Pensioni social, pensionet e pleqërisë, të invaliditetit, familjare, si edhe të ardhurat nga aksidentet në punë dhe sëmundjet profesionale do të indeksohen çdo vit, për të kompensuar pasojat e ndryshimit të çmimeve të mallrave dhe të shërbimeve
Për vitin 2014 shpenzimet për pensione janë parashikuar 82 295 milionë lekë, (bashkuar me kontigjencën për rritjen e pensioneve) me një rritje ndaj vitit 2013 në shumën 5 433 milionë lekë, që është pasojë e shtimit të numrit të pensioneve si dhe e indeksimit të masës së tyre. Por, ndërsa shtesa në shpenzimet për pensione është në këto nivele, shtesa e të ardhurave nga kontributet arrin në 19 rreth 60% të kësaj shume, duke vazhduar të thellojë bilancin negativ aktual të sistemit të pensioneve. Ndër masat e rëndësishme për minimizimin gradual të këtij deficiti parashikohet të jenë, formalizimi i ekonomisë, masat efikase për mbledhjen e kontributeve si dhe ndërtimi i një lidhjeje të drejtë kontribut-pension, por ndër to ndikim do të ketë edhe rritja graduale e moshës së daljes në pension.
Pensionet
Sipas dispozitave aktuale, pensioni i llogaritur nuk mund të jetë më i madh se 75% e pagës mesatare neto në tre vite të njëpasnjëshme në dhjetë vitet e fundit të punës dhe nuk mund të jetë më i madh se dyfishi i pensionit bazë. Praktikisht, këto dy kufizimi kanë bërë që kthimi i kontributeve të paguara gjatë gjithë karrierës në formën e pensionit, për të siguruarit me paga mbi pagën mesatare është në nivele shumë të ulëta (rreth 55%) ndërsa për të siguruarit me paga minimale kthimi i kontributeve është rreth 150% që do të thotë që marrin 50% më shumë se sa kanë kontribuar. Nga ana tjetër, duke qenë se sistemet e kompensimeve të vendosura në periudhën 1993-2007 për rritjen e çmimit të energjisë, të ushqimeve, të bukës si dhe kompensimet e tjera të vendosura për përfituesit e pensioneve minimale, tashmë janë bërë pjesë e të ardhurave të pensionistëve, për pensionet aktuale, si dhe për ato pensione që do të caktohen me datë fillimi deri në 31.12.2014, kompensimet do të vazhdojnë të mbeten në fuqi. “Heqja e pensionit maksimal dhe forcimi i lidhjes mes kontributeve dhe përfitimeve mund ta bëjë skemën e re më tërheqëse për qytetarët, duke i nxitur ata që të bëhen pjesë e skemës dhe të kontribuojnë në bazë të pagës reale, çka do të sillte një rritje të menjëhershme të të ardhurave. Por, edhe pa këto përmirësime, rritja e pagës minimale kontributive dhe indeksimi i pagës maksimale kontributive, me indeksin e rritjes së pagës minimale, sjell një rritje të mjaftueshme të të ardhurave për të përballuar rritjen e përfitimeve”, – përcaktojnë ndryshimet në ligjin për sigurimet shoqërore.
Indeksimi
Gjithashtu, në ndryshimet e propozuara, parashikohen qartë rregullat për indeksimin e pensioneve, duke shfuqizuar ato dispozita që krijonin mundësinë për rritje të diferencuar të pensioneve apo për rritje të tyre në nivele të zgjidhjeve të momentit, por që krijojnë problematika për qëndrueshmërinë financiare afatgjatë të sistemit. Pensioni social, pensionet e pleqërisë, të invaliditetit, familjare, si edhe të ardhurat nga aksidentet në punë dhe sëmundjet profesionale do te indeksohen çdo vit, për të kompensuar pasojat e ndryshimit të çmimeve të mallrave dhe të shërbimeve të zgjedhura për nivelin minimal të jetesës së pensionistëve. Këshilli i Ministrave, me vendim të veçantë, do të ripërcaktojë listën e mallrave të zgjedhura, mbi të cilën llogaritet indeksi, metodën e llogaritjes dhe datën e indeksimit të pensioneve.
Reforma
Reforma sjell një ulje të pjesës së popullsisë mbi moshën e pensionit ndaj totalit të popullsisë, e cila vjen si rezultat i rritjes së moshës së daljes në pension. Në qoftë se me skemën aktuale ky tregues arrin në 35% në vitin 2080, sipas këtij projektligji, në vitin 2080 ai arrin në 29%. Ulja e numrit të pensionistëve shoqërohet me rritjen e pjesës që zë popullsia nga mosha 15 vjeç deri në moshën e pensionit ndaj totalit të popullsisë, e cila nga 50.7%, në skemën aktuale, në vitin 2080, do të shkojë në 56%. Veç kësaj, reforma sjell një ulje të koeficientit të varësisë së të moshuarve, i cili, në projeksionet e skemës aktuale do të merrte vlerën 69%, në vitin 2080, ndërsa me këtë propozim, në vitin e fundit të parashikimit, merr vlerën 52.3%.
Formula e re e pensioneve
P= PS + Sh, ku:
P është masa e pensionit mujor;
PS është pensioni social, masa e të cilit është jo më e lartë se masa e pensionit të pjesshëm, që arrihet nga skema kontributive;
Sh është shtesa, vlera e së cilës është 1% e vlerës së bazës së vlerësueshme për çdo vit, e cila përfaqëson raportin e kontributeve mesatare në vitin aktual, me kontributet mesatare të viteve të mëparshme.
Mblidhet Këshilli Bashkiak i Tiranës, diskutohen 6 projektvendime
Nesër do të jetë mbledhja e radhës e Këshillit Bashkiak të Tiranës. Në këtë mbledhje do të diskutohen gjashtë projektvendime, mes tyre edhe ndryshimi i emrave të disa rrugëve në kryeqytet. Projektvendimet janë:
-Projektvendim për “Miratimin e koncesionit të terminalit publik në qytetin e Tiranës në truallin prej 85 000 m2 në Kthesën e Kamzës, pronë e Bashkisë së Tiranës, në formën PNFOT (projektim, ndërtim, financim, operim dhe transferim)”.
-Projektvendim “Për emërtimin “Shëtitorja e Katedrales”, të rrugës nga sheshi “Skënderbej”, në kryqëzimin midis Ministrisë së Energjetikës dhe Ministrisë së Bujqësisë, deri në kryqëzimin me rrugën “Ibrahim Rugova”, ngjitur me katedralen ortodokse (të re) “Ngjallja e Krishtit”.
-Projektvendim “Për emërtimin “Mahmud Bobrati” të rrugës nga prerja me Rrugën e Durrësit në krah të gjimnazit “Qemal Stafa”, që vazhdon në brendësi të bllokut të banimit, deri në prerjen me rrugën “Mine Peza”.
– Projektvendim “Për emërtimin “Mark Prekperaj”, të ish-rrugës “Albanët” në “Josif Pashko”, nga kryqëzimi me rrugën “Petrit Radovicka” deri në kryqëzimin me rrugën “Isuf Uka”.
– Projektvendim “Për emërtimin “Hasan Vathi”, të rrugës “Gramozi”, në Kodër-Kamëz
– Projektvendim “Për ndryshime në statut, kapitalin themelor dhe gjendjen juridike të Klubit të Futbollit Tirana sh.a”




