Ndryshimet në Kodin Penal/ Kush ndërton pa leje rrezikon 1-8 vite burgu . Rastet e pronës publike dhe private

Gëzim Saliu

 ndertimTokat bujqësore, PS kundër qeverisë: S’mund të merren pa lekë, nuk janë përcaktuar afatet dhe përfituesit. Xhafaj: Toka në përdorim e dhënë me ligj nuk mund të hiqet me vendim qeverie

Ndryshimet e reja të Kodit Penal, të propozuara nga qeveria, parashikojnë dënime me burg për të gjithë ata që ndërtojnë pa leje, duke përfshirë këtu edhe ato objekte që ngrihen në tokë private. Ministrja e Marrëdhënieve me Parlamentin, Ermonela Felaj, bëri të ditur dje në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve ku u diskutuan ndryshimet e Kodit Penal se dispozitat e tij do të zbatohen sipas rastit edhe ndaj pronarit të ndërtimit, sipërmarrësit, mbikëqyrësit dhe zbatuesit të punimeve. “Neni 199 a ndërtimi i paligjshëm të riformulohet në këtë mënyrë: Ndërtimi i kryer pa leje, në shkelje të lejeve, ose në kushtet e lejes së shfuqizuar, dhe në tokë të vet, dënohet me burg deri një vit .Po kjo vepër, e kryer për qëllime fitime, në tokën publike apo në tokën e tjetrit dënohet me burgim nga 2 deri në 8 vjet”, – u shpreh ministrja. Por ndonëse nuk munguan replikat me ligjvënësit e majtë, në kundërshti me ministren u shfaq Ministria e Drejtësisë, e cila përfaqësohej nga drejtorja e Kodifikimit Edlira Jorgaqi. “Termi tokë të vet është i paqartë dhe jo i saktë juridikisht, aq më tepër në kushtet e informalitetit aktual. Për më tepër kjo mënyrë formulimi e bën të paqartë subjektin që do mbajë përgjegjësinë penale në bazë të kësaj dispozite. Për sa i përket paragrafit 2 të nenit 2 të kësaj dispozite të propozuar është e paqartë përfshirja e konceptit qëllim fitimi. Arsyet e dhëna në relacion, edhe pse janë logjike, nuk e justifikojnë këtë ndërhyrje”, – tha ajo. Ndaj kësaj pjese nuk ka munguar replika e ministres, e cila edhe pse debatoi fort me kreun e Komisionit, Xhafaj, theksoi se edhe vetë ministri Naço ka dhënë mbështetjen e tij për ligjin, duke kritikuar indirekt përfaqësuesen e Ministrisë së Drejtësisë për ndërhyrjen e saj. “E keni qartësisht të shkruar të bardhë mbi të zezë se kjo iniciativë ka ardhur nga Këshilli i Ministrave dhe me ministrin e Drejtësisë janë rakorduar që më parë…”, – tha Felaj.

 

