Ndryshimet/ Skema e re, kush do të përfitojë pension social

Driçim Çaka

 

Veliaj: Kush kontribuon më shumë, përfiton më shumë

 Skema parashikon rritjen e moshës së daljes në pension

 

pensionMinistri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, publikoi detajet e para që do të ketë skema e re e pensioneve. Duke vënë thekësin te pensioni social, Veliaj u shpreh se do ta përfitojë çdo individ i cili nuk do të ketë mundësi të tjera të ardhurash. “Për ata që s’kanë pasur mundësi të kontribuojnë fare, ne do të propozojmë vendosjen e një pensioni social. Së pari, ky pension social nuk ka për qëllim dhe nuk mund të zëvendësojë pensionin që rrjedh nga skema kontributive për sa i përket masës dhe moshës së përfitimit. Qëllimi i tij i vetëm është që të sigurojë në të ardhmen një person në moshën 70-vjeçare, i cili e gjen veten jashtë kritereve të përfitimit të skemës kontributive të pensionit, të mund të mbështetet në solidaritetin e shoqërisë për të siguruar nevojat e tij minimale”, – u shpreh Veliaj gjatë mbledhjes së grupit të punës për reformën e pensioneve. Kriteret për të përfituar pension social do të jenë të ndryshme, por kushti kryesor do të jetë vërtetimi i mungesës së të ardhurave. “Në lidhje me kriteret e përfitimit, do të jetë një pension i cili përfitohet vetëm pas vërtetimit të nevojës së pensionit, mungesës së të ardhurave alternative, i ngjashëm me kriteret e përfitimit në skemën e ndihmës ekonomike sot. Kështu që nëse keni një punë dhe dëshironi që në pleqëri të keni të ardhura dinjitoze, atëherë të gjithë bëjmë mirë që të sigurohemi që kontribuojmë në sistemin e pensioneve”, – theksoi ministri i Mirëqenies Sociale.

 

Grupi i punës

Grupi i punës për reformën e pensioneve zhvilloi në mjediset e MMSR-së mbledhjen e dytë, ku u njoh me dy opsionet e kësaj reforme nga grupi teknik që ka hartuar dokumentin e politikave. “Dy problemet thelbësore mbeten deficiti shumë i lartë që e bën skemën financiarisht të papërballueshme dhe numri shumë i ulët i kontribuuesve, çka bën që një numër i konsiderueshëm qytetarësh të mbeten pa pension pleqërie. Ndaj, jemi të vendosur që të ndërmarrim të gjitha hapat administrativë të nevojshëm brenda këtij viti, në mënyrë që skema e re të nisë funksionimin në ditën e parë të vitit 2015, çka nënkupton se takimet konsultative, hartimi i ligjit dhe i çuarjes së tij në Parlament do të mbyllet deri në janar 2015”, – përmendi Veliaj.

 

Skema

Ata që do të kontribuojnë më shumë, do të përfitojnë më shumë. Kjo do të jetë motoja kryesore e skemës së re të pensioneve. “Skema e re të cilën jemi duke e punuar është moderne dhe jo vetëm që do të ofrojë një zgjidhje afatgjatë, por do të garantojë edhe pensione të larta në përputhje me nivelet e kontributit të gjithsecilit në këtë skemë. Për këtë qëllim, ne do të heqim çdo lloj kufizimi të pensionit maksimal duke e lidhur masën e pensionit vetëm dhe vetëm me kontributet e derdhura. Kush do të kontribuojë shumë, do të marrë shumë dhe kush do të kontribuojë pak, do të marrë pak”, – theksoi ministri i Mirëqenies Sociale. Veliaj foli edhe për rritjen e moshës së pensionit, që, sipas tij, është e domosdoshme, por nuk do të prekë ata që janë në prag pensioni. “Çështja më e ndjeshme lidhet me moshën e daljes në pension. Sërish, dua të sqaroj se rritja e moshës së pensionit nuk do të përfshijë ata që janë në prag të daljes në pension. I gjithë ky diskutim ka për qëllim që të sigurojë përshtatjen e skemës së pensioneve me rritjen e jetëgjatësisë në vend dhe viteve të kontributeve që nevojiten për të siguruar stabilitetin afatgjatë të skemës së pensioneve. Sot është fakt që njerëzit jetojnë më gjatë dhe se për shkak të angazhimeve universitare, ata hyjnë në një moshë më të madhe në tregun e punës, prandaj është e domosdoshme që mosha e pensionit të rritet me të njëjtin ritëm me rritjen e jetëgjatësisë”, – u shpreh Erion Veliaj. Dokumenti i politikave për skemëne re të pensioneve është drejt përfundimit dhe shumë shpejt pritet të bëhet publik.

 

 

 

 

Share it :