Nga Veli Haklaj*
Vlerat historike, kulturore dhe arkeologjike të Himarës
Himara, e njohur ndryshe dhe si Bregu i Detit, një ndër krahinat shqiptare me vlera të spikatura atdhetare, por edhe kulturore, etnografike, turistike etj., shtrihet në pjesën jugperëndimore të Shqipërisë dhe përfshin qytetin e Himarës dhe fshatrat Palasë, Dhërmi, Gjilek, Vuno, Ilias, Pilur, Kudhës dhe Qeparo-Mal e Qeparo-Fushë. Sipas të dhënave që ofron botimi i ri i Fjalorit enciklopedik shqiptar (V. II, 2008, f 926-927), rezulton se, në periudhën e parë të sundimit osman, Himara ishte nën juridiksionin e nahijes/vilajetit të Kaninës, më pas formon një kaza me Kurveleshin. Me pushtimin e plotë të Shqipërisë, pas vdekjes së Skënderbeut, kalatë e Himarës dhe të Sopotit ranë në duart e Osmanëve. Por pjesa malore midis Vjosës dhe detit Jon mbeti e lirë, për shkak të qëndresës së popullsisë. Me rënien e influencës së feudalëve vendas, në udhëheqje të qëndresës kundërosmane u vu peshkopata e Himarës, peshkopi i së cilës kryesoi kuvendet e krahinës deri në vitin 1759. Për këtë arsye, nga fundi i shekullit XV u quajt Himarë gjithë pjesa Jugperëndimore e Shqipërisë, që përfshinë më shumë se pesëdhjetë fshatra, me shtrirje midis, detit Jon, lumit të Bistricës e qafës së Muzinës, rrjedhës së mesme të Drinos dhe të Vjosës (me përjashtim të Topalltisë dhe të Myzeqesë së Vlorës). Nga pikëpamja etnografike dhe historike krahina e sotme e Himarës lidhet me Labërinë, me lidhje më të afërta me Kurveleshin.
Duke u karakterizuar nga shpirti liridashës, pas kontributit në kryengritjen e famshme të Gjergj Arianitit (1432), Himara mbeti një nga tre krahinat e vetëqeverisura të Shqipërisë. Sulltan Bajaziti II u detyrua të nënshkruante më 1492 një marrëveshje duke u njohur himarjotëve venome (të drejtën e qeverisjes së vendit në bazë të drejtës zakonore), traditë e cila u ruajt pothuajse në mënyrë të vazhdueshme deri në fillimin e viteve ’20 të shekullit të kaluar.
Qeveria shqiptare, kur mori për herën e parë administratën e kësaj nënprefekture, nënshkroi me parësinë e vendit një protokoll, me të cilin zotohej të respektonte disa pika të këtyre venomeve. Por, më 19 prill 1923, pasi kishin filluar të konsolidohen institucionet e shtetit shqiptar, qeveria vendosi prishjen e venomeve të Himarës të trashëguara prej kohës së Perandorisë Osmane. Ky vendim iu shpall popullit të Bregut të Detit nga prefekti i Vlorës, duke argumentuar se Himara dëmtohesh shumë nga këto venome të trashëguara nga Turqia dhe se shtetit shqiptar, në buzë të Adriatikut, brenda Europës, nuk mund të mbajë më vende të privilegjuara, Shqipëria indipendente nuk mund të pranojë kurrë të cenohet pavarësia e saj. Siç njoftonte gazeta “Drita” (24 prill 1923), populli himarjot e priti me entuziazëm këtë vendim.
Viti 1937, kremtimi i 25-vjetorit të vetëqeverimit
Siç rezulton nga dokumentet arkivore të administruara në Arkivin Qendror të Shtetit Shqiptar, në vitin 1937,në kudër të veprimtarive për kremtimin e 25-vjetorit të pavarësisë, në Tiranë u krijuaKomisioni Qendror dhe më pas krijohen komisione lokale në çdo prefekturë, nënprefekturë dhe komunë.
