Ndryshon formula/ Pikët që u duhen maturantëve për të qenë kalues në pesë provimet e maturës

Driçim Çaka

 

Kush merr 2-3 nota më shumë se ajo që është vlerësuar gjatë viteve të shkollës, do të penalizohet

 Specialistët: Koefiçentët e lartë mund t’i penalizojnë maturantët gjatë zgjedhjes së lëndëve

 

 

matura-2014Nëse një maturant nuk siguron të paktën 10 pikë në provimet e detyruara, atëherë nuk do të quhet kalues. Për provimet me zgjedhje kandidatët duhet të marrin minimumi 8 pikë, në mënyrë që lënda të quhet e kaluar. Këto janë ndryshimet më të fundit që ka miratuar ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, dhe do të bëhen për të përcaktuar me saktësi se kush kalon dhe kush mbetet në klasë. Një prag i tillë pritet të zgjidhë dilemat e notës poshtë 4.5 dhe mbi 4.5, ku në çdo vit maturantët akuzonin korrigjuesit e provimeve për paaftësi. “Ky është momenti që ndan ngelësit nga kaluesit. Paracaktimi para provimit në radhë të parë është transparenca për të gjithë maturantët. Është edhe ftesë për garë, puno që të kapësh 10-pikëshin. Dy provimet e detyruara e kanë 10 pikë kufirin dhe dy të tjerat e kanë 8”, – u shpreh Arben Fagu, specialist në Agjencinë Kombëtare të Provimeve. Për sa u përket notave të tjera, ministrja e Arsimit shprehet se nuk do të ketë prag tjetër dhe vlerësimi do të bëhet në bazë të pikëve që grumbullohen.

 

Kopjimi

Ministria e Arsimit ka sjellë edhe një risi tjetër në provimet që do të zhvillohen në muajin qershor. Ata maturantë të cilët marrin 2-3 nota më shumë se ajo që janë vlerësuar gjatë viteve të shkollës, do të skualifikohen direkt. Ky vendim pritet të prekë shumë të rinj që gjatë provimeve kanë “aftësi” për të kopjuar, por nga ana tjetër do të penalizojë ata maturantë të cilët do të përgatiten më shumë për provimet përfundimtare të maturës. Për specialistët e Ministrisë së Arsimit, ky vendim është i drejtë dhe se askush nuk mund të marrë më shumë se 3 nota, mbi atë që ka marrë gjatë tri viteve të shkollës së mesme. Kjo do të thotë që një maturant, i cili gjatë tri viteve në shkollë, në lëndët e Letërsisë ka marrë 5 ose 6 dhe në provimin përfundimtar do të marrë notën 8 ose 9, atëherë ai do të skualifikohet.

 

Koefiçentët

Ministria e Arsimit ka rritur koefiçentët për ato degë ku kërkohen më shumë vende pune, por specialistët shprehen se maturantët nuk duhet të shikojnë vetëm koefiçentët, pasi mund t’i penalizojnë në konkurrimin për në universitet. ”Vërtet një lëndë ka një koenfiçent të lartë, por një maturant mund ta këshillonim nëse nuk është i fortë në atë lëndë që zgjedh, më mirë të ketë një ulje të vogël të koefiçentit për të zgjedhur një lëndë që mund ta ketë jo 1.4 koefiçentin por 1.3 koefiçentin përkatës, sepse nota ka rëndësi më të madhe sesa koefiçenti”, – tha Arben Fagu, specialist në Agjencinë Kombëtare të Provimeve. Zëvendësministrja Nora Malaj ka deklaruar se formularët A1 dhe A1Z që do t’u shpërndahen të rinjve këto ditë, do të plotësohen vetëm në shkolla si dhe institucione arsimore online, nën praninë e arsimtarëve, ndërkohë që do të ketë rregulla më të rrepta në kontrollin e nxënësve gjatë testimit të tyre.

 

 

Të dhënat

ISHP: 10 raste të identifikuara me gripin e derrit, 16.500 pacientë të prekur nga virozat e stinës

