Mbrojtja dhe përdorimi i ujërave ndërkufitare/ Maqedonia dhe Greqia, pa marrëveshje me Shqipërinë

Florenc Drizari

 

“Me Greqinë shpresojmë që marrëveshja të ratifikohet sa më shpejt. Maqedonia nuk e ka firmosur marrëveshjen”

 

 

lumi radika (1) Maqedonia dhe Greqia nuk kanë nënshkruar dhe ratifikuar marrëveshjet e fundit me Shqipërinë për trajtimin dhe mbrojtjen e ujërave ndërkufitare, ndërkohë që pak ditë më parë ambientalistët kanë ringritur shqetësimin për devijimin e ujërave të lumit Radika. Një ditë më parë Komisioni i Politikës së Jashtme dhe Komisioni për Veprimtarinë, Tregtinë dhe Mjedisin miratuan projektligjin “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në ndryshimet e neneve 25 dhe 26 të konventës “Për mbrojtjen dhe përdorimin e ujërave ndërkufitare dhe liqeneve ndërkombëtare”. Sipas kësaj konvente, me qenë se Republika e Shqipërisë është palë që nga viti 1993, ka detyrimin që të gjitha mosmarrëveshjet për burimet ujore në nivel ndërkufitar t’i zgjidhë me marrëveshje dypalëshe me vendin me te cilin i ndajnë, që në rastin konkret bëhet fjalë për Maqedoninë dhe Greqinë.

Në bazë të konventës duhet që vendet të hyjnë në marrëveshje dypalëshe dhe sipas specialistes në Drejtorinë e Ujërave në Ministrinë e Mjedisit, Viola Saliaga, aktualisht po punohet me Greqinë, me të cilën ka pasur edhe një marrëveshje që është shfuqizuar për faktin se janë me rregull 10-vjeçar.

Lidhur me vendin tjetër fqinj, Maqedoninë, specialistët e Ministrisë së Mjedisit thonë se me këtë vend qeveria është në përpjekje edhe nëpërmjet Ministrisë së Jashtme në kanale diplomatike për të arritur një marrëveshje.

“Me Greqinë shpresojmë që marrëveshja të ratifikohet sa më shpejt. Komisionet e përbashkëta, aktualisht kemi përgatitur një projektvendim që të ngrihet nga e para komisioni i përbashkët për ujërat ndërkufitare dhe sa të ngrihet do të fillojë nga puna. Maqedonia nuk e ka firmosur marrëveshjen”, – thuhet nga specialistët e Ministrisë së Mjedisit.

Ndërkaq, sipas deputetit të opozitës, Kastriot Islami, Maqedonia s’e ka ratifikuar marrëveshjen dhe situata vazhdon të jetë e njëjtë.

Po sipas përgjegjëses së sektorit Juridik në Ministrinë e Mjedisit, amendimet që propozohen, nuk kanë të bëjnë me përmbajtjen e konventës, por me çështje procedurale.

“Konventa është aderuar në ‘93-shin nga Republika e Shqipërisë. Amendimet e sotme kanë të bëjnë thjesht me një anë procedurale që do të thonë se në konventën e Kombeve të Bashkuara për përdorimin e ujërave ndërkufitare të aderojnë edhe vende që nuk janë anëtarë të Kombeve të Bashkuara për të zgjeruar rrethin e vendeve që mund të aderojnë në të. Nëse do të kalojnë në shqyrtimin e përmbajtjes së konventës së ‘93-shit, kjo është çështje tjetër. Këto amendime Maqedonia s’ka aderuar ndërsa në konventën bazale Maqedonia është”, – ka thënë Madalena Koja, përgjegjëse e sektorit Juridik në Ministrinë e Mjedisit.

