Trajneri portugez u shpreh mjaft i ekzaltuar për ndeshjen kundër katalanasve
Ai u tha se rezultati ishte shumë emocionues dhe i vështirë për t’u marrë
Hoze Murinjo gjithmonë surprizon. Trajneri portugez është gjithmonë njeriu që bën zhurmë, sa herë që flet për ndonjë temë të caktuar. Hiperbolizimi i çështjeve nga ana e tij është një ndër anët më të forta. Edhe kësaj radhe, strategu i bluve ka lëshuar në intervistë një opinion për sa u përket ndeshjeve më të paharrueshme. Tekniku u shpreh se ndeshja që i ka ngjallur më shumë emocion ka qenë ajo ndaj Barcelonës. Sfida është luajtur në vitin 2010, në kohën kur tekniku akoma ishte nën drejtimin e Interit. Një Inter që në atë kohë ishte magjik dhe fitoi gjithçka. Kujtojmë se ekipi zikaltër arriti që të dilte në finale. Skuadra italiane arriti që të mposhte bavarezët, duke u shpallur dhe mbretëreshë e Evropës. Mirëpo sfida më e bukur ishte ajo ndaj katalanasve, një skuadër që ishte më e frikshmja në atë kohë. Mirëpo u desh që Murinjo të realizonte një magji taktike që të mundte Guardiolën. Ekipi spanjoll atëherë ishte i pamposhtur dhe fitorja e Interit ishte risi. Dy gjysmëfinale rraskapitëse për një Inter që fitoi në limit. Edhe dje, gjatë intervistës, portugezi u shfaq i entuziazmuar teksa fliste për këtë temë. “Në ndeshjen e parë arritëm që të fitonim me rezultatin 3 me 1. Rezultati për ne ishte mjaft i ngushtë. Do të duhej të mbaronte me katër ose pesë gola. Besoj se është një ndër ndeshjet më të mira të luajtura në këto 50 vitet e fundit. E dinim që duhej të luanim mirë në ndeshjen që kishim brenda, pasi e dyta do të ishte mjaft e vështirë. Gjithashtu e dinim që duhej të fitonim doemos në San Siro. Kjo, pasi nëse nuk do të arrinim që të shënonim aty, jashtë do ta kishim të pamundur të fitonim. U treguam të fortë në fushë dhe arritëm që të fitonim 3 me 1”. Ndërsa në “Camp Nou” katenaçoja ishte i detyruar,sipas strategut portugez, që e dinte rrezikun dhe arriti që ta fitonte këtë betejë. “Kur e fillon garën me avantazhin 3 me 1, je i detyruar të luash me 10 burra para porte”, – u shpreh tekniku i londinezëve. Gjithashtu, ai foli edhe për momentet që po kalon skuadra e tij në Premier Ligë. Hoze Murinjo mendon se Arsenali dhe Mançester Siti janë “kuajt e mëdhenj” dhe favoritë për titull, ndërsa Çelsi, sipas tij, është “kali i vogël” në këtë garë. Blutë fituan me rezultat minimal 1-0 në “Etihad Stadium”. Ekipi i Mou-së i dha fund serisë së fitoreve absolute të Sitit në fushën e tij, duke thyer një rekord, por pavarësisht nga fitorja e dytë ndaj skuadrës se Pelegrinit, Murinjo mendon se ata nuk janë në mesin e favoritëve për ta fituar garën. “Ka dy kuaj dhe një kalë të vogël. Kali i vogël ka ende nevojë për qumësht që të punojë dhe të mësojë si të kërcejë. Në garë janë dy kuaj të mëdhenj dhe një kalë i fundit. Një kalë që sezonin e ardhshëm mund të garojë. Ne e kemi mposhtur ekipin më të mirë dy herë. Në ndeshjen e parë ne fituam, pasi Fernando Torres ishte i mahnitshëm, ndërsa dje fituam, sepse ishim ekipi më i mirë”, – u shpreh portugezi. Ai foli edhe për një ndër lojtarët e skuadrës së tij. Sipas tij, Hazard është një ndër më të mirët. Trajneri e vlerësoi atë si lojtari më i mirë i ri. Belgu ka qenë impresionues me paraqitjet e tij, duke u treguar mjaft vendimtar për skuadrën.
Benitez: Liga e Kampioneve, synimi ynë
Rafa Benitez ka mbrojtur politikën e rotacioneve në formacionin e Napolit dhe thotë se kualifikimi në Ligën e Kampioneve është prioriteti i tyre. Napoli gjatë fundjavës u mposht nga Atalanta. Skuadra u pasua me kritika të drejtuara nga spanjolli për shkak të ndryshimeve në skuadër para ndeshjes së mesjavës ndaj Romës. Trajneri spanjoll deklaroi në kuadër të sfidës ndaj Romës: “Liga e Kampioneve është prioriteti ynë, ndaj ne duhet të kualifikohemi. Megjithatë, ne mund të fitojmë diçka këtë vit prandaj përpiqem ta menaxhoj skuadrën. A i mungoi motivimi skuadrës te Atalanta? Arsyet dhe rezultatet janë gjëra të ndryshme. Dështimi i skuadrës nuk ka qenë për shkak të mungesës së përpjekjeve të tyre. Nëse ne humbim nuk është për shkak të formacionit tjetër, por është sepse lojtarët e bëjnë diferencën. Kontributi i trajnerit është rreth 20 për qind. Gjithçka që mund të ndryshojë dhe të arrihet, bëhet për shkak se ai ka skuadrën në dispozicion të tij. Ndonjëherë ju duhet të merrni rreziqe, kur keni një skuadër e cila nuk ka opsionet e të tjerëve. Unë pranoj kritikat, por punoj në mënyrën time. Kampionati është i rëndësishëm, por ne jemi në gjysmëfinale të Kupës dhe do të përpiqemi të arrijmë në finale”, – është shprehur ish-i i Liverpulit.
