Mbledhja e kryesisë së grupit të PD-së/ Strategjia e opozitës jashtë Kuvendit, skema me grupet e punës. Basha:Bojkoti?  S’kthehemi në fasadë  

Gëzim Saliu

Basha per mediat, mbledhja e kryesiseKreu i PD-së: Kthehemi në Kuvend, kur të respektohet Kushtetuta dhe fjala e lirë. Oligarkia rrëzoi dekretet e Presidentit pa asnjë argumentim. PD do t’i ankimojë ligjet në Gjykatën Kushtetuese

 Pas rikonfirmimit të vendimit për vazhdimin e bojkotit ndaj Kuvendit, Partia Demokratike dhe aleatët e saj përcaktuan dje strategjinë e opozitës jashtë Parlamentit kundër mazhorancës qeverisëse. Në mbledhjen e kryesisë së grupit të PD-së, opozita vendosi të ecë paralel me axhendën e Kuvendit për shqyrtimin e ligjeve, por duke i bërë oponencën me grupe pune jashtë institucionit kryesor legjislativ. Sipas detyrave të përcaktuara, deputetët do të ndjekin çdo ligj dhe vendim të qeverisë dhe do të bëjnë publike çdo oponencë të tyre. Metodika e përzgjedhur nga PD-ja për të kundërshtuar projektligjet e ekzekutivit bazohet në ndarjen e ligjvënësve demokratë në grupe, sipas komisioneve parlamentare ku ata bëjnë pjesë. Ndërkaq, ashtu siç ka bërë të ditur kryedemokrati, opozita, edhe pse jashtë Kuvendit, do të kryejë funksionin e saj në formë të plotë, ku do t’i përgjigjet mazhorancës përmes denoncimeve të përditshme, tryezave me shoqërinë civile dhe palët e interesuara, protestave mbarëpopullore për premtimet e pambajtura si edhe ankimimeve në Gjykatën Kushtetuese.

 

Kreu i PD-së

Pas mbledhjes së kryesisë së grupit të PD-së, kreu i demokratëve, Lulzim Basha, deklaroi se qëndrimi i opozitës ndaj Kuvendit ka ardhur falë kushtëzimit të mazhorancës qeverisëse, e cila, sipas tij, i mohon opozitës të drejtën e fituar, kushtetuese, për ngritjen e komisioneve hetimore. “Opozita shkon në Gjykatë Kushtetuese, Gjykata Kushtetuese ia jep këtë të drejtë, ia njeh këtë të drejtë kushtetuese dhe këta prapë nuk e pranojnë! Cili është roli i opozitës në një Kuvend ku Kushtetuta është viktima e parë? Është akti i parë dhe i fundit i dhunimit nga kjo shumicë. Dhe kur ngrihet zëri për të denoncuar këtë dhe çështje të tjera, deputetë të opozitës dhunohen barbarisht nga struktura të ngritura dhe të porositura nga Kryeministri i vendit. Kryeministri që ka për detyrë t’i mbrojë njerëzit, të mbrojë dhe përparojë jetën parlamentare, është shkatërruesi i jetës parlamentare. Sot në Shqipëri nuk ka jetë parlamentare. Ka një oligarki, e cila nuk do Parlament, nuk do debat parlamentar, nuk do opozitë parlamentare, por do dekor. Dhe ne me këtë realitet nuk mund të pajtohemi kurrë”, – theksoi Basha. Ndërkaq, i pyetur nga gazetarët se nëse do të ketë një kohë të afërt se kur Partia Demokratike do të kthehet në Parlament, kreu i PD-së tha se aktualisht nuk ekziston më Kuvendi, porse kemi të bëjmë me një dekor të shëmtuar të një regjimi oligarkik. “Ky është problemi sot. Qëndrimi ynë dhe bazat e qëndrimit tonë janë artikuluar qartë. Me pak vullnet të mirë, mediat nuk do t’ia fshehin apo transformojnë publikut këto arsye të qëndrimeve tona. Kërkesa jonë është po kështu e qartë. Jeta parlamentare mund të kthehet me praninë e një opozite të vërtetë dhe jo fasadë, momentin kur shumica pranon rregullat e Kushtetutës, pranon rregulloren e Parlamentit, nuk shkelmon e opozitës, pranon vendimet e Gjykatës Kushtetuese, pranon debatin dhe replikën në Parlament dhe nuk godet dhe dhunon fjalën e lirë të opozitës”, – deklaroi Basha.

