Revista “Appetite” arrin në konkluzionin se konsumimi i një molle para dreke mund të ulë sasinë e kalorive të përftuara deri në 15%. Studimi tregoi se ata që hanin një mollë para vaktit merrnin 185 kalori më pak dhe e konvertuar në peshë trupore do të thotë 680 gr më pak në muaj ose 8.2 kg në vit. Nëse ju hani edhe një mollë para darkës rezultati mund të dyfishohet. Por të mos keqkuptohemi. Nëse ju mendoni se mund ta zëvendësoni mollën me ndonjë kek molle, mollë të pjekur a diçka të ngjashme, rezultati mund të marrë drejtimin e kundërt. Pra, hiqni dorë nga dietat e forta, apo pilulat e farmacive, sepse ka mënyra më të natyrshme për të zvogëluar peshën tuaj trupore. Nëse hani nga një mollë para vakteve të ushqimit, ju zvogëloni sasinë e kalorive që do të merrni dhe shifra është e konsiderueshme. Molla ka pak kalori. Ajo krijon ndjesinë ngopjes dhe rregullon florën intestinale, falë sasisë së madhe të fibrave.
Vitamina E ul zhvillimin e diabetit
Hulumtimet finlandeze kanë treguar se ushqimi i pasur me vitaminë E ul rrezikun e zhvillimit të diabetit të llojit 2. Studimi i realizuar kohë më parë kishte zgjatur plot 23 vjet dhe kishte analizuar mbi katër mijë persona të moshës nga 40 deri në 69 vjet. Rezultatet kanë treguar se personat të cilët konsumojnë ushqim të pasur me vitaminë E kanë rrezik 30 për qind më të ulët të preken nga diabeti krahasuar me personat tjerë. Po ashtu është vërejtur se edhe personat të cilët konsumojnë sasi të larta të karotenoideve, përbërësve që gjenden në frutat dhe perimet me ngjyrë të kuqe, verdhë dhe të gjelbër, po ashtu kanë rrezik më të paktë të preken nga diabeti tip2.
Aktiviteti fizik të zgjat jetën
Personat të cilët rregullisht aktivizohen fizikisht, jo vetëm që janë më të shëndoshë për aq sa jetojnë, por edhe jetojnë më gjatë Studiuesit kanë analizuar ADN-në e njeriut, dhe kanë vërejtur se personat të cilët janë aktiv kanë kromozome më të shëndetshme dhe të cilat ndihmojnë në ndarjen dhe prodhimin e qelizave të reja të cilat ruajnë jetëgjatësinë dhe pengojnë plakjen Në anën tjetër, te personat të cilët nuk janë aktiv, kromozomet nuk arrijnë të kryejnë si duhet punën e tyre, dhe personat e tillë janë më të ekspozuar ndaj sëmundjeve si kardiovaskulare, diabeti dhe kanceret.




