Mbrojtja e Metës zbardh prapaskenat, Zhllima: Ja si u montua dosja për eliminimin politik të ish-presidentit

Mbrojtja e Metës zbardh prapaskenat, Zhllima: Ja si u montua dosja për eliminimin politik të ish-presidentit

Avokatët akuzojnë SPAK për një proces të mirë organizuar juridikisht, por pa asnjë provë konkrete. Dyshime të forta ngrihen edhe mbi caktimin e gjyqtares Irena Gjoka, e njëjta si në rastin e Sali Berishës.

Në një dalje për mediat, mbrojtja ligjore e ish-presidentit Ilir Meta ka paraqitur argumente të forta, duke e cilësuar të gjithë procesin hetimor ndaj tij si një sulm të mirë organizuar politik me qëllim eliminimin e tij nga skena publike. Sipas avokatëve, dosja voluminoze e SPAK-ut është ndërtuar mbi një plan juridik pa përmbajtje reale provash, duke shënuar një seri rastësish dhe veprimesh të dyshimta.

Sipas avokatot Gylsen Zhllima, ndjekja penale ndaj zotit Meta nisi në vitin 2018, menjëherë pasi ai mori detyrën e Presidentit të Republikës në 2017. Kulmi i këtij procesi, sipas tyre, erdhi në 10 qershor 2022, pikërisht në prag të largimit të tij nga presidenca, kur një sërë kallëzimesh të reja u depozituan në SPAK. Këto kallëzime, të cilat mbrojtja i quan pjesë të një “plani të mirë organizuar juridik për eliminim politik”, u bashkuan më pas me dosjen fillestare të vitit 2018

Një nga pikat më kritike të ngritura nga mbrojtja është përmbajtja e dosjes hetimore, konkretisht ajo e njohur si çështja “CEZ-DIA”. Kjo dosje, prej 1706 faqesh, pretendohet se është mbushur qëllimisht me materiale dhe emra individësh që nuk kanë asnjë lidhje me zotin Meta. Ky volum, sipas avokatëve, është krijuar për të dhënë përshtypjen e një çështjeje të rëndësishme dhe për të vështirësuar punën e mbrojtjes. Për më tepër, ata theksojnë se për vite me radhë, nga 2020 deri në 2024, prokuroria ka përsëritur të njëjtat kërkesa ndaj institucioneve të ndryshme, pa arritur të gjejë asnjë provë të re apo kompromentuese.

Akuza kryesore ndaj ish-presidentit, ajo e korrupsionit pasiv, konsiderohet e pabazuar nga mbrojtja, e cila argumenton se ligji kërkon një “fakt konkret dhe real”, jo thjesht njohje të vjetra apo takime të rastësishme. Përkundër kërkesave të përsëritura që prokuroria të specifikojë se në cilën faqe të dosjes gjendet prova konkrete kundër Metës, një përgjigje nuk ka ardhur kurrë.

Një tjetër element që shton dyshimet e mbrojtjes është caktimi i gjyqtares Irena Gjoka për të gjykuar çështjen në seancën paraprake. Fakti që e njëjta gjyqtare u caktua përmes shortit edhe në çështjen ndaj liderit tjetër të opozitës, Sali Berisha, konsiderohet një “rastësi” tejet e dyshimtë. Mbrojtja ka theksuar se ndaj gjyqtares Gjoka ekziston një kallëzim penal dhe se, të paktën moralisht, ajo duhej të ishte tërhequr nga gjykimi. Sipas tyre, gjyqtarja nuk e ka lexuar dosjen dhe nuk po vepron si një arbitre e paanshme, por si palë me prokurorinë.

Në përfundim, avokatët e Ilir Metës e kanë cilësuar të gjithë procesin si një farsë juridike, ku mungesa e provave kompensohet me vëllim dosjesh dhe manovra procedurale, me një qëllim të vetëm: goditjen politike të një prej figurave kryesore të opozitës.

Gylsen Zhllima: Përshëndetje të gjithëve. Përsa i përket pjesës së përndjekjes politike me plan juridik, dua t’ju sqaroj edhe ju dhe opinionit publik se procedimi penal kundër zotit Meta ka nisur në 2018-ën. Fakti konkret politik ishte se zoti Meta në 2017-ën u bë President i Republikës.

