Mbledhja/ Zëvendësohen mandatet për 4 deputetë,  PS gati riformatimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve

Florenc Drizari

Tahiri, Bushati, Gjiknuri dhe Felaj lënë mandatin në qarqet Tiranë, Elbasan dhe Berat

KQZ-jaKomisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të miratojë këtë të martë lënien e mandatit për tre deputetët e PS-së që aktualisht mbajnë postin e minitrit në kabinetin “Rama”, si dhe zënvendësimin e tyre me emra nga lista shumemërore që Partia Socialiste ka dorëzuar në zgjedhjet e 23 qershorit 2013-të. Në rend të ditës KQZ ka parashikuar zëvendësimin e mandateve për ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati, ministrin e Energjitsë dhe Industrisë Damian Gjiknuri si dhe ministren e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ermonela Felaj. Me katër projektvendime të ndryshme, KQZ pritet të miratoi katër emrat e rinjë që do të jenë pjesë e Kuvendit të Shqipërisë, ndërsa mbledhja pritet të jetë thjesht formale, pasi një proces i tillë është zhvilluar edhe më parë kur pjesa tjetër e kabinetit ka lënë mandatin e deputetit me kërkesën e vetë deputetëve.

 

Emrat e rinj

Pak ditë më parë mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së, ka qenë kreu i kësaj partie Edi Rama, njëkohësisht edhe Kryeministër i vendit, i cili ka kërkuar nisjen e procedurave për lënien e mandatit të deputetit për 4 ministrat e mbetur, Saimir Tahiri, Ditmir Bushati, Damian Gjiknuri dhe Ermonela Felaj, aktualisht deputete e Qarkut të Beratit, pritet të zëvendësohet nga kandidatja Anila Agalliu. Sipas listës shumëemërore të PS-së të, mandatin e deputetit të Damian Gjiknurit në Elbasan pritet ta marrë kandidatja Luljeta Arapi, ndërsa dy zëvendësime të tjera priten për Qarkun e Tiranës. Pas lënies së mandatit nga Saimir Tahiri, pritet të emërohet kandidatja Erjeta Alhysa dhe në vend të deputetit Ditmir Bushati, pritet zëvendësimi nga Ervin Bushati. Më herët zëvendësimet e mandateve janë bërë për pjesën tjetër të ministrave të kabinetit qeveritar, ndërkohë që vetë Kryeministri Rama do ta mbajë mandatin e deputetit në Qarkun e Vlorës. Një tjetër ministër që pritet ta mbajë mandatin e deputetit është ai i Financave, Shkëlqim Cani.

 

Procedurat

Fillimisht Kuvendi i Shqipërisë konstaton vakancën dhe mbledh Këshillin e Mandateve. Ky i fundit ia paraqet konstatimin Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Pasi bëhen verifikimet nga organi më i lartë i administrimit zgjedhor në vend nga lista shumëemërore e subjektit politik, atëherë propozimi i kalon sërish Kuvendit të Shqipërisë, për të votuar kandidatin zëvendësues në seancë plenare. Nga ana e tij, kryetari i Kuvendit ndjek një proces formal, duke lexuar formulën e betimit dhe më pas kandidati bëhet zytarisht deputet i Kuvendit.

 

Riformatimi i KQZ-së

Edhe pse nuk ka ende një vendim zyrtar lidhur me plotësimin e vendeve vakante në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, mazhoranca duket se e ka gati planin për riformatimin e këtij komisioni. Vendimi pritet të merret para zgjedhjeve të ardhshme për pushtetin vendor, ndërsa më herët kanë qenë vetë deputetë të mazhorancës të cilët gjatë shqyrtimit të raporteve të KQZ-së në Kuvend, kanë ngritur shqetësimin se me trupën aktuale të komisionit, nuk mund të shkohet në zgjedhjet e 2015-ës. Paçka se zgjedhjet e kaluara parlamentare u administruan me vetëm katër anëtarët e propozuar nga e djathta (para ndërrimit të pushtetit në 23 qershor 2013-të), PS e konsideron këtë trupë zgjedhore tejet të politizuar që mbështet qëndrimet e njëri krah.

 

Zëvendësimet në KQZ

Ervin Bushati zëvendëson Saimir Tahirin

Anila Agalli zëvendëson Ermonela Felajn

Luljeta Arapi zëvendëson Damian Gjiknurin

Ervin Bushati zëvendëson Saimir Tahirin

 

Ruçi mblidh grupin e PS, debate për rishikimin e buxhetit

Deputetët e Partisë Socialiste kanë zhvilluar mbledhjen e radhës së grupit nën drejtimin e Gramoz Ruçit. Në fukus të këtij takimi mësohet të ketë qenë vendimi i qeverisë për rishikimin e buxhetit për vitin 2014-të. Mbledhja e zhvilluar me dyer të mbyllura ka shqyrtuar qëndrimin që do të mbajnë deputetët e majtë në Kuvendin e Shqipërisë. Më herët ishte Kryeministri Edi Rama i cili deklaroi se për herë të parë në këto pesë vite, qeveria rishikon buxhetin e shtetit me rritje të të ardhurave. Ndërkaq, mësohet gjithashtu se deputetët vlerësuan masat e marra gjatë vizitës së Papa Françeskut. Në veçanti ata vlerësuan punën e forcave të rendit në mbarëvajtjen e vizitës një ditore që Ati i Shenjtë zhvilloi në vendin tonë. Gjithashtu grupi i PS-së diskutoi edhe rendin e ditës së Kuvendit që pritet të mbahet këtë të enjte.

 

Rama inspekton rrugën në Vaqarr: Teknologji e re për ndriçimin

Kryeministri Edi Rama inspektoi dje rikonstruksionit të rrugës Prush-Gropaj të komunës Vaqarr në Tiranë, investim i Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Pasi u njoh nga afër me avantazhet e sistemit të ri të ndriçimit, Kryeministri Rama, duke vlerësuar projektin theksoi se “me futjen në përdorim të një teknologjie të re edhe për Europën, synohet t’i jepet zgjidhje përfundimtare disa problematikave dhe njëherësh, e shndërron Shqipërinë në një model në këtë drejtim”. “E para, kjo është energji e gjelbër e plotë që futet. E dyta, do na zgjidhë problemin e tmerrshëm të vandalizmit dhe të vjedhjes së vazhdueshme të kabllove nëpër rrugë. E treta, kjo na zgjidh problemin e shpenzimeve të pushtetit vendor, që praktikisht i ka të detyrueshme dhe që, nga ana tjetër, është një akumulim i madh borxhesh në raport me kompaninë e shpërndarjes, sepse nuk paguajnë. Nuk paguajnë për pamundësi kryesisht. Sidomos komunat e kanë të pamundur që të paguajnë shpenzimet”,-nënvizoi Rama. Kreu i qeverisë u shpreh se “në qoftë se ne futemi me këtë teknologji, bëjmë një zgjidhje të përgjithshme dhe e transformojmë praktikisht Shqipërinë në një model, sepse edhe në Europë tani ka filluar të futet kjo teknologji, ndërsa hyjmë në një fazë komplet të re”.

Share it :