Me sipërmarrësit italianë/ Rama: Në prill, ligj i ri për investimet e huaja

Gëzim Saliu

Kryeministri në punimet e Kongresit zgjedhor të PSE-së. Schultz kandidat për President i KE-së

 

Rama me investitoret itShqipëria do të miratojë një ligj të ri për investimet e huaja, ku një prej masave kryesore të do të jetë krijimi i një sporteli të vetëm për sipërmarrësit jo vendas. Kjo ishte nisma e bërë publike dje nga kryeministri Rama në takimin që zhvilloi me investitorë e sipërmarrës italianë, në kuadër të vizitës së tij në Romë, ku mori pjesë në Kongresin e partive socialiste evropiane. Në këtë takim, kreu i qeverisë e vuri theksin tek burimet dhe mundësitë që vendi ofron për investitorët, të cilat sipas Ramës mund të zhvillohen suksesshëm, falë një politike fiskale, lehtësuese e favorizuese për investimet. “Në sektorin e manifakturës jemi duke përgatitur një tjetër paketë speciale me të tjera incentiva. Ne kemi shumë nevojë për ta zhvilluar këtë sektor pasi kemi nevojë për më shumë vende pune. Gjatë prillit do të miratojmë ligjin mbi investimet e huaja në Shqipëri dhe një prej gjëravë që duam të bëjmë është krijimi i një sporteli të vetëm për investitorët e huaj. Kjo do të thotë se pavarësisht nga fakti se duan të investojnë në turizëm, transport në energji apo në telekomunikacion sipërmarrësit do të paraqiten në një sportel të vetëm, do vënë në dispozicion idenë e tyre dhe më pas është një rrugëtim i mirëpërcaktuar nga ligji”, tha ai. Në këtë kontekst, duke veçuar turizmin si një sektor me sukses të garantuar për investimet,  kryeministri orientoi investitorët edhe në sektorë të tillë si energjia, infrastruktura, bujqësia, etj. “Ne jemi vendi më i afërt me Italinë dhe një portë e Ballkanit. Ballkani sot nuk është më rajoni që ishte një vit më parë. Me marrëveshjen e paqes mes shqiptarëve të Kosovës dhe serbëve praktikisht mori fund historia e konflikteve në Ballkan. 2014 është viti i parë që nuk ka vende në konflikt me njëri tjetrin. Mund të bëjmë të vetëm sa i takon investimeve direkte për shembull në manifakturë, agrikulturë turizëm, energji por nuk mund të shkojmë larg duke menduar për hekurudha apo autostrada të nivelit evropian që mund t’i ndërtojmë me buxhetet lokale”, theksoi Rama.

PSE

Ndërkohë më parë kreu i qeverisë Rama, njëkohësisht si kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë, mori pjesë në punimet e Kongresit zgjedhor të Partisë Socialiste Evropiane në Romë të Italisë.  Nën logon “Drejt një Europe të re”, Kongresi  i drejtuar nga Presidenti i PSE Sergei Stanishev diskutoi lidhur me riorganizimin e partive të majta si dhe përballimin e sfidave që dalin përpara në pritje të zgjedhjeve për në Parlamentin Europian.  Qëllimi i Kongresit të Partisë së socialistëve europianë ishte votimi për të nominuar Presidentin e Parlamentin Europian Martin Schulz si kandidat i grupimit të majtë për t’u zgjedhur President i Komisionit Europian, pas zgjedhjeve europiane qe mbahen në fund të majit. Kandidatura e Martin Schulz u mbështet me shumicë dërrmuese nga Kongresi. Në takimin e djeshëm merrnin pjesë liderët e së majtës dhe përfaqësuesve të partive social-demokrate evropiane, midis të cileve ishin Kryeministri i ri i Italise Matteo Renzi, Kryeministri i Francës Jean Marc Ayrault, Kancelari i Austrisë Werner Faymann, Ministri i Jashtëm i Gjermanisë Sigmar Gabriel, Zv. Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm i Greqisë Evangelos Venizelos.