Në momentin kur u bë President i Republikës, filluan që nga ai kallëzimi, u regjistrua kallëzimi i parë pranë SPAK-ut në 2019-2020 procedim me numër 55/2019. Pasi u krye procedimi, vazhduan hetimet dhe hetimet i bënte zoti Kraja, i cili ishte drejtues i prokurorisë së asaj kohe. Po ashtu, në 10 qershor 2022, kur zoti Meta ishte drejt ikjes nga President i Republikës, dalin çuditërisht disa kallëzues edhe bëjnë kallëzime penale secili veç e veç, por dihet që plani ishte i mirë organizuar në aspektin juridik për eliminimin politik të zotit Meta. U regjistrua kallëzimi i parë 122/2022, kallëzimi i dytë 125/2022, kallëzimi i tretë 165/2022. Pra, në rast se do të shikoni, një organizatë e mirë organizuar në aspektin juridik të kallëzimeve, bëri një organizim të tillë për të bërë një eliminim politik në tentativë, por një eliminim politik në rastin konkret. Në fund të fare, prokuroria pasi i merr të gjitha ato kallëzime, i bashkon në një dhe i shton tek kallëzimi i parë i 2018-ës që u bë me fraksion, siç punon SPAK-u vazhdimisht, tek 55/2019. Dhe sot kemi procedimin penal 55/2019 ndaj zotit Meta.

Po ashtu, zoti Meta në regjistrin e veprës penale u regjistrua në 10.06.2024. Edhe lindin pyetje të logjikshme dhe shumë të thjeshta. Përderisa ti kallëzimin e ke 2019-ën, përderisa ti 2020-ën, 2021-shin dhe deri në 2022-shin paske bërë hetime, sepse në rastin konkret janë bërë hetime, dhe nga hetimet rezulton, sepse unë jam njohur me dosjen pas datës 27.11.2025, pra do të thotë që nga ato që unë kam parë është kjo. Në 2021, në 2022 prokuroria ka bërë kërkesa të gjithë institucioneve, dy herë, tre herë, katër herë. Pra, vazhdon hetimi ndaj zotit Meta. Është pyetur banka, është pyetur Sigurimet Shoqërore, madje dhe zoti Ismailaj i janë pyetur për disa aksione që i ka pasur ai dhe herë pas here të njëjtat përgjigje dhe të njëjtat pyetje. Dhe përsa i përket telefonit të tij, 2020, 2021, 2022, 2023, 2024. Pra do të thotë që gjatë gjithë harkut kohor prokuroria e posaçme ka bërë të njëjtat kërkesa ndaj personave për të gjetur prova.

Përveç kësaj, ajo që unë kam vënë re tek rasti ÇEZ-DIA, që është privatizim, është rasti i borxheve. Janë gjithsej 1706 faqe, nga të cilat janë marrë fakte, prova, akte, shkresore, çfarë të doni ju thoni, nga individë të cilët nuk kanë lidhje fare me zotin Meta. Pra, brenda kam gjetur emra të cilët nuk janë as në procedim penal, as të hetuar në gjendje të lirë, asgjë, po thjesht janë aty brenda. Thjesht për të treguar tek ne si mbrojtje që, shiko, është kaq shumë e madhe si dosje dhe s’ka pse të merreni sepse është çështje e mbaruar, pra është politikisht, juridikisht e mbaruar, nuk ka pse të merreni.

Dhe ky volum i kësaj dosje, pra dosja 2, ÇEZ, tregon qartazi që është mirë organizuar që të na lodhi ne si mbrojtje për të lexuar. Zoti Cakrani dhe unë kemi punuar, nuk jemi lodhur fare, kemi gjetur mënyrën se si e kanë qepur dhe thjesht është vetëm diçka shumë e thjeshtë për opinionin publik.