Në mbledhjen e tij të tretë, më 5 mars 1937, Komisioni për Kremtimin e 25-vjetorit të Vetëqeverimit i mbledhur në praninë e anëtarëve Kol Rodhe, Teki Selenica, Qemal Butka, Karl Gurakuqi, Zoi Xoxe, Odhise Paskali, Parashqevi Kyrias, Sotir Papakristo, Lasgush Poradeci dhe Mati Logoreci, bisedoi mbi projekt – programin e hartuem ku një ndër pikat kryesore ishte hapja e Ekspozitës së Rilindjes Kombëtare, e cila do të përfshinte: a) biografi, fletore, revista, libra, broshura e të tjera shkrime të botuara para 28 nëntorit 1912 (shqip e në gjuhë të huaja); b) dokumente – dorëshkrime, korrespondenca, akte – diplomatike, memorandume etj.; c) sende kujtimore: armë, veshje, nishane, dekorata etj. me vleftë simbolike për historinë e Rilindjes sonë; d) ikonografi, fotografina me kuptim e me vleftë historike.
Për realizimin e kësaj pike, u propozua dhe u pranua të formohet në çdo prefekturë, nënprefekturë e komunë nga një komision, gjithashtu, përjashta në çdo legatë, kryekonsullatë dhe konsullatë. (AQSH, F. 170, V. 1937, D. 2, f. 3-4)
Në përmbushje të detyrimeve për kremtimin e 25 – vjetorit të pavarësisë, në përgjigje të urdhrit nr. 867/16, datë 28 qershor 1937, nënprefektura e Bregut të Detit, me shkresën nr. 284/1, datë 27 korrik 1937, i dërgon një informacion Prefekturës së Vlorës, ku evidenton disa prej vlerave kulturore dhe arkeologjike më të spikatura të trevës së Himarës.
Në vijim, po japim për lexuesin e gazetës “Standard” disa nga këto dokumente dhe fotografi të dërguara nga Komisioni për Kremtimin e 25-Vjetorit të Vetëqeverimit i nënprefekturës së Bregut të Detit (dokumenti i parë do të jepet i plotë).
Historia e kishës së Himarës e vitit 786 pas Krishtit
Përgjigje urdhrit nr. 867/16, datë 28 qershor 1937.
Këtu poshtë kemi nderin t’ju përshkruajmë hartimin e vjetërsinave që ndodhen në këtë rajon, të dhëna nga një njeri i ngarkuar apostafat për këtë qëllim, si dhe tre copë fotografi, nga më karakteristiket, të një kishte të vjetër që ndodhet brenda në Himarë.
1. Brenda në Himarë ndodhet një kishë e vjetër e quajtur “Episkopatë”, e cila, simbas do shënimeve historike, duhet të jetë e krijuar që në shekullin e nëntë mbas Krishtit, atëherë, d.m.th., kur u prish Episkopata e Sarandës për arsye rrënimi të të gjithë qytetit dhe Peshkopi bashkë me një pakicë populli që i kishte mbetur erdhi dhe ngrehu fronin e Episkopatës në Qendrën e Himarës dhe në Kishën “Episkopi”. Në anën e Lindjes, në pjesën e sipërme të murit të kësaj kishe, në një gur në formë katrore që përshkon një kryq në mes janë shkruar në gjuhën greqishte fjalët: “Krishti fiton” dhe më poshtë është një numër “786”, që tregon kohën e krijimit dhe që i afrohet shënimit historik të mësipërm. Nga pjesa e veriut, në derën e oborrit, janë të gdhendura në gurë (gjë që e tregon fotografia) katër shkabonja bizantine me dy krerë dhe në krye të tyne kanë nga një “Skeptër” për të cilin duan të thonë se është skeptri i Konstandinit të Madh. Mbrenda oborrit ndodhet një stere (pus) që përshkon deri brenda thellë kishës. Në pjesën e brendshme dhe pikërisht në faqen ku vihen konizmat, pjesët e katrorëve janë prej guri të gdhendur dhe të bojatisura me aq mjeshtëri sa kujton njeriu sikur janë bojatisur tani afër, kaq e gjallë është ngjyra e tyre.
Vlera të tjera arkeologjike të Himarës
2. Po prap në Himarë kanë mbetur edhe sot disa gërmadha të një fortese si edhe pjesë muri të ngrehur me gurë të mëdhenj, me të cilin ishte rrethuar Himara e atëhershme, për t’u mbrojtur nga goditjet e ndryshme që i vinin nga jashtë. Këto janë Pellazge.
