Driçim Çaka
Shtohen 56 barna të reja, përfitojnë fëmijët, gratë shtatzëna, pensionistët, të sëmurët me kancer, të sëmuret kardiakë
Fondi i Sigurimeve Shëndetësore ka miratuar listën e barnave të rimbursueshme, listë e cila ka marrë “OK” dhe nga Këshilli i Ministrave. Në listën e re vihet re shtimi i 56 barnave të reja dhe e çon numrin total të barnave të rimbursueshme në 477. “Kemi bërë të mundur pasurimin e listës së barnave të rimbursueshme me 56 barna të reja, mes të cilave formëdoza të reja dhe kombinime të reja barnash, duke e çuar në 477 numrin e barnave në listën e rimbursimit”, – u shpreh pas miratimit të listës së re të barnave të rimbursueshme, drejtori i Përgjithshëm i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, Astrit Beci. Lista e barnave të rimbursueshme është zgjeruar për të gjitha kategoritë, veçanërisht për fëmijët, gratë shtatzëna, pensionistët, të sëmurët me kancer, të sëmurët kardiakë etj. “Këtë vit, do të kemi përmirësim të ndjeshëm në trajtimin e disa nozologjive, si: diabeti, anemitë, sëmundjet kardiake, gjithashtu në trajtimin e të sëmurëve me kancer, në neurologji, në nefrologji, në kujdesin paliativ, në dermatologji, gjinekologji, urologji, shëndetin mendor, alergiologji dhe okulistikë. Por, risia më e madhe e këtij viti është trajtimi i disa sëmundjeve të pambuluara më parë nga lista e barnave të rimbursueshme”, – theksoi Beci. Për ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj, miratimi i listës së re të barnave të rimbursueshme është një tregues i qartë sigurisë, inovacionit dhe progresit. Në vitin 2014, do të kemi përmirësim të ndjeshëm në trajtimin e disa nosologjive si: diabeti, anemitë, sëmundjet kardiake, gjithashtu në trajtimin e të sëmurëve me kancer, në neurologji, në nefrologji, në kujdesin paliativ, në dermatologji, gjinekologji, urologji, shëndetin mendor, alergologji dhe okulistikë”, – u shpreh Beqaj gjatë një konference për shtyp. Nga data 1 prill nuk do të ketë më TVSH apo taksë mbi shëndetin për barnat 10%, por barnat do të jenë të përjashtuara.
Kush përfiton?
Janë shtatë diagnoza të reja që mbulohen nga lista e barnave të rimbursueshme këtë vit. Disa lloje kanceri trajtohen aktualisht nga lista e barnave të rimbursueshme dhe në listë janë futur kombinime që përmirësojnë trajtimin e tyre, por do të mbulohen nga lista e rimbursimit edhe lloje të tjera kanceri si ai i pulmonit, kanceri rektal, i lëkurës, i heparit etj. Bëhet fjalë për rreth 600 pacientë më shumë që do të përfitojnë nga barnat e reja për trajtimin e disa lloje kanceri. Trajtimi i Hepatitit B dhe C (janë përfshirë në listë barna që nuk lejojnë kronicizimin e sëmundjes si dhe barna për mjekimin e hepatiteve). Parandalimi i trombozave – barna që përdoren pas ndërhyrjeve kirurgjikale si dhe në gratë shtatzëna që vuajnë nga venat varikoze, në 3 mujorin e fundit të shtatzënisë. Çrregullimet hormonale te fëmijët me pubertet të hershëm. Osteoporoza te gratë. Për herë të parë gjithashtu është përfshirë një bar për të ulur një plagë sociale si alkooli. Bëhet fjalë për një medikament për varësinë ndaj alkoolit. Degjenerim i syrit që të çon në verbëri. Fondi i listës së barnave është rreth 8.4 miliardë lekë të reja dhe do të mbulohet nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore. Lista e re pritet të hyjë në fuqi më datë 1 prill.
Ne gazeten e sotme Standard (date 13 mars), ne versi0nin print dhe pdf mund te lexoni listen e sakte.




