Ervin Kaduku
– Një familjeje mesatare prej 4 personash në vitin 2014 pritet t’i rritet borxhi me 172.904 lekë të reja, për të arritur në nivelin 1.480.896 lekë
– Në 2014-ën pritet që borxhi për frymë të arrijë në 370.224 lekë, që është 13.22% më shumë se një vit më parë apo 43.226 lekë që i shtohen borxhit për frymë që mbartte çdo banor i Shqipërisë në 2013-ën
Në 2014-ën pritet një “Rilindje” e borxhit publik. Borxhi publik për frymë llogaritet si raport i stokut total të borxhit ende të pashlyer në një vit të caktuar me popullsinë e regjistruar për atë vit. Në terma të thjeshtë, ai shpreh mesatarisht “sa borxh publik mbart” secili prej nesh apo “sa i takon të shlyejë” nga borxhi i marrë ndër vite nga qeveritë.
Ecuria e tij ka qenë në rritje nga viti në vit, sidomos në dy vitet e fundit: 2013-ën dhe parashikimin për vitin 2014, në të cilat ritmet e rritjes kanë qenë edhe më të larta. Për vitin 2013, kur qeveria “Rama” ka marrë pushtetin ekzekutiv, borxhi për frymë shënon 326.999 lekë apo 11.16% më shumë se sa në vitin 2012. Por, në 2014-ën pritet që kjo vlerë të arrijë në 370.224 lekë, që është 13.22% më shumë se një vit më parë apo 43.226 lekë që i shtohen borxhit për frymë që mbarte çdo banor i Shqipërisë në 2013-ën. Kjo do të thotë se një familjeje mesatare prej 4 personash në vitin 2014 i është rritur borxhi me 172.904 lekë, për të arritur në nivelin 1.480.896 lekë. Kjo shifër është e barabartë në valutë me gati 11.000 euro për një familje shqiptare.
Në ecurinë e borxhit për frymë ndikon në të njëjtën kohë stoku i borxhit dhe popullsia. Rritja e stokut të borxhit është faktori mbizotërues që shpjegon rritjen e borxhit për frymë nga viti në vit. Megjithatë, edhe tkurrja e popullsisë ka ndikuar në rritjen e borxhit për frymë, por në masë shumë më të vogël se sa rritja e stokut të borxhit.
Borxhi total për vitin 2014 është rritur jashtëzakonisht shumë, me rreth 120,4 miliardë lekë krahasuar me vitin 2013, ndërsa rritja 2012-2013 ishte rreth 83,7 miliardë lekë. Përveç huamarrjes për të mbështetur buxhetin dhe projektet e huaja, këtë vit në rritjen e borxhit ka ndikuar edhe përfshirja e pagesës së detyrimeve të prapambetura për 35 miliardë lekë, e cila do të përdoret për shlyerjen e detyrimeve në sektorin e infrastrukturës dhe detyrimet tatimore.




