Në Bruksel/ Basha me kreun e PPE-ve: Qeveria, me kurs të kundërt nga ai i BE-së

Gëzim Saliu

Në ditën e Dialogut të Nivelit të Lartë, Rama prish monumentin e demokracisë në Kavajë

lulzim basha joseph daulKreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi dje në një takim me kreun e Partive Popullore Evropiane në Parlamentin Evropian, Weber, se që pas marrjes së statusit të vendit kandidat, qeveria ka ndërmarrë një kurs të ndryshëm nga ai i BE-së. Në takimin e zhvilluar në Bruksel, kryedemokrati pohoi se gjendja e demokracisë në vend është e rëndë, duke siguruar nga ana tjetër se opozita do të bëjë çdo gjë për të ndalur revanshin e mazhorancës. “Janë shqetësime që kanë të bëjnë me regresin që Shqipëria po bën në fushën e demokracisë, shtetit ligjor, të drejtave të njeriut. Është një kurs krejtësisht i kundërt me atë që priste BE, pas marrjes së statusit kandidat, është një kurs i rrezikshëm për Shqipërinë dhe unë e informova për vendosmërinë e PD, të opozitës shqiptare, që së bashku me qytetarët shqiptarë të bëjnë gjithçka për të ndalur këtë revansh antidemokratik që cenon jo vetëm arritjet e deritanishme të Shqipërisë, por edhe ato që dëshiron çdo shqiptar, – rrugën e mëtejshme të Shqipërisë drejt integrimit evropian”, – tha Basha.

 

Mazhoranca

I pyetur nga mediat në Bruksel lidhur me deklaratën e Weber-it për mosrespektimin e parimeve demokratike, Basha tha se dyshja qeverisëse i është përkushtuar prej muajsh tashmë një axhende oligarkike. “Ka provokuar një krizë parlamentare përmes shkeljes së Kushtetutës dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese që i japin opozitës parlamentare të drejtën e komisioneve hetimore parlamentare, për transparencë dhe llogaridhënie të ekzekutivit para qytetarëve shqiptarë dhe së fundmi ka dhunuar fjalën e lirë, opozitën në Parlament përmes një grupi të strukturuar dhune të përbërë nga deputetë me precedentë kriminalë të cilët janë zgjedhur enkas nga Rama dhe janë futur në Parlament, pikërisht që të bëjnë “xhandarin” kundër fjalës së lirë”, – u shpreh kreu i PD-së. Më tej në fjalën e tij, Basha tha se mazhoranca jo vetëm nuk shfrytëzon mundësitë e Shqipërisë për të ecur përpara, por sipas tij po zhbën edhe arritjet që çuan tek marrja e statusit. “Dyshja Rama-Meta ka instaluar konfliktualitetin më të egër në 23 vite të Shqipërisë pluraliste, ka goditur shtyllat e demokracisë, ka asgjësuar bashkëjetesën demokratike përmes përpjekjes për ta nxjerrë opozitën jashtë Parlamentit, ku në fakt në këtë mënyrë ka nxjerrë Parlamentin jashtë sistemit dhe vazhdon të promovojë gjuhën e konfliktit, të dhunës”, – deklaroi ai. Në këtë kontekst, Basha theksoi: “Shikoni se ç’bën në Kavajë, me rrëzimin e monumentit të demokracisë, ditën kur ndodh Dialogu i Nivelit të Lartë! Edi Rama ndryshe flet në konferencë për shtyp, ndryshe flet me vepra, duke shkatërruar simbolin e lirisë dhe demokracisë për të gjithë shqiptarët, jo vetëm për demokratët”.

 

Daul: Duhet sundim i ligjit dhe zbatim i vendimit të gjykatave për të rikthyer Parlamentin

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, takoi ditën e djeshme në Bruksel kreun e PPE-ve, Joseph Daul. Gjatë takimit, ky i fundit theksoi se në Shqipëri duhet të respektohen shteti ligjor dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Takim me Lulzim Bashën, kryetarin e Partisë Demokratike të Shqipërisë për situatën shqetësuese në Shqipëri. Sundimi i ligjit dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë duhet të respektohet në mënyrë që Parlamentin të kthehet përsëri në vatër të demokracisë.

