Mësuam të ndajmë vetëm ndjenjën tonë!

Sibila Petlevski

 

Edgar Degas woman on a terrace young woman and ibis 1857Sibila Petlevski, poete, romanciere, autore pjesësh për teatër, kritike arti dhe përkthyese, lindi në Zagreb, Kroaci, në vitin 1964. Në vitin 1993 ajo fitoi Çmimin Shtetëror për Artet dhe Letërsinë me përmbledhjen poetike “100 epigrame aleksandrine”. Sibila Petlevski është autore e 15 librave dhe ka përkthyer e botuar gjithashtu edhe një antologji të poetëve bashkëkohorë amerikanë: “Spin off, an anthology of recent American poetry”, Zagreb 1991. Poezia e saj dhe fragmente nga proza janë përkthyer në gjermanisht, anglisht, frëngjisht, italisht, holandisht, suedisht, në gjuhën katalane, sllovenisht, polonisht, maqedonisht, bullgarisht, portugalisht, shqip dhe sllovakisht.

 

 

 

 

 

 

Koha

 

Sikur nga këto pozita t’i them kohës

ndalo nën vishnjen që vishnje nuk

prodhoi, nuk do më vinte keq. Asnjë

orë nuk është më e mirë se tjetra dhe pak

rëndësi ka nëse krimbi mëdafshit me vija

në tavolinë nga dega ra, apo ky është pendim

me njëqind këmbë që u zvarrit së njëjtës rrugë

së cilës erdhi dhe gjithçka tjetër. Nëpër

 

tokë a qiell s’është me rëndësi. Pilivesë,

bulkth, karkalec, kalëqyqe, mizëkali

ose diçka e ngjashme me të. Emri nuk është

shenjë besnike që sendi të jetë send, gjallesa

gjallesë, që çfardo qoftë i takon diçkaje çfardo,

kushdo qoftë dikujt tjetër. Kur do të mundnim,

bashkë t’i thoshim kohës ndal, ajo do t’i ndalte

secilit prej nesh në një kohë tjetër.

 

 

Vëzhgues në kalim

 

Shumë pemë. Pemë pas pemëve:

në të gjitha ndërhapsirat rombe

toke ngjyrosur me diell vezullojnë

në bojën e lëkurës së portokallit anës

qëndisur me hije. Tërësisht përpara, trungjet

lodrojnë në dukje krejt të zi dhe

secili dru ndjek qerthullin e rritjes

që i takon, ndonëse konturet në tërësi,

 

dalldisur në njërin krah, shfaqin të zhveshura,

zbehtësisht gështenjë, vagina të vogla

e të mëdha në pajtim me ritmin, ashtu

siç hapet dhe mbyllet pylli ndaj vështrimit. Ai

vetëm është vëzhgues në kalim e asgjë më shumë;

nuk le pas vetes asgjë përveç se ca pak

gjethe të lagështa që po çelin dhe një sy

prej drite në fund të tunelit të blertë.

 

 

 

Syri i ri

 

Nuk pritëm të vinte lejleku i parë mbi çati

por vetë i vendosëm çerdhet mbi oxhaqe.

Kaloi koha e çuditjeve në të cilën vlente rregulli

që çdo send për një sy të ri është diçka e re.

Vdekatarët qetësisht prej të vdekurve ngrihen,

 

jetojnë njerëz pa ideale,

liria mbahet si zinxhir stolie, për të nuk vdiset më

shumë se për gjithçka tjetër, prej gjakut marrim vetëm

 

ujin, ndërsa veshët i ruan nga fjalët dhe muzika

rrëshira e natyrës.

Koha dhe hapsira serviren të paketuara. Gjithë shqisat

tona të cilat qenë mbledhur nga frika në sferë, pak

nga pak drejtohen, mu si thellimet në tru. Jeta rrjedh

si rrymë. Ka apo nuk ka jetë: njëshi apo zero.

Mësuam të ndajmë ndjenjat që ishin vetëm tonat

si pasqyrimi në ujë: sa gota, aq dhe hëna në ujë.

 

 

 

Qeni di më mirë

 

Fillimisht nuk e kemi të qartë nëse mjafton ajo

që tepron kur bien petalet, e më pas bëhet mani

përshkrimi bukurisë tepricës së cilës s’dimë t’i shpëtojmë.