3. Në Spile vendi “K u l l a”, ku akoma qëndron një pjesë e Kullës që venecianët ia kishin ngrehur një kryetrimi prej fisit të “Varfajvet”, prej të cilëve ka edhe sot në Himarë, me gradën major dhe me plot kompetenca, me qëllim që t’i ruante nga pritat.
4. Në Palermo ekziston kalaja e Ali Pasha Tepelenës, në një sinisi të vogël, dhe një kishë, e cila në një anë ka një shenjë gjyleje. Duan të thonë se Ali Pasha për të provuar nëse ustallarët e kishin bërë murin të fortë e qëlloi me një gjyle topi dhe kur pa se më të vërtetë ishte e fortë vendosi ta lerë.
5. Në vendin Spot ose Sopota, edhe atje ekzistojnë disa gërmadha të një kalaje të fortë por të rrëzuar. Sopota është vendi ku është ngrehur fshati i sotëm Borshi.
6. Në Dhërmi, në vendin Vasiliko, anës së detit, ndodhen gërmadhat e banesës së banjave të Princeshës Biznatine Ana Komenit, motra e Aleks Komenit, e cila në shekullin XIII vinte në Kaninë për të veruar dhe për të bërë banja.
7. Në Vuno, në vendin Jab, buzë detit, gjendet Kisha e Shën Kollit, gjysmë e rrëzuar, e krijuar që në kohën e venecianëve, prej të cilës nuk kanë shpëtur veç disa figura shënjtorësh.
8. Në Vuno, në një portë, ndodhet e pikturuar në gurë figura e Shën Markut, nga dhe si nuk ka ndonjë burin të sigurtë, por në kohën e invazionit italian këta kanë dashur ta ngrehin duke pretenduar se ajo ishte punim i dorës së romakëve.
Këto janë vendet kryesore ku mund të tërheqin kuriozitetin e një histori shkruesi.
Sa për shpenzimet e fotografistit dhe të personit të ngarkuar prej kësaj nënprefekture për të na dhënë përshkrimet e duhura, konformë përmbajtjes së urdhënit tuaj të sipërm, lutemi të çelet një kredi prej dhjetë Fr. Ar., mbasi kjo nënprefekturë nuk disponon ndonjë fond të posaçëm për kësish gjëra.
Përfundimi lutemi të na njoftohet.
Nderime
Zav. N/Prefekti
(firma, vula) (AQSh, F. 170, V. 1937, D. 52, f. 12)
Këto dokumente iu përcollën Komisonit Qeveritar të Kremtimit të 25 Vjetorit të Vetëqeverimit nga Prefekti i Vlorës, Abdurrahman Hoxha. (shkresa nr,.. 867/91. Datë 11 tetor 1937). (firma, vula) (AQSh, F. 170, V. 1937, D. 52, f. 14)
Kisha Shën Sotira në katundin Vuno, streha e patriotëve
Në vitin 1907, të ndjerët patriotë Mihal Grameno dhe Çerçiz Topulli, t’ardhur nga Italia nga ana e detit, kanë dalë në Strata Bjanka Dhërmi dhe kanë gjetur strehë në kishën Shën Sotira, Vuno. Mëngjesin e natës që janë gdhirë në kishë, ka shkuar për meshim prifti Ikonom Papa Dhiso nga Iliaz i Vunoit. Ky fillimisht i konsideron armiq, por pas bisedave me ta dhe sidomos kur të dy patriotët e këshillonin që ungjillin ta thonin shqip, u sigurua se nuk ishin armiqtë e tij, u takua me ta, folen gjan e gjatë, u lanë libra shqipe, u dërguan ushqim me Dhiso Koçon dhe u kanë dhënë për t’u tregue rrugën Pilo Gjokën.
Pas 5 – 6 muajsh, kur e mori vesh qeveria turke, Kozma Spiron dhe priftin Ikonom Dhison i dënoi me tre vjet burg, tue i burgos në Gjirokastër, por më 1908, në kohën e hyrjetit u liruan. (AQSh, F. 170, V. 1937, D. 52, f. 15)
*Studiues