 

Dekretet

Një tjetër çështje që trajtoi kryeopozitari në fjalën e tij ishte ajo që lidhej me rrëzimin e 5 dekreteve të Presidentit nga ana e mazhorancës qeverisëse në seancën e parë të sesionit të ri parlamentar. Sipas Bashës, mazhoranca e rëndoi edhe më shumë situatën politikë me këtë veprim partiak dhe pa argumente ligjore. “Nuk dëgjuam asnjë argument nga askush. Teza nga u nis shumica për të hedhur poshtë dekretet e Presidentit ishte teza e turpshme e artikuluar nga Edi Rama para disa ditësh që “nuk kemi kohë të humbim me mendimet e Partisë Demokratike”. Është për të ardhur keq që shumica në bllok është e verbuar tashmë nga kjo kllapi dhe i lejoi vetes të nëpërkëmbej dhe të binte në këtë nivel, ku dekreteve të Presidentit nuk iu përgjigjën me asnjë argument logjik, juridik, por u rreshtuan si njëherë e një kohë, pas sekretarit të parë dhe votuan, ngritën dorën pa ditur se çfarë po votonin”, – u shpreh kreu i PD-së.

 

 Replikat në distancë/ Basha: Rama i ka shpallur luftë Bashkisë, bllokoi projektet. Kryeministri: Flet në hava

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, akuzoi dje Kryeministrin e vendit se ka bllokuar të gjitha projektet strategjike të kryeqytetit, për arsye të pastra politike. Pas inspektimit të rikonstruksionit në shkollën 9-vjeçare “Ahmet Gashi”, kryebashkiaku theksoi se kreu i qeverisë i ka shpallur luftë Bashkisë së Tiranës, duke bllokuar vepra të rëndësishme si bulevardi i ri apo dhe ndërtimi i terminalit multimodal të pasagjerëve. “Në çdo vepër publike të qytetit të Tiranës, Edi Rama ka vendosur një bllokadë atë që se ka bërë asnjë kryeministër, siç se ka bërë as Nano, as Berisha, as Meksi, i cili ka bllokuar në mënyrë të paprecedentë çdo vepër publike të Tiranës. Këto projekte nuk janë të Lulzim Bashës, e as të PD-së. Kur ka qenë kryebashkiak ai ka marrë fonde nga qeveria, por jo ai, por kryeqyteti. Nuk është kjo situata, pasi këto projekt mbeten të bllokuara, ndaj kjo është situata e Bashkisë së Tiranës, buxheti i së cilës është bllokuar. Sot po japim një përgjigje; çdo luftë që do i shpallin bashkisë së Tiranës, unë si kryebashkiak do përmbush detyrën e marrë. Shumë prej tyre projektuesve si kanë marrë lekët. Por ajo që dua të them është se e keqja nuk mund të triumfojë shumë”, deklaroi Basha. Ndërkaq duke u ndalur tek rikonstruksioni i një ndër shkollave më problematike për nga infrastruktura, kreu i Bashkisë së Tiranës theksoi se fondi i investimeve për “Ahmet Gashin” ishte 3 milionë dollarë. “Me një kënaqësi të madhe inspektova sot (dje) së bashku me kryebashkiakun e njësisë nr 11, këtë shkollë të standardeve evropian, të ndërtuara me fonde të Bashkisë, e cila do t’i përgjigjet 1000 mijë fëmijëve. Projekti ka marrë një investim prej 3 milionë dollarësh, dukë ndërtuar kështu një shkollë e cila ka arritur standardet evropian. Falënderoj dhe drejtuesit dhe hartuesit të planit”, – pohoi Basha. Por ndaj deklaratave të kryebashkiakut të kryeqytetit nuk ka munguar reagimi i kreut të qeverisë Edi Rama, duke e akuzuar Bashën se po flet për një bllokim imagjinar. “Kryebashkiaku më kot që ka pasur Tirana flet në hava për bllokada imagjinare, kurse me këmbë në tokë bën apo lejon dëme jashtë imagjinatës!”, – shkruante ai në postimin e tij në rrjetin social.