Hidhet shorti i Kupës së Botës në basketboll
Kupa e Botës në basketboll që zhvillohet në Spanjë, ka vendosur skuadra të forta përballë njëra-tjetrës. Organizatorët e Spanjës do të jenë në grupin A, me Serbinë, Francën dhe Brazilin, ndërsa përfaqësuesja amerikane do të jetë në grupin C, së bashku me Turqinë, Finlandën dhe Ukrainën. Në këtë botëror, që do të nisë me 30 gusht dhe do të përfundojë me 14 shtator, do të marrin pjesë 24 skuadra përfaqësuese. Ndeshjet paraeliminatore do të luhen në Bilbao, Gran Kanaria, Granada dhe Sevilje, ndërsa ndeshjet çerekfinale, gjysmëfinale dhe finalja e madhe do të luhen në Barcelonë dhe Madrid. Gjatë ceremonisë së shortit janë prezantuar topat që do të përdoren në këtë botëror dhe maskota e këtij eventi.
Iniesta: Siti ndaj nesh nuk ka shanse
Fantazisti Andres Iniesta e pranon se Mançester Siti ka befasuar me golavarazhin e jashtëzakonshëm, por lojtari spanjoll këmbëngul se ata nuk mund t’u shënojnë atyre goleadë. Të dyja ekipet do të përballen në fazën e 1/8-ve të Ligës së Kampioneve këtë muaj. Ndërkaq, sulmuesi i “Citiziens”, Serxho Aguerro, do të mungojë në takimin e parë, për shkak të një dëmtimi. Katalanasi paralajmëron ekipin e Manuel Pelegrinit, duke lëshuar sinjalet e para. Sipas tij, në fund do të jetë Barça e tij, që do të kualifikohet për në fazën pasardhëse. “Pa dyshim që ne i kemi parë me vëmendje rezultatet e Mançester Sitit. Ato kanë qenë shumë mbresëlënëse. Ata duket se janë të aftë që në një takim të shënojnë 4 ose 5 gola me lehtësi dhe jo kundër ndonjë rivali dosido, por ndaj disa prej ekipeve më të mira në Angli. Kanë fuqi të madhe në sulm dhe kudo në fushë, por nuk do të na shënojnë ne dot 4 ose 5 gola, siç u ndodhi me Totenhemin. Ata nuk kanë shanse ndaj nesh”, – ka thënë Iniesta.
Tonies: Drakslerin nuk mund ta mbajmë përgjithmonë
lemens Tonies ka pranuar se klubi i tij nuk mund ta mbajë Julian Drakslerin në periudhë afatgjatë. 20-vjeçari u kërkua shumë nga Arsenali në janar, mirëpo klubi gjerman e refuzoi ofertën. “Nuk mund ta mbajmë përgjithmonë një supertalent si Juliani. Po ashtu, nuk do të ishte e drejtë që t’i ndalnim lojtarët të mos hipin në trenin që po i pret. Ne po bisedojmë vazhdimisht. I kam thënë se duhet të qëndrojë te ne edhe dy ose tri vite”. Ndërkohë, ai e ka bërë të qartë se Draksleri nuk do të shkojë te Bajerni i Mynihut. “Ai nuk do të shkojë te Bajerni, e di këtë”, – u shpreh Tonies.
Hernanes: Te Interi, jo për para
Braziliani Hernanes thotë se kalimi nga Lacioja tek Interi nuk ishte i motivuar nga paratë. Sipas tij, qëllimi ishte ambicia për të arritur ëndrrat e tij. Mesfushori brazilian kaloi ne “Meaca” në ditën e fundit të afatit të janarit për 20 milionë euro. Kjo lëvizje nxiti pakënaqësi të mëdha te tifozët e klubit kryeqytetas. “Dua të sqaroj se askush nuk më ka detyruar të flas. Zgjodha të largohesha dhe nuk ishte çështje parash. Pas tre vitesh e gjysmë fantastike, ku gjithmonë jam trajtuar me dinjitet nga Lotito dhe Tare, kuptova se nëse dua të luaj në Ligën e Kampioneve ose ta fitoj Scudetto-n, duhet të provoja diçka të re. Me Lacion, unë dhe bashkëlojtarët e mi nuk ishim në gjendje që të arrinim qëllimet e caktuara, prandaj, kur më erdhi shansi, e shfrytëzova”, – ka thënë Hernanes për “Gold TV”.