Tokat bujqësore

Nga ana tjetër, deputetët e mazhorancës kanë shprehur kundërshti dhe kritika të hapura për projektligjin “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore” të diskutuar dje në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve. Sipas ligjvënësve socialistë, tokat bujqësore nuk mund të vijojnë të jepen në përdorim falas. Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, tha se Komisioni përgjegjës për këtë draft, ai i Veprimtarisë Prodhuese, duhet të rishikojë procedurën pasi një tokë në përdorim, e dhënë me ligj, nuk mund të hiqet me një vendim qeverie. “Ti riformulojnë nenet dhe vërejtjet që kanë ti kalojnë komisionit përgjegjës. Kështu siç është nuk bën sens, do të krijojë probleme në terren, sepse jeni të njëjtët njerëz që vini këtu në 10 vitet e fundit dhe të njëjtën kërkesë bëni vit pas viti një herë në dy vjet”, – u shpreh Xhafaj, duke iu drejtuar përfaqësuesit të Ministrisë së Bujqësisë, Irfan Tarelli, i cili tha se ndryshimet konsistojnë në statusin juridik të pronësisë për një kategori të caktuar. Po ashtu, Xhafaj theksoi se një tokë në përdorim që është dhënë me ligj nuk mund të hiqet me vendim qeverie. “Propozimet që na sillni janë tepër shqetësuese. Ju flisni në terma të përgjithshëm, por nuk na thoni qartë numrin e familjeve përfituese. Nuk tërhiqemi nga propozimet e bëra, po të dojë të vijë edhe ministri të japë alternativën e tij këtu”, – tha ai. Ndërkohë, deputetët Bashkim Fino, Pandeli Majko dhe Armando Subashi ishin të mendimit për dhënien e një afati në ndarjen e titujve të pronësisë. “Reforma e tokës është e lidhur dhe me atë të legalizimeve dhe një sërë reformash që një ditë duhet të mbarojnë. Tani të vijmë këtu dhe të vazhdojmë të shtyjmë pafundësisht mua më duket jo komode. Sepse unë duhet të di përgjegjësinë e atyre që nga 1 tetori 2013 dhe deri tani që është dhjetor 2014 ka një vit e ca që nuk veprohet në funksion të atij ligji që ka qenë përpara dhe po na jepet ligj i ri që të shtyhet afati”, – tha Fino. Në të jetën linjë, Majko theksoi: “Plotësimi me aktin e marrjes së tokës në pronësi do të bëhet për ata persona që plotësojnë kriteret bazë që vijojnë: të ketë qenë subjekt i përfitimit të tokës bujqësore në pronësi, të përdorin tokën bujqësore për qëllime bujqësore dhe sipërfaqja që do të jepet në çdo rast nuk mund të kalojë atë që i takonte sipas normës për frymë të fshatit”.

 

Debati për ndryshimet e Kodit Penal

 Ermonela Felaj, ministre për Marrëdhënien me Parlamentin: Ndërtimi i kryer pa leje, në shkelje të lejeve ose në kushtet e lejes së shfuqizuar, dhe në tokë të vet, dënohet me burg deri një vit .Po kjo vepër, e kryer për qëllime fitime, në tokën publike apo në tokën e tjetrit dënohet me burgim nga 2 deri në 8 vjet

Edlira Jorgaqi, drejtorja e Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë: Termi tokë të vet është i paqartë dhe jo i saktë juridikisht, aq më tepër në kushtet e informalitetit aktual. Për më tepër kjo mënyrë formulimi e bën të paqartë subjektin që do mbajë përgjegjësinë penale në bazë të kësaj dispozite. Për sa i përket paragrafit 2 të nenit 2 të kësaj dispozite të propozuar është i paqartë përfshirja e konceptit qëllim fitimi. Arsyet e dhëna në relacion, edhe pse janë të logjike, nuk e justifikojnë këtë ndërhyrje

Ndërhyn Felaj…

Xhafaj: Moj zonjë, po nuk ta kam dhënë fjalën.

Felaj: Ministri i Drejtësisë ka votuar në Këshillin e Ministrave pro.

Xhafaj: Të lutem a ka mundësi!

Felaj: Unë kam ardhur të prezantoj këtë gjë.

Xhafaj: Po mirë pra, mirë, po unë nuk ta kam dhënë fjalën.

Felaj: Ju mund të mos ma jepni fjalën, por unë nuk kam ardhur të bëj sehir, kam ardhur në emër të Këshillit të Ministrave.

Xhafaj: Po mirë pra, do ta jap unë fjalën, po kur e jap unë.

Felaj: Po pra, po më duket e tepërt.

Xhafaj: Oj zonjë, po do ta jap unë fjalën…

Felaj: E keni qartësisht të shkruar të bardhë mbi të zezë se kjo iniciativë ka ardhur nga Këshilli i Ministrave dhe me ministrin e Drejtësisë janë rakorduar që më parë…

 

Share it :