Ndeshja ndaj Zvicrës dhe Argjentinës do të jetë sfida e parafundit për të prerë çerekfinalistin e radhës. Një sfidë e cila do të provojë të vërë përballë disa të vërteta. Dy skuadra të cilat kanë treguar një performancë të mirë dhe pak a shumë në të njëjtin nivel. Kurse në krahun tjetër do të jetë përballa e dy prej lojtarëve më të dalluar, Shaqirit dhe Mesit. “Pleshti” dihet se kush është dhe se çfarë mund të bëjë, pasi këtë e tregojnë katër Topat e Artë. Mirëpo edhe Shaqiri nuk mbetet mbrapa pas tre golave të shënuar ndaj Hondurasit. Një performancë mjaft e mirë nga ana e kosovarit që ka tërhequr mjaft vëmendjen me lojën e tij. Xherdani ka deklaruar se është shumë i kënaqur me arritjet e tij dhe të bashkëlojtarëve me përfaqësuesen helvetike. Futbollisti i Bajernit të Mynihut është duke kaluar një formë të mirë në Botërorin 2014. Ai shënoi het-trik në fitoren e Zvicrës kundër Hondurasit (3-0).Shaqiri premton se ekipi zviceran do të japin maksimumin për ta befasuar Argjentinën në sfidën e radhës në kuadër të së tetës së finales. “Do të jetë një ndeshje e mrekullueshme dhe përderisa ne nuk jemi favoritë, ne do të bëjmë çfarëdo që të mundemi. Gjithçka është e mundur për ne, nuk i dihet. Kjo ka qenë një ëndërr për ne: Zvicër e vogël në Kupën e Botës. Dhe tani ne jemi në rrethin e 16-të të fundit, ne me të vërtetë mund të jemi krenarë”, – ka deklaruar. Ndërkohë që përballja e veçantë është edhe për një tjetër lojtar. Bëhet fjalë për Mehmedin, i cili luan te Frajburgu. Lojtari ka bërë një paraqitje mjaft të mirë në këto ndeshje, duke u bërë një pikë kyçe e skuadrës. Admir Mehmedi tha se është e veçantë për helvetët, pasi për herë të parë ekipi luan në 1/8 e finales së Kupës së Botës ‘Brazili 2014’. “Është një ndeshje e veçantë sepse për herë të parë që nga Botërori 2006 do të luajmë në 1/8-at dhe për më tepër kundër një vendi të madh siç është Argjentina, që është edhe një prej favoritëve. Zvicra gjithsesi është krenare për ne, por nëse do të bënim surprizën, atëherë një entuziazëm i madh do të shpërthente në vendin tonë, ndoshta edhe në të gjithë botën”, – ka deklaruar tetovari. Ndërsa nga kampi argjentinas duket se situata nuk ka ndërlikime. Latinët kanë zhvilluar një fazë të mirë në grupe, edhe pse ekipi është varur nga golat e Mesit. Lojtari katalanas ka bërë gjithçka për të çuar ekipin para, duke u treguar një lider i vërtetë. Në lidhje me takimin ka folur portieri i bardhekaltërve, Romero. Romero ua ka frikën gjuajtjeve të shqiptarit Shaqiri në lojë, pasi ka treguar edhe në raste të tjera që është i rrezikshëm. Pas Havier Maskeranos, është portieri i të kaltërve ai i cili e ka etiketuar bavarezin si rrezikun kryesor për argjentinasit. Gardiani i Monakos theksoi se Shaqiri është shumë i rrezikshëm kur merr topin në kontroll. “Ata kanë një sulm të fuqishëm. Kur Inleri e merr topin, ai e vendos tempin e lojës dhe kur Shaqiri është me topin, ai mund të jetë shumë i rrezikshëm. Nëse ne në mbrojtje luajmë një lojë të sigurt, atëherë mund t’i ndihmojmë sulmuesve tanë ta fitojmë ndeshjen”, – ka thënë Romero për mediat argjentinase.