 

Deputeti i PD-së/ Edmond Spaho: Me hartën e re territoriale nuk do të ketë zgjedhje

Deputeti i Partisë Demokratike, Edmond Spaho, tha se me ndarjen e re administrative-territoriale të vendit nuk do të mund të zhvillohen zgjedhjet vendore të vitit 2015. Sipas tij, mazhoranca përmes hartës së re ka përfitime të pastra elektorale. “Për ndarjen territoriale do shkojmë në Gjykatën Kushtetuese. Me këtë hartë territoriale kemi bindjen që nuk do ketë zgjedhje, prandaj do të shkojmë në Gjykatën Kushtetuese, por edhe me referendume lokale. Nëse do gjejmë mbështetje nuk do ketë zgjedhje me këtë hartë”, tha ai për “News 24”. Në këtë kontekst, akuzat e tij ndaj mazhorancës për përfitime partiake me reformën territoriale, Spaho i faktoi përmes një shembulli, duke pohuar se,: “Mund t’ju jap shembullin e Zall-Herrit dhe Paskuqanit, Zall-Herri iu bashkua Tiranës dhe Paskuqani Kamzës, kjo është një zgjidhje e mirëfilltë elektorale. Këtu faktohet teoria jonë. Ne po kërkojmë ndryshim të qëndrimit të mazhorancës”. Sa i përket vendimit të opozitës për të vazhduar bojkotin ndaj Kuvendit, deputeti demokrat theksoi se opozita pret një sjellje të re nga shumica, për t’iu kthyer jetës parlamentare. “Është e drejta e cilitdo të analizojë, të japë mendime dhe sugjerime për atë çka opozita duhet të bëjë, por ne jemi të ndërgjegjshëm se opozita është për të qenë në Parlament, aty zhvillohet lufta politike, por duhet të kesh kushte. Nëse prishet konsensusi zhvillon reforma pa praninë e opozitës, kërkuam konsensus në Kuvend për reformën territoriale, që të mos fillohej me vizatimin e hartave dhe nuk e gjetëm. Mazhoranca të reflektojë dhe të na japë shenja që historia e këtij viti do të mbyllet, ne do kthehemi në një realitet funksional politik që të drejtat tona të mos nëpërkëmben”, – u shpreh Spaho.

 

 Rrëzimi i dekreteve/ Konstitucionalisti Hazizaj: Një pjesë e arsyeve të Presidentit qëndronin

Konstitucionalisti Sokol Hazizaj komentoi dje në aspektin ligjor rrëzimin e dekreteve të Presidentit të vendit Bujar Nishani nga ana e mazhorancës qeverisëse, duke theksuar se një pjesë e arsyetimeve të Nishanit qëndronin. “Në përmbajtjen e arsyetimit, të cilën nuk e bën ai, por e bën kabineti ose këshilltarët ligjor, unë mendoj se një pjesë e cilësisë juridike që ka bërë Presidentit i Republikës, në arsyetimin e tij, në dekretet e kthimit të ligjit për KLD-në, qëndron. Një pjesë e akteve që janë miratuar si akte ligjore sot, janë të parashikuara në akte ligjore të funksionimit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Të cilat kanë funksionuar si të tilla, janë respektuar si të tilla, janë dhe produkt i drejtpërdrejtë i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Që do të thotë se nuk ka ndonjë gjë të re në formatimin ose në aktin formativ të sjellë në ligj tashmë, mbas kthimit të dekreteve të Presidentit të Republikës. Ky lloj arsyetimi ligjor, mungonte në kthimin që bëri Kuvendi dje dekretit të kthimit të ligjit nga ana e Presidentit të Republikës. Në frymën jokushtetuese reagoi edhe Komisioni i Ligjeve në Kuvendin e Shqipërisë. Që do të thotë se nëse flitet për prioritete me këtë janë të gjithë dakord. Duke mos hyrë në atë konceptin politik. Që do të thotë se Kuvendi i Shqipërisë nuk mundi të arsyetonte mbi atë çka kishte dashur të thoshte Presidenti i Republikës në dekretet e kthimit ligjor”, – theksoi Hazizaj në një intervistë për “Ora News”. Ndërkaq, ai e theksoi nga ana tjetër se Kushtetuta nuk është