Instituti i Shëndetit Publik raporton për 10 raste të personave të prekur nga virusi A/H1N1 apo, siç njihet ndryshe, “gripi i derrit”, të konfirmuara në laboratorët e tij. Sipas të dhënave të survejancës të sistemit ALERT rezulton se numri i përgjithshëm i infeksioneve të sipërme dhe të poshtme respiratore, pavarësisht nga shkaku, është rreth 16500, ose rreth 5% më shumë raste se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Ndërkohë që bazuar në të dhënat e sistemit të survejancës epidemiologjike ALERT dhe virologjike SENTINEL në lidhje me situatën gripale në vend, bëhet me dije se në Shqipëri ekziston një gjendje me intensitet mesatar të qarkullimit të virusit të gripit, me prirje rritëse deri në fundin e shkurtit dhe se bashkëqarkullojnë virusi sezonal i gripit dhe virusi pandemik i gripit. Gjithashtu, ISHP bën me dije se numri i rasteve të identifikuara laboratorikisht me infeksion nga virusi pandemik AH1 është 55 në të gjithë vendin, AH3 45, ndërkohë që nga 611 mostra të dyshuara për grip, vetëm në 100 prej tyre është izoluar virus i gripit. Duke filluar nga muaji Tetor 2013 e deri më sot (05/03/2014) janë raportuar 149 raste me sindromë të rëndë respiratore akute prej të cilëve, vetëm 17 (10 raste A/H1N1 pdm09 dhe 7 raste A/H3N2) raste rezultojnë pozitivë për virusin e Gripit. Në këto kushte mjekët apelojnë për kujdes dhe për marrjen e masave parandaluese. Shmangia e vendeve të populluara (autobusët, kinematë, etj.) apo larja e shpeshtë e duarve janë disa prej masave që rekomandojnë mjekët. Po ashtu, vaksina kundër gripit është një prej këshillave që vjen nga mjekët infeksionistë.

 

 

Homazhe te busti i Adem Jasharit

Basha: Detyrim, të çojmë deri në fund amanetin e të rënëve

Tirana përkujtoi dje epopenë e lavdishme të Jasharajve. Kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe kryetar i PD-së, Lulzim Basha, ish-kryeministri Sali Berisha, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, anëtarë të Këshillit Bashkiak, përfaqësues të ambasadës së Kosovës, veteranë të UÇK-së kanë vendosur kurora me lule dhe janë përulur me nderim dhe respekt përpara shtatores së komandantit legjendar, Adem Jashari. “Si çdo 5 mars, prej 5 marsit të lavdishëm të 1998, sot (dje) përkujtojmë me krenari të thellë kombëtare një ndër momentet më të shquara të historisë së kombit shqiptar, epopenë e Jasharajve, e cila shënon po kështu përshkallëzimin e luftës çlirimtare të Kosovës, si një luftë e bazuar në të drejtën legjitime të qytetarëve kosovarë, të shqiptarëve të Kosovës për liri, për të drejta njerëzore e kombëtare, luftë e cila kulmoi me lirinë e Kosovës, pavarësinë e saj dhe nisjen e rrugëtimit të Kosovës së bashku me Shqipërinë drejt destinacionit tonë përfundimtar integrimit evropian dhe euroatlantik. Ndërsa gëzojmë frytet e kësaj lirie dhe pavarësie, ndërsa jemi të ndërgjegjshëm për sfidat dhe përgjegjësitë e mëdha që kemi para qytetarëve tanë, dhe në të ardhmen, nuk mund të mos kujtojmë se e gjithë kjo është e mundur falë sakrificës sublime, përkushtimit dhe trimërisë të komandantit legjendar të UÇK-së dhe familjarëve të tij të cilët hapën siparin e sakrificës sublime për mijëra e mijëra burra e gra, të rinj e të reja, shqiptarë të Kosovës dhe anembanë trojeve të kombit tonë, për të kurorëzuar lirinë e shtrenjtë dhe të çmuar me këtë sakrificë kaq të madhe. Duke kujtuar sakrificën e tyre, është edhe një ditë për tu zotuar edhe njëherë për solemnitetin e përgjegjësive që ne kemi para historisë, para sakrificës shumë shekullore që kulmoi me luftën çlirimtare të Kosovës, për të çuar deri në fund amanetin e të rënëve tanë, për një komb në paqe, të sigurt dhe të përkushtuar për mirëqenien e qytetarëve, në cilindo vend që jetojnë, në Republikën e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Preshevë, Mal të Zi apo kudo tjetër, për një komb që të vazhdojë të ruajë dhe të theksojë vlerat e tij evropiane dhe euroatlantike, faqe sfidave dhe përgjegjësive të viteve dhe dekadave që vijnë”, – deklaroi Basha gjatë fjalës së tij. Në 5 mars të vitit 1998, familja Jashari u rrethua me mijëra trupa dhe artileri të rëndë serbe. Qëndresa e Jasharajve me në krye komandantin legjendar Adem Jashari zgjati tri ditë e tri net. 13 anëtarët e familjes Jashari humbën jetën, së bashku me komandantin legjendar Adem Jashari.

 

Share it :