Letra e lamtumirës, babai: Na falni nga qielli dashurinë që s’ditëm t’jua japim
Rinas, sot mbërrijnë trupat e pajetë për t’u dërguar në Kukës, për ceremoninë e fundit mortore
Itali
Qindra italianë kanë marrë pjesë në meshën e organizuar në kujtim të tri vajzave të mitura shqiptare, të cilat u masakruan mëngjesin e të dielës nga nëna e tyre, Edlira Dobrushi. Ne meshë kanë qenë të pranishëm familjarë, shokë shkolle të vajzave, mësuesit, miq, fqinj, por edhe të panjohur që kanë dëgjuar meshën e mbajtur në kujtim të vajzave në Bazilikën San Niccolo në Leko. Në radhën e parë ishin babai dhe të afërm të vajzave të vogla. Përballë, tre arkivolet e bardha me shumë lule dhe fotot e tre engjëjve që fshehin tragjedinë që jeta i rezervoi mbrëmjen e 9 marsit 2014, në shtëpinë ku mendonin se ishin më të sigurta se askund tjetër. I gjithë qyteti i Lekos mban zi dhe është solidarizuar me dhimbjen e familjes Dobrushi, por dhe për t’i dhënë mundësi kujtdo që t’i japin lamtumirën e fundit Sindit, Keisit dhe Simonës. Edhe dy ditë më parë, ashtu si dje, qindra qytetarë, por mbi të gjithë fëmijë kanë dhënë lamtumirën e fundit. Homazhet u zhvilluan në qendrën e pritjes “Casa sul Pozzo”, përballë xhamisë në Leko. Një fotografi gjigante e tri vajzave ishte vendosur në hyrje të dhomës. Pranë ishte ulur babai i tyre i rrethuar nga të afërmit. Në hyrje ndodhej edhe një poster i madh, ku poshtë fytyrave të Sidnit, Keisit dhe Simonës, shkruhej “Lamtumirë!” Shumë prej shokëve të shkollës kishin lënë mesazhe ngushëllimi, vizatime, fotografi dhe zemra të ngjyrosura. “Na vjen keq për ju që nëna juaj ishte e sëmurë”, – thoshte një prej të pranishmëve. Gati të gjithë kishin sjellë buqeta me lule të bardha dhe vizitat e qytetarëve, shqiptarë dhe italianë vazhduan deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme. Gjithashtu dje, rreth orës 19:00, bënë homazhe edhe konsullja e Përgjithshme e Shqipërisë në Milano, Luljeta Çobanaj, Prefekti i Lekos, presidenti i Provincës së Lekos, Daniele Nava, dhe kryebashkiaku i Lekos Virginio Brivio. Sot në orën 10:00 pritet që trupat e pajetë të tri motrave pritet të mbërrijnë në aeroportin e Rinasit. Më pas do të drejtohen drejt Kukësit, pasi do të përcillen për në banesën e fundit në fshatin e babait të tyre, Dobrush.
Letra
Gjatë celebrimit, u lexua një letër e shkurtër, por mjaft e ndjerë e shkruar nga babai i vajzave, Bashkim Dobrushi. “Të dashura Simona, Keisi e Sindi. Është babai juaj ai që ju shkruan me zemrën të mbytur nga dhimbja. Ju shkruaj në emër të gjyshërve, xhaxhallarëve, të afërmve dhe miqve të familjes. Nuk arritëm ta kuptonim, shikonim vetëm dashurinë e madhe që dëshironim t’u shprehnim. Ju kërkojmë falje dhe shpresojmë që nga qielli ku ju tani jeni të kapura përdore të mund të kuptoni dhimbjen tonë. Do të na mungoni pafundësisht, do të na mungojnë buzëqeshjet tuaja, përqafimet tuaja, kurioziteti juaj, do të na mungojnë të gjitha momentet e kaluara së bashku dhe dëshira juaj për të jetuar, projektet tuaja dhe ëndrrat tuaja. Do dëshiroja ta shkëmbeja jetën time me tuajën për t’ju dhuruar një të ardhme që ju mohua, të ndaloja kohën për një moment më parë për t’iu dhuruar një të ardhme më të bukur. Falmëni, ju lutemi të na doni më shumë nga lart sepse ne kemi shumë nevojë. Na jepni mbrojtjen tuaj, atë dashuri që nuk ishim në gjendje t’ua jepnim dhe që do të mund të jap sado pak paqe në zemrat tuaja. Ju dua pafundësisht dhe do t’u mbaj përherë në zemër”. Bashkim Dobrushi është një person i shkatërruar pas asaj që ndodhi, nga fjalët e tij burojnë meraku dhe dyshimet që nuk qe në gjendje të kuptonte atë çka po ndodhte, flet për vajzat dhe një mendim shkon edhe për ish-gruan: “Nuk do gjej paqe për atë që ndodhi, por nuk dua të gjykoj nënën tuaj, dua të kuptoj edhe pse nuk jam i aftë, dua të kuptoj edhe pse nuk jam në gjendje. Ju përgjërohem, nga parajsa ku shikoni gjithçka, na jepni forcë për të përballuar këtë dhimbje”.
Letra e shokëve të shkollës
Por, edhe shokët e shkollës së Simonës kishin përgatitur letrën e tyre të lamtumirës: “Përshëndetje Simo. Fluturove nga kjo jetë shumë shpejt, tashmë je një engjëll që po na sheh nga aty lart. Shpresojmë që aty ku je tani të jesh mirë, të jesh e lumtur me motrat e tua. Të gjithë ne të kujtojmë si një njeri të mrekullueshëm, të hareshme, simpatike, shoqërore dhe të sjellshme dhe akoma nuk arrijmë ta kuptojmë apo imagjinojmë ditët në vijim në shkollë pa ty. Nuk arrijmë të besojmë se nuk do të përqafojmë më, që nuk do të shohim më buzëqeshjen tënde të mrekullueshme nëpër korridoret e shkollës. Tashmë ti je engjëlli ynë, engjëlli me sy të bukur dhe flokët e errët, engjëlli i sjelljeve të mira. Tashmë ti jeton në zemrat e të gjithëve ne. Mirupafshim Simona nga të gjithë miqtë e tu te e treta E”. “E dashur Simo. Atë që ka ndodhur nuk duam ta besojmë, shpresojmë akoma të jetë një ëndërr e keqe dhe të mund të zgjohemi dhe të të përqafojmë sërish. Edhe ti, ashtu si ne kishe ëndrra për të realizuar. Por, fati i keq nuk ta lejoi. Tashmë nuk të shohim dot me sy, por me zemër dhe kjo na bën të ndihemi mirë… Jemi të sigurtë që do jesh mes nesh. Do të jesh përgjithmonë engjëlli ynë. Shoqëria e të tretës F”. Ndërsa më të vegjlit kishin menduar t’i kujtonin tri motrat me një këngë.
Përgatiti: Sonja Caka




