë nesh. Evropa duhet të jetë dhe Evropa është një destinacion brenda nesh. Arsyeja e parë dhe më e rëndësishme përse Ballkani ka nevojë për një BE të fortë dhe duhet të bëhet pjesë e saj, janë vlerat mbi të cilat u themelua Evropa dhe ajo që ato vlera përfaqësojnë sot”, – u shpreh Rama. Ndërsa e paraqiti integrimin evropian si një shtyllë kryesore dhe prioritet të politikës së jashtme të Shqipërisë, Kryeministri nënvizoi se qeveria e merr këtë proces në radhë të parë, si një sfidë të brendshme, për të ndërtuar në vend, pikërisht këto vlera që Evropa përfaqëson. “Ne jemi të vendosur të ndërmarrim të gjitha hapat e kërkuar në mënyrë që të marrim statusin e vendit kandidat. Ne do të punojmë fort, duke mbajtur gjithmonë në mendje se integrimi në BE nuk është vetëm një destinacion, por është një set vlerash dhe standardesh që ne si fillim duhet t’i ndërtojmë në vend”, – deklaroi ai. Një pjesë të fjalës kreu i qeverisë ia kushtoi përpjekjes së Shqipërisë për arritjen e standardeve evropiane dhe vendosmërinë për të përmbushur çdo hap të nevojshëm për t’ju bashkuar BE-së. “Kjo lidhet me vullnetin tonë për të kontribuar në suksesin e një projekti ndërkombëtar brilant, të një Bashkimi Evropian që kontribuon ndërkaq për begatinë e miliona njerëzve, që krijon shoqëri akoma më të hapura dhe që kontribuon për një botë më të barabartë”, – theksoi Rama. Më tej ai bëri të ditur bindjen e tij se integrimi evropian është e ardhmja e Ballkanit e në këtë kontekst, theksoi ai, një bashkëpunim i suksesshëm mes vendeve të tij përbën edhe një faktor kyç për një integrim të suksesshëm evropian. “Unë jam shumë i vetëdijshëm se nuk mund të jemi të vetëm në këtë udhëtim. Unë e di se bashkëpunimi rajonal është një faktor kyç në procesin e integrimit dhe për të siguruar një integrim të suksesshëm dhe për të kontribuar për të ardhmen e BE-së, ne jemi të vendosur të punojmë sa më fort që të jetë e mundur me të gjithë fqinjët”, – pohoi Kryeministri, duke përfunduar se Shqipëria, nuk do të jetë vetëm përfituese, por edhe kontribuuese në Bashkimin Evropian. “Ne jemi të sigurt që Shqipëria do të përfitojë nga BE-ja. Dhe mund t’ju premtoj se BE-ja do të përfitojë nga brezi i ri i shqiptarëve”.

 

 

Debati

Përplasja mes PS-së dhe aleatëve, kërkesa ndaj Ramës: Respekto marrëveshjen

Aleatët e Partisë Socialiste kërkojnë nga kreu i mazhorancës, Rama, që të zbatojë marrëveshjen paraelektorale të lidhur mes tyre për ndarjen e pushtetit. Pasi kanë kaluar më shumë se pesë muaj nga marrja e pushtetit, krahas negociatave sporadike, ende nuk është zhvilluar takimi i Kryeministrit me aleatët për të vendosur postet që duhet të përfitojnë ata si kontribuues në fitoren e zgjedhjeve të 23 qershorit. Kreu i PKD-së Mark Frroku bëri të ditur dje se pavarësisht diskutimeve ende nuk ka asgjë konkrete dhe as afat të lënë nga PS për konkretizimin e marrëveshjes parazgjedhore. “Aktualisht ne jemi parti parlamentare, parti që bëjmë pjesë në mazhorancë, parti që kemi të gjitha mundësitë për të qeverisur për aq sa kemi marrë vota në 23 qershor. Deri tani Mark Frroku është në parlament, bën pjesë në mazhorancë dhe marrëveshja, ne presim. Ne po respektojmë marrëveshjen dhe presim që edhe nga ana e liderit të mazhorancës të respektohet kjo marrëveshje. Jo për Mark Frrokun, por për PDK. Ka pasur biseda, unë marr pjesë edhe te grupi parlamentar i PS, aty është diskutuar për disa çështje që kanë lidhje me zbatimin e marrëveshjes në të ardhmen dhe besoj që Kryeministri sëbashku me partinë kryesore do reagojë në ditët e ardhshme. Ne kemi kërkuar të jemi pjesë e qeverisjes për aq sa na takon. Në politikë unë vij nga biznesi, problemet e mia financiare i kam të zgjidhura, aq sa të rri në politikë do kontribuoj për vendin dhe zgjedhësit e mi aq sa kam mundësi. Një pjesë e strukturave të PKD presin seriozisht të integrohen dhe të japin kontributin e tyre. Unë kam besim, afat nuk ka akoma”, – deklaroi ai dje në një intervistë për “Ora News”. Partitë përbërëse të koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Evropiane”, duke përjashtuar ato që janë përfshirë tashmë në bashkëqeverisje si LSI dhe PBDNJ, kanë nënvizuar domosdoshmërinë e negociatave të drejtpërdrejta për ndarjen e pushtetit. Pasi mirëkuptuan vonesat e justifikuara deri më tani nga Kryeministri për shkak të angazhimeve të qeverisë së re, aleatët e PS-së duket se tashmë janë në limitet e pritjes, pasi sipas tyre, nuk ka më arsye për shtyrjen e zbatimit të marrëveshjes. Sipas marrëveshjes paraelektorale mes PS-së dhe 44 partive të koalicionit të majtë, forcat politike që kanë marrë nga 500 deri në 1 mijë vota në qark, kanë të drejtë të kërkojnë përfaqësim në qeverisjen lokale. Bazuar në votat e marra më 23 qershor, janë 16 parti që kanë të drejtë t’i kërkojnë Edi Ramës përfaqësim të tyre në ato qarqe ku numri i votave të tyre përputhet me kushtet e marrëveshjes. Ndërkohë vetëm 6 prej tyre në bazë të votave të marra, kanë pretendime për poste në qeveri në nivel zv.ministrash si edhe për drejtorë në ministri apo rajonalë.

 

 

 

 

 

Share it :