Të bindur se rënia domosdo shkaktohet nga diçka,

themi fajin e ka era. Fajtor do të qe dhe asfalti i patharë

nëse qeni do t’i linte aty shenjat e putrave, fajtor do të ishte

dhe qeni i cili shëtitjes së rastit arriti të linte gjurmë jetëgjatë,

me kushtin që të ketë rastësi nga e cila të mund të

 

shkëpusim përjetësinë. Duart i kam plot me lule e rrënjë,

ka thënë shitësi i trandafilave i cili u duk si djalosh

matuf kur tha, bash si do të thoshte shamani indian

i kam duart plot me rroba me të cilat do të vishet toka.

Mund të blinim dhe të shkonim. Mund të blinim dhe të mbillnim

trandafila, t’i vendosnim një pas një në të lagësht, në bitumin e zi

e të jemi fajtorë që rrënjët s’do të zenë asnjëherë.

Edhe qeni di më mirë se ne të shenjojë kufijtë e botës së tij.

 

 

Prekja

 

Zemra e malit. Ftohur nga prekja

me shkëmbinjtë mbi të cilët toka

nën dëborë ruan vetëm aq

nxehtësi sa është e nevojshme. Frymarrja

bëhet më e rëndë. Thundrat trokasin nëpër

vezën e gurëzuar njerëzore. Jeta e ruajtur mund

të jetë e ruajtur me kusht dhe vetëm sipas rregullit

i cili deri më tash këtu nuk ka qenë i njohur.

 

Prekur gjer në lot me formën e cila në fakt

nuk përpiqet sa duhet t’i përngjasë jetës siç e dimë,

megjithatë kohë pas kohe jemi të prirur të kërkojmë

zemrën e fëmijës në syrin e gurit për të cilin mendojmë

se duhet të jetë i verdhë e i mbarsur dhe se ky

embrion i ngjan bebes së syrit si dëshmi që

i porsalinduri i huaj do të na njohë dhe pranojë

ashtu si zogu nga veza pranon dhe ndjek të parin që sheh.

 

 

 

Brishtësi

 

Merimanga ka tendosur mrekullinë e saj

ndërmjet sythit jeshil dhe degës së vjetër.

E dobta dhe forta së bashku mbajnë fijet.

Ndërthuren me dritën fijet dhe tani

pamja duket si pluhur në kordonin e diellit

në pasdite të zakonshme vere. Por nuk është.

Rastësia sajon botë të vetat në të njëjtën

mynyrë siç flaka përkund gjuhët kaltëroshe e të

 

bardha përreth kokës së zjarrit. Duket e lehtë si

merimangë. Por nuk është. Natën po ajo do përftohej

ndryshe: ngjashëm me një skelet të imët, me krahë

të varur, si xhindi që ka humbur fenë

dhe vdiq siç vdesin qyqarët. Senset i ikin

kontrollit: hyjnë pa u thelluar në mardhënie

dashurie, pleksen në thurje ta tejpashme dyfish.

Brishtësia i ngjan vdekjes: bashkon gjithçka me të gjitha.

 

 

E tillë është koha

 

Kudo që të shkosh përsërit sesi

në kohë dështimesh dhe sëmundjesh

ilaç bëhet helmi. Shiko:

ai burri atje që kërcen nga

dritarja e mbyllur nuk di të heqë

dorë në të njëjtën mynyrë si unë dhe

ti. Sëmundjet tona mbajnë emra

të ndryshëm. Asgjë nuk na lidh përveç

 

dështimit. Ndërsa unë numëroj të qepurat

ti kapesh për thike. Ndërsa ti prêt me teh

unë zgjas dorën për kafshim. As qeni

s’e honeps dorën e shtrirë kështu.

Edhe gjarpëri refuzon të sulmojë. Ajo që

te gjarpëri nuk ka më ilaç për ne

nuk përbën shkak që ta vrasim. Nuk jemi

ne të pashërueshëm, e tillë është koha.

Përktheu nga origjinali kroatisht: Fatmir S. Baçi

 

 