 

Borxhi i FMN-së

Ministri i financave: Si do ti përdorim 330 milionë eurot, kur do lajmë borxhin e biznesit

Ministri i Financave Shkëlqim Cani ka sqaruar dje marrëveshjen e arritur me FMN-në për lëvirimin e borxhit prej 330 milionë euro për qeverinë shqiptare. Ndërsa e cilësoi këtë marrëveshje si të suksesshme, Cani theksoi se marrja e këtij borxhi është i domosdoshëm për rimëkëmbjen e ekonomisë dhe do të bëjë të mundur edhe uljen e borxhit. “Kjo është një kredi me terma të butë dhe vjen në një periudhë mjaft të rëndësishme për përcaktimin e rrugës drejt konsolidimit të financave publike shqiptare dhe të ekonomisë shqiptare.  Me këtë marrëveshje qeveria shqiptare garanton bizneset për shlyerjen e faturave të prapambetura, proces i cili do të nisë shumë shpejt sidomos pas ratifikimit nga Kuvendi i Shqipërisë. Marrëveshja me FMN-në është marrëveshje për të mbështetur rimëkëmbjen e ekonomisë dhe për mbështetje të programit të qeverisë shqiptare. Programi me FMN-në synon uljen e borxhit publik në një nivele të përshtatshëm për ekonominë shqiptare, por pa rrezikuar rritjen ekonomike, në mbështetje të zhvillimit të ekonomisë dhe të rritjes së saj” tha Cani. Më tej ai theksoi se qeveria do të tërheqë rreth 110 milionë euro këtë vit  nga paketa e kredisë që akordoi Fondi Monetar Ndërkombëtar.  “Nga ana teknike, marrëveshja nënkupton nëntë këste, të cilat fillojnë i pari siç jeni në dijeni në Mars, pastaj do të vijojnë në varësi nga ecuria dhe kërkesa jonë. Afërsisht, le të themi se çdo vit do të ketë afërsisht 110 milionë euro në tre vjet”.  Sipas ministrit, marrëveshja me FMN-në, përveç ndihmës së drejtëpërdrejtë për shumën 330.9 milionë euro në tre vjet i hap rrugën edhe marrëveshjeve të tjera si me Bankën Botërore por edhe të një grandi të mundshëm me Bashkimin Europian. Nga ana tjetër, me këto fonde, Cani bëri të ditur se procesi për shlyerjen e borxheve ndaj biznesit do të nisë këtë muaj.  “Janë realizuar të gjitha procedurat e nevojshme për fillimin e procesit të shlyerjes së detyrimeve”, deklaroi ministri i Financave.

 

 

Elektoralet evropiane

Martin Schulz merr votat e 91% të delegatëve. Si zgjidhen eurodeputët dhe Presidenti i KE-së

Mbi 91% e delegatëve të Kongresit të Partisë së Evropianëve Socialistë votuan në favor të kandidaturës së Martin Schulz për postin e Presidentit të Komisionit Evropian, që gjatë zgjedhjeve të ardhshme evropiane do të zgjidhet për herë të parë përmes votës së drejtpërdrejtë të votuesve në vendet anëtare të BE. “Dua të jem Presidenti i parë i Komisionit Evropian që nuk është rezultat i marrëveshjeve në zyrat e Brukselit, por rezultati i votës demokratike. Unë dua vetëm një marrëveshje, atë që bëhet vetëm me zgjedhësit evropianë”, tha Schultz në fjalën e tij pas votimit.  Zgjedhjet evropiane do të mbahen në 28 vende anëtare të BE-së në 22-25 Maj 2014, nga të cilat do të zgjidhen 751 eurodeputetë. Presidenti i Komisionit Evropian do të zgjidhet nga maxhoranca e eurodeputetëve pas propozimit nga Këshilli Evropian.

 

 

 

 

Share it :