Ndryshimet në buxhet/ Deputetët e PD-së: U faktua dështimi i progresivitetit, 90% e shqiptarëve paguajnë më shumë taksa

Gëzim Saliu

 

 

“U ulën fondet për shëndetësinë, arsimin, ish-të përndjekurit dhe bujqësinë”

 

komisioni i pd per rishikimin e buxhetitDeputetët demokratë të komisioneve parlamentare analizuan dje ndryshimet e fundit që bëri qeveria në buxhetin e shtetit, ku u theksua se qeveria po bën një arnim me fondet për të mbuluar dështimet e saj. Komisionet e Ekonomisë, Shëndetësisë dhe Veprimtarisë Prodhuese të Partisë Demokratike diskutuan dje në lidhje me aktin normativ për buxhetin 2014, ku u theksua se qeveria ka ulur fondet për arsimin, të papunët, në shëndetësi, investime publike dhe për ish-të përpjekurit, ndërsa ka rritur shpenzimet e luksit me 1.2 miliardë lekë. Ndërkohë ky akt vërtetoi sipas demokratëve, se 90% e shqiptarëve paguan këtë vit 270 milionë dollarë taksa më shumë nga xhepat e tyre të varfër.

 

 

Argumentet

Sipas deputetit demokrat Ridvan Bode, me ndërhyrjen në buxhet, qeveria dëshmoi se sistemi i saj i taksave dështoi dhe bëri që 95% e qytetarëve shqiptarë që në fakt duhet të përfitonin nga sistemi i taksave, të paguajnë 90% të taksave të reja, ose rreth 270 milionë dollarë më shumë se një vit më parë. “Ky akt normativ gris demagogjinë e Ramës se nga sistemi i taksave të tij progresive, do të paguanin vetëm 5% e qytetarëve dhe 95% të tjerët do të përfitonin. Ky mashtrim është i dalë boje. Sipas asaj që ata kanë paraqitur nga 30 miliardë lekë taksa të shtuara, mbi 26 miliardë lekë taksa janë paguar nga qytetarët, pra nga 95% e qytetarë që në fakt duhet të përfitonin, pra rreth 89% e kanë paguar qytetarët ndërsa pjesa tjetër nga biznesi. Qytetarët kanë paguar këtë vit 270 milionë dollarë nga xhepat e tyre me taksa të fshehta më shumë se një vit më pare”, – tha ai. Ndërkaq, deputeti Sheferefin Shehu tha se fondet në sektorë kyç, të premtuar nga Kryeministri Rama, janë ulur ndjeshëm si në arsim, të papunët apo në investime publike. “Kryeministri tha se ka 4.3 miliardë lekë të shtuara për mbështetjen sociale dhe të paaftët por e vërteta është ndryshe sepse janë shtuar vetëm 2 miliardë dhe rreziku është prezent. Kryeministri nuk ka harruar veten e tij sepse për shpenzime administrative ka shtuar 1.2 miliardë lekë, pra shpenzime për administratën”, – u shpreh Shehu. Nga ana e saj, kryetarja e Komisionit të Shëndetësisë, Albana Vokshi, u shpreh se pavarësisht fondeve të shtuara në shëndetësi ka sërish mungesa bazike në shëndetësi, ndërsa më pak të papunë marrin ndihmën e tyre. Ajo tha se ish-të përndjekurit kanë marrë 11 herë më pak para se një vit më parë. Ndërsa deputeti Adrian Turku vuri theksin tek bujqësia duke theksuar: “Buxheti i Sektorit të Bujqësisë, nga ai që kishte parashikuar programi i Rilindjes për këtë vit, zvogëlohet me 1.2 miliard lekë të reja. Pra në totalin e vet, buxheti zvogëlohet me rreth 15%”. Në lidhje me projektligjin për garancinë sovrane për operatorin e shpërndarjes së energjisë elektrike, deputeti Florion Mima u shpreh se qeveria hodhi në kosh pretendimet për një dëm deri në 3 miliardë euro për shteti shqiptar.

 

Detajet/ PD përgatit Kuvendin Kombëtar, 300 qendra votimi për 7500 delegatë

Partia Demokratike është në përgatitjet e fundit për organizimin e Kuvendit Kombëtar, i cili përbën një ndër ngjarjet më të mëdha të forcës kryesore të opozitës. Pas 5 vitesh, PD do të mbledhë forumin e saj më të lartë, ku punimet në dy ditë, në datat 27-28 shtator, do të nisin nga orët e para të mëngjesit për t’u mbyllur në darkë. Mësohet se do të jenë rreth 300 vendvotime, ku rreth 7500 delegatë do t’u drejtohen kutive për të votuar për Këshillin e ri Kombëtar. Ndërkaq, nuk është përcaktuar akoma mënyra e votimit për ndryshimet në statut, ku një ndër debatet kryesore është ai për shkrirjen ose jo të Kryesisë. Sa i përket përmbajtjes së Kuvendit, mësohet se në ditën e parë është parashikuar që të mbajnë fjalimet 53 kryetarët e degëve në të gjithë vendin, përfshirë dhe kreun e PD-së, Lulzim Basha. Pas këtyre fjalimeve, Kuvendi Kombëtar do të fillojë diskutimin dhe miratimin e ndryshimeve në statusin e PD-së, për të kaluar më pas në votimin e Këshillit Kombëtar, që do të zgjedhë strukturat drejtuese. Risia do të jetë se Këshilli Kombëtar pritet të jetë më i gjerë sesa e kemi parë në vitet e kaluara, ndërkohë që deputetët do të jenë anëtarë të menjëhershëm. Por një pikë problematike në aspektin organizativ pritet të jetë vendi ku do të zhvillohet Kuvendi Kombëtar, duke marrë parasysh numrin e madh të delegatëve dhe të ftuarve. Në Pallatin e Kongreseve parashikohen rreth 2200 vende në sallën e madhe, por organizatorët e PD-së mund të shfrytëzojnë dhe ambientet e tjera, duke përfshirë edhe hollin kryesor.

 

Vendimi/ Kushtetuesja rrëzon kërkesën e PD-së për Zana Xhukën

Gjykata Kushtetuese rrëzoi dje kërkesën e deputetëve të Partisë Demokratike për Zana Xhukën. Përmes një njoftimi publik, Gjykata bëri publik vendimin e saj, ku më parë deputetët demokratë kishin kërkuar pavlefshmërinë e seancës plenare të datës 20 shkurt 2014, pasi, sipas tyre, ajo ishte thirrur në kundërshtim me rregulloren e Kuvendit dhe në shkelje të rregullave procedurale që garantojnë një proces të rregullt ligjor. Në këtë seancë Kuvendi shpalli të pavlefshëm zgjedhjen e inspektorit të Përgjithshëm të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive detyrë të cilën e mbante Zana Xhuka. Kuvendi votoi dhe njëherë duke zgjedhur në vend të Xhukës, Shkëlqim Ganajn. Më herët për këtë çështje iu drejtua Gjykatës edhe Presidenti Bujar Nishani, por edhe për këtë padi gjykata vendosi ta refuzojë. Partia Demokratike e ka cilësuar votimin e mazhorancës si veprim të qartë në kuadër të kapjes së institucionit të ILDKPKI.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Share it :