Në rast se SPAK-u do të kishte një indicie, sapo zoti Meta do të kishte zbritur nga President i Republikës, që tregonte modelin, shfaqte vendimin e zotit Kastriot Ismailaj të Gjykatës së Lartë, që nuk përmendet në asnjë vend, në asnjë rresht, mund ta lexoni, e keni akses ta lexoni publikisht, dhe mund ta arrestonte për akuzën e korrupsionit pasiv. Sepse për atë akuzohet, korrupsion pasiv. Në korrupsionin pasiv kërkohet që jo vetëm kërkimi, por duhet të jetë fakt konkret, real, konkret, jo thjesht të jetë imagjinar. Pra, pse unë të njoh ty në 1992-shin, 1995-ën, ose të njoh unë gjatë kohës kur kam qenë para 2009-ës në fushatë zgjedhore. Zoti Meta njeh njerëz, pse duhet të njohë? Se si do marri votën? Është shumë e thjeshtë. Dhe ne kemi kërkuar vazhdimisht dhe zoti Cakrani dhe unë kemi kërkuar që bashkangjitur kërkesës të dërgimit të çështjes në gjykim, të na thotë prokuroria, se ajo është që bazohet mbi provat, edhe të na thotë, në cilën faqe, në cilën dosje ti mbështet provën kundër zotit Meta? Dhe ajo akoma nuk ka ardhur deri më sot. Nga momenti i parë që zoti Cakrani ka vajtur, edhe kur u futa unë me datën 27.11.2025, e deri më sot që kishim seancën e fundit me datën 12.1. 2026, pavarësisht se bëra unë kërkesë dhe e kam bërë edhe me shkrim kërkesë qëllimisht që të mbetet në dosjen gjyqësore, të relatohet nga gjyqtarja paraprake, përsëri prokuroria nuk reagoi në asnjë moment. Pastaj, ajo që unë kam parë në aspektin juridik gjithmonë tani, prokuroria, duke shkelur nenin 27 të Kushtetutës dhe nenin 5 të Konventës Evropiane, kërkon vazhdimisht pezullimin e afateve të paraburgimit ndaj zotit Meta. Duhet të keni parasysh diçka. Zoti Meta akuzohet për korrupsion pasiv, pastrim të parave dhe mosdeklarim të ardhurash. Në rast se ne do t’i referohemi që këto vepra penale janë të rënda, i bie që të paktën personat të cilët janë bashkëpandehur, duhet të jenë edhe ato në masa shtrënguese, që do të thotë o arrest në shtëpi, o arrest në burg. Se nuk mundet vetëm një individ të jetë arrest në burg, ndërsa të tjerët të bëjnë xhiro nëpër Tiranë dhe nëpër botë dhe në fund të fare mos të kemi atë që ne themi vazhdimisht drejtësinë e vërtetë që në raport me masat dhe në raport me atë që thua prishjen e provave, nuk mundet që zoti Meta që nuk ka prova ndaj tij të prishë prova, ndërkohë persona të tjerë që përfshihen në dosjen hetimore të jenë me detyrim paraqitje. Kështu që kjo nuk shkon.

Dhe mos harroni edhe një fakt tjetër, që në të njëjtën procedurë të masës së sigurimit, ndodhet zonja Irena Gjoka te zoti Berisha. Çuditërisht, për seancën paraprake që është momenti që kanë mbaruar të gjitha hetimet dhe çuditërisht shorti e bën atë që të jetë ajo gjykatësja e seancës paraprake. Pra, këto dy dyshime, duke parë ndaj dy liderëve politikë të opozitës, është një fakt konkret. Nuk është thjesht një opinion nga ana jonë. Pra, si ka mundësi? Dhe duke qenë se ndaj zonjës në fjalë ekziston një kallëzim penal, duhet të paktën në aspektin moral, nuk ka nevojë në aspektin juridik, kryetari i gjykatës të pranojë dorëheqjen e saj, të iki ajo, të vijë dikush tjetër dhe të paktën të lexojë dosjen, sepse në rastin konkret nuk është lexuar dosja, jam i bindur për këtë, as nga zonja Irena Gjoka, sepse është parë herë pas here, me atë që unë kam parë, nuk ka bërë pyetje të cilat janë jo konkrete ndaj, sepse nuk mund të japi një mendim apo të japi një pyetje e cila të ketë kuptim edhe përgjigja, por të paktën të bëjë disa veprime të cilat të japin ty të kuptosh si mbrojtje që ajo po i jep drejtësi dhe është mbi palët dhe nuk është pjesë e cila është në pengmarrje nga një nga ndër palët që është Prokuroria e Posaçme për shkak se e ka në hetim e sipër…

Share it :