Më herët përfaqësues vendorë të Komunës Dibër e Madhe në Maqedoni kanë ngritur shqetësimin se pala maqedonase po negocion me palën shqiptare duke kontraktuar edhe një firmë koncesionare për devijimin e ujërave të lumit Radika. Ky devijim, sipas tyre, është në kundërshtim nga të gjithë banorët e zonës dhe cenon të ardhmen e tyre në atë zonë. Gjatë deklaratave që janë bërë më parë nga zyrtarët e lartë shqiptarë për këtë çështje, është mohuar çdo aludim për një marrëveshje të mundshme për devijimin e ujërave të lumit Radika.

 

 

 

Komisioni Hetimor për Policinë/ Nis shqyrtimi i 384 dosjeve, opozita  ngre akuza për mangësi dokumentacioni

 Më 6 prill skadojnë afatet, pritet shtyrje nga Kuvendi i Shqipërisë

Komisioni hetimor për kontrollimin dhe zbatimin të legjislacionit në fuqi gjatë procesit të lëvizjeve të burimeve njerëzore të Policisë së Shtetit vendosi të nisë të mërkurën shqyrtimin e 384 dosjeve të mbërritura nga Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit mbi veprimtarinë e saj nga muaji shtator 2013 deri në janar 2014. Mbledhja e djeshme u shoqërua me debate të nxehta mes anëtarëve të Partisë Socialiste dhe kryetarit të këtij Komisioni, Arben Ristani. Përfaqësuesi i opozitës akuzoi homologët e tij të majtë se nuk kanë marrë mundimin të njihen me dosjen e dorëzuara, ndërsa deputetët socialistë kërkuan nisjen nga puna për shkak të afateve të kufizuara kohore. Aktualisht afati i fundit i punimeve të këtij Komisioni është caktuar data 6 prill, por kapja e këtyre afateve duket e vështirë edhe pse anëtarët e komisionit pritet të zhvillojnë mbledhje çdo ditë. Burime pranë Komisionit Hetimor bëjnë të ditur se pritet të kërkohet një shtyrje e afatit të punimeve nga Kuvendi i Shqipërisë. Në mbledhjen e ditës së martë në rendin e ditës ishte edhe miratimi i planit hetimor. Të ftuar në mbledhje ishin edhe ekspertë ligjorë nga mazhoranca dhe opozita. Diskutimet në mbledhje u fokusuan në vijueshmërinë e punës së këtij komisioni. Eksperti ligjor i Partisë Demokratike deklaroi se në dosjet e mbërritura, mungojnë disa prej dokumentacioneve të kërkuara nga opozita si edhe urdhri i ministrit të Brendshëm drejtuar Kryeministrisë për emërimin e kreut të Policisë së Shtetit, Artan Didit. Sakaq, kryetari i Komisionit, Arben Ristani, ka propozuar nisjen e shqyrtimit të dokumentacioneve të mbërritur, ndërkohë që u kërkoi deputetëve të mazhorancës të ushtrojnë presionin e tyre për plotësimin e të gjithë dokumentacionit. Nga ana tjetër, nënkryetari i Komisionit, Taulant Balla, kërkoi në emër të mazhorancës nisjen e dëgjesave, duke propozuar thirrjen në komision të ish-drejtorit të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj. Në replike më deputetët e mazhorancës, kreu i këtij Komisioni tha se edhe Burgaj ishte në listën e opozitës për t’u thirrur në raportim në Kuvendin e Shqipërisë. Në lidhje me këtë kërkesë, deputetit i PD-së, Flamur Noka tha se nuk mund të nisin me dëgjesat, pa u njohur totalisht me materialin dhe pa e disponuar të plotë atë. Ndërsa, deputeti i PS-së, z. Blendi Klosi, u shpreh në mbështetje të kërkesës së Nënkryetarit të Komisionit, duke thënë: “Ne kemi marrë një mandat dymujor nga Kuvendi për këtë komision, çka do të thotë se puna jonë përfundon më 6 prill dhe koha është e kufizuar, prandaj le të nisim edhe dëgjesat paralelisht”.

 

Share it :