Produksioni i filmit me renome botërore, “20th Century Fox”, ka blerë të drejtat e shfrytëzimit të këngës “Natën”, si kolonë zanore për filmin e ri “Let’s Be Cops”. Mediat kanë mësuar nga burime të sigurta se kënga e titulluar “Natën” e interpretuar nga Dren Abazi, është përzgjedhur si më e mira për filmin e “20th Century Fox” në konkurrencë me dhjetëra këngë të tjera botërore. “20th Century Fox”, pas përzgjedhjes që bëri kompania “Visions from the Roof”, vendosi të blinte të drejtën e shfrytëzimit të këngës për filmin e ri hollivudian, “Let’s Be Cops”, rolin kryesor të të cilit e ka aktori amerikan, Andy Garcia. Është hera e parë që një këngë moderne shqiptare bëhet pjesë e një prej filmave hollivudianë, ndërsa gjithçka ka mbetur tani është që vetë këngëtari ta konfirmojë lajmin dhe ta presim filmin.
Elvana Gjata, imazhi i ri i “Eagle Mobile”
Këngëtaren Elvana Gjata, përveç muzikës dhe skenës që ajo di më së miri si ta zotërojë, tashmë do ta shihni edhe si imazhin e një kompanie celulare. Ajo do të jetë imazhi i ri i fushatës publicitare të kompanisë “Eagle Mobile”. Shuma e kontratës nuk bëhet ende publike, por duke marrë parasysh popullaritetin e këngëtares, pa dyshim që do të jetë një shifër e kënaqshme për të…
Anxhela Martini, më mirë bionde?!
Modelja shqiptare me famë edhe në botë, Angela Martini, ka postuar një foto në rrjetin social “Instagram”, ku shfaqet me një pamje ndryshe. Jo më brune, por bjonde. Pëlqimet në foto kanë qenë të shumta, por edhe komentet. Normalisht që jo të gjithë e kanë pëlqyer këtë ndryshim të Angelës, duke u shprehur se dukej më mirë brune. Angela po e zhvillon karrierën e saj si modele në Amerikë, ku herë pas here i ndan përjetimet nga projektet e saj edhe me miqtë dhe adhuruesit në rrjetet sociale.
Modelet e çuditshme të Ritës…
Ajo është bërë shumë e njohur pothuajse çdoherë për veshjet e saj të guximshme. Këngëtarja Rita Ora këtë herë kishte veshur të gjitha ngjyrat e ylberit. Ajo mbante një palë geta të zeza rrjetë, një fund dhe bluzë ngjyrë ulliri, mbi të cilin kishte veshur një pallto me ngjyrë portokalli, të bardhë dhe rozë, ndërsa mbi kokë mbante një fjongo si kurore me ngjyrë të kuqe. Ylli i hitit “How we Do”, këngëtarja 23-vjeçare, po merrte pjesë në një festival, ku kishte kombinuar të gjitha ngjyrat. Prania e saj nuk ka kaluar pa u vënë re, pasi një numër i madh fotografësh kanë nxituar të fiksojnë çdo lëvizje të këngëtares.
“Punë Ska”, kënga e “Offchestra” për papunësinë në Kosovë
Grupi muzikor “Offchestra”, që i takon zhanrit “Ska”, së fundi ka nxjerrë një këngë që flet për gjendjen sociale dhe ekonomike në Kosovë. Sipas vokalistit të grupit, Sezgin Curri, kënga është duke u pritur mirë nga publiku. Sikurse kënga edhe videoklipi i saj janë dhënë para disa ditëve në festivalin “Top Fest”, ku është konkurrente me këngë të tjera.