Belgjika në garë me SHBA-në për biletën e fundit
Belgjika dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të zbresin në fushë për të përcaktuar se cila prej tyre do të jetë skuadra e fundit çerekfinaliste e Brazil 2014-ës. Kombëtarja e drejtuar nga Mark Vilmotsi do të kërkojë të mbërrijë sërish në çerekfinalet e një Kupe Bote që pas vitit të largët 1986, ndërkohë që të njëjtën gjë kërkon edhe Amerika e Jurgen Klinsmanit, edhe pse përpara fillimit të Botërorit kishte pak shanse për të avancuar në raundin tjetër. Belgjika vjen plotë me probleme në këtë përballje, pasi përveç mbrojtësit Van den Borre, që i ka dhënë lamtumirën Botërorit për arsye dëmtimi dhe Steven Defurit që është skualifikuar, djajtë e kuq rrezikojnë të mos kenë të gatshëm për këtë sfidë kapitenin Vinsent Kompani, mbrojtësin Tomas Vermalen si dhe mesfushorin Maruin Fellaini. I sigurt është fakti që Hazard, De Bruyne dhe Mertens do të mbështetësin sulmuesin e vetëm që do të jetë një mes Lukakut dhe Origit. Më pak alarmuese situata te Shtetet e Bashkuara të Amerikës megjithatë gjendja e mesfushorit Xhermen Xhons po shqetëson jo pak trajnerin Klinsman, që do të vendosë vetëm pak përpara fillimit të sfidës nëse do ta hedhë në fushë ish-lojtarin e Shalkes. Lajm i mirë për trajnerin gjerman është se sulmuesi Xhozi Altidor është rikuperuar nga dëmtimi që pësoi në sfidën e parë me Ganën dhe mund të luajë për disa minuta, ndërkohë që ashtu si në përballjen me Gjermaninë edhe për këtë sfidë Omar Gonzales e ka fituar betejën me Kameronin në qendër të mbrojtjes dhe do ta nisë si titullar.
Reali pranë nënshkrimit me Toni Krosin
Galaktikët nuk ngopen dhe çdo merkato tentojnë të nënshkruajnë yje. Toni Kros do të jetë blerja e parë e Realit të Madridit për sezonin 2014-2015. Sikurse informon spanjollja “Marca”, tashmë është arritur marrëveshja mes lojtarit dhe drejtuesve të “Los Blancos” që do të paguajnë deri 30 milionë euro për kompletimin e këtij transferimi. Kros do të nënshkruajë një kontratë 5-vjeçare me madrilenët në bazë të së cilës do të përfitojë 5 milionë Euro në sezon. 24-vjeçari thuajse të njëjtën pagë kishte edhe te Bajerni, por në kryeqytetin spanjoll mendohet se shuma do të rritet ndjeshëm me bonuset. Gjithsesi nga ajo që raporton “Marca” nuk thuhet nëse Reali ka gjetur gjuhën e përbashkët me Bajernin e Mynihut që zotëron kartonin e lojtarit me kontratën që i përfundon në vitin 2015.
Herrera: Meksikën e eliminoi arbitri
Migel Herrera deklaroi se Meksika u eliminua nga Kampionati Botëror, si pasojë e vendimeve të gjyqtarit. Amerikanojugorët ishin në epërsi prej 1-0 deri në minutën e 88-të, kur Shnajder e barazoi rezultatin, ndërsa në minutat shtesë, arbitri Pedro Proença akordoi penalti, të cilën e konvertoi në gol Klas-Jan Huntelar. I pyetur pas ndeshjes se pse humbi skuadra e tij, Herrera u përgjigj: “Arsyeja ishte arbitri. Ai na eliminoi nga faza tjetër. Goli i parë ishte për shkak të një gabimi nga ana jonë. Roben simuloi tri herë, ndërsa arbitri u desh që t’i jepte karton që herën e parë. Arbitri është dashur ta ndëshkonte djaloshin që përpiqej ta bënte me hile. Po të ndodhte ashtu, atëherë Roben nuk do ta bënte për të dytën herë. Nëse nuk bën asgjë herën e parë, lojtari e di se nuk do të përjashtohet. Kur caktojnë një arbitër nga konfederata që është e njëjta me kundërshtarin, atëherë duhet të fillosh të pyesësh veten se pse atëherë ekzistojnë arbitrat nga konfederata, si Azia, Afrika etj.”, – është shprehur Herrera.