Share it :
Mato: Pastrimi i parave në ndërtim po lë të rinjtë pa strehë: Të monitoren transaksionet Në një kohë kur Tirana dhe zonat turistike të Shqipërisë përjetojnë një bum të jashtëzakonshëm ndërtimi, me kulla që ngrihen çdo ditë, një pyetje thelbësore po shqetëson gjithnjë e më shumë publikun: nga vijnë të gjitha këto para? Alarimin e ngriti Fanswa Mato, anëtar i departamentit “Brain Gain” në PD, i cili nga tryeza e diskutimit ‘Qeveria e Pasigurisë – dhe alternativa e opozitës’, denoncoi se pas fasadës së projekteve luksoze fshihet fenomeni i pastrimit të parave, duke e deformuar tregun dhe duke e bërë të pamundur për qytetarët e zakonshëm blerjen e një shtëpie. Mato, një profesionist me përvojë në menaxhimin e ndërtimit në Neë York, thekson paradoksin e hidhur të realitetit shqiptar: ndërsa miliona metra katrorë ndërtohen çdo vit, çmimet e apartamenteve kanë arritur nivele të papërballueshme për familjet mesatare. Fanswa Mato: Përvoja ime personale më ka dhënë mundësi të punoj në një mjedis ku standardet, transparenca dhe rezultatet konkrete janë thelbësore. Pikërisht kjo eksperiencë më motivon të kontribuoj me njohurinë dhe përvojën time për çështjet që lidhen me zhvillimin, mirëqenien dhe të ardhmen e Shqipërisë. Sot dua të flas për një nga problemet më serioze që po dëmton ekonominë shqiptare dhe po rëndon jetën e qytetarëve tanë: pastrimin e parave në sektorin e pasurive të paluajtshme dhe në ndërtim. Gjatë viteve të fundit kemi parë një bum të jashtëzakonshëm ndërtimesh, sidomos në Tiranë dhe në zonat turistike, ku kulla të reja ngrihen çdo ditë, projekte luksoze shtohen me ritme të shpejta dhe miliona metra katrorë ndërtohen çdo vit. Por pyetja që ushtrojnë shqiptarët është shumë e thjeshtë: nga vijnë të gjitha këto para? Sepse realiteti është ky: ndërsa ndërtohet gjithnjë e më shumë apartamente, qytetarët shqiptarë e kanë gjithnjë e më të vështirë të blejnë një shtëpi. Çmimet janë rritur në nivele të papërballueshme për familjet e zakonshme. Të rinjtë nuk arrijnë të sigurojnë një strehim, ndërsa shumë apartamente mbeten bosh dhe përdoren vetëm si instrumente financiare. Ky është paradoksi i Shqipërisë sot. Në njërën anë kemi një mbingopje me ndërtime, nga ana tjetër kemi mungesë strehimi për qytetarët. Kjo nuk është ekonomi normale tregu. Kjo është pasojë e deformimit të tregut nga paratë informale dhe nga mungesa e kontrollit shtetëror. Sipas të dhënave dhe analizave të institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare, Shqipëria ka pasur për vite me radhë probleme serioze në luftën kundër pastrimit të parave dhe organizata të rëndësishme ndërkombëtare kanë evidentuar dobësi në kontrollin financiar dhe në monitorimin e sektorit të ndërtimit. Gjatë analizës së këtij fenomeni, janë përdorur të dhëna nga institucione si Banka e Shqipërisë, INSTAT, Agjencia e Inteligjencës Financiare dhe FATF. Janë zhvilluar gjithashtu biseda me profesionistë të tregut, agjentë imobiliar, noterë dhe ekspertë financiarë. Të gjitha këto tregojnë se ekziston një shqetësim real për mënyrën se si fondet e dyshimta depërtojnë në ekonominë shqiptare. Mekanizmat janë të ndryshme. Në shumë raste përdoren kompani me burime financiare të paqarta, përdoren pagesa të mëdha kesh, transferta të dyshimta dhe forma të tjera që e bëjnë të vështirë gjurmimin e origjinës së parave. Në disa raste kemi dhe kompani që nuk justifikojnë nivelin e investimeve që realizojnë. Dhe kush e paguan koston e kësaj situate? E paguajnë qytetarët shqiptarë, e paguajnë familjet e reja, e paguajnë bizneset e ndershme, e paguan ekonomia e vendit. Sepse kur paratë e paligjshme futen në treg, konkurrenca bëhet e padrejtë. Çmimet rriten artificialisht, korrupsioni forcohet, besimi tek shteti dobësohet dhe në fund humb qytetari i zakonshëm që punon me ndershmëri. Si opozitë, ne kemi detyrimin moral dhe politik të ngremë zërin për këtë problem. Shqipëria nuk mund të ndërtojë të ardhmen mbi ekonomi informale dhe mbi mungesë transparence. Ne kemi nevojë për institucione të forta, për kontroll real financiar dhe për shtet ligjor funksional. Ne kërkojmë rritje të transparencës në transaksionet e pasurive të paluajtshme, kufizim të pagesave kesh në sektorin e ndërtimit, kontroll më të fortë mbi burimin e fondeve, monitorim më rigoroz të kompanive të ndërtimit, bashkëpunim më të madh mes institucioneve financiare dhe organeve ligjzbatuese. Ky nuk është thjesht një debat politik. Ky është një debat që prek ekonominë e vendit, të ardhmen e të rinjve dhe mundësinë që qytetarët shqiptarë të jetojnë me dinjitet në vendin e tyre.