 

 Kreu i PPE-ve në Parlamentin Evropian/ Weber: Sjellja e qeverisë, jo në përputhje me parimet demokratike

Kreu i Partive Popullore Evropiane në Parlamentin Evropian, Manfred Weber, deklaroi dje se pas takimit që zhvilloi me kryedemokratin Basha, ndjehet i shqetësuar për situatën në Shqipëri. “Sjella e qeverisë socialiste nuk është një sjellje në përputhje me modelin evropian për respektimin e parimeve demokratike, për respektimin e vendimeve të Gjykatave. Kjo situatë krijon shqetësim për të ardhmen”, – tha ai. Ndërkaq i pyetur lidhur me denoncimet e opozitës për persona me precedentë kriminale në gjirin e Kuvendit në Shqipëri, tha: “Unë u bëj thirrje të gjitha partive, por kryesisht qeverisë, që të respektojë parimet demokratike dhe veçanërisht vendimet e Gjykatave. Kjo është e vetmja rrugë përpara. Duhet garanci të qartë për respektimin e parimeve dhe rregullave për të thithur investime. Qytetarët duan vende të reja pune, duan një situatë ekonomike të mirë për veten e tyre dhe për fëmijët e tyre. Ndërtimi i një të ardhme të mirë ekonomike, kalon përmes një shtet ligjor demokratik të konsoliduar”.

 

Komisioneri i ri për Zgjerimin/ Hahn: Integrimin në BE kërkon reforma, qeveri transparente dhe dialog

Komisioneri i ri për Zgjerimin, zëvendësuesi i Stefan Füles, Johannes Hahn, përmes një raportimi në Vjenë bëri të ditur dje se të gjitha vendet që aspirojnë integrimin në Bashkimin Evropian duhet që të përqendrohen tek reformat si edhe tek mundësimi i qëndrueshmërisë së vendit. Duke vënë theksin tek ngrirja për 5 vjet që i bëhet nga BE procesit të anëtarësimit të vendeve të reja në këtë Union, Hahn tha se kjo vjen për shkak të interesit drejt cilësisë. “Ngrirja 5 vjet, sepse na intereson cilësia dhe jo shpejtësia. Kjo është arsyeja e ngrirjes për 5 vjet të anëtarëve që duan të bëhen anëtarë të BE. Vendet që aspirojnë integrimin në Bashkimin Evropian duhet të përqendrohen tek reformat dhe qëndrueshmëria e vendeve të tyre. Këto janë mjaft të rëndësishme dhe prioritetet kyçe që nuk mund të bëhen kompromise, si për shembull, diskriminimi janë mjaft të rëndësishëm”, – tha ai. Më tej, eurokomisioneri i ri i Komisionit Evropian theksoi se vendet që aspirojnë BE-në duhet të kenë dhe qeveri transparente që bëjnë gjithçka për bashkëpunim. “Duhet të ketë dhe një qeveri transparente, kjo për vendet të cilat duan të bëhen pjesë e procesit evropian që duan t’i futen procesit të zgjerimit. Theksi vihet te reformat e lartpërmendura, duhet të bëjmë gjithçka që është e mundur për bashkëpunim. Duhet progres në mënyrë që të shkohet drejt rrugës për në BE”, – tha ai. Sipas Hahn, vendet e Ballkanit Perëndimor kanë vetëm një detyrë përpara, reformat. Kjo vlen dhe për Turqinë ndërsa dha një mesazh dhe për Ukrainën. “Vendet në Ballkanin Perëndimor duhet të kenë qëllime të përbashkëta, ashtu siç u theksua, duhet bashkëpunim për të arritur bashkëpunimin e kërkuar. Duhet të nxitet vazhdimi i reformave që janë lënë për në Turqi, duhet të vijohet zbatimi i reformave për të gjitha endet që aspirojnë të jenë në familjen e madhe evropiane. Të bëjmë çfarë është e mundur të qetësojmë situatën në Ukrainë”, – u shpreh eurokomisioneri, i cili theksoi nga ana tjetër se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë që duhet të ecë përpara.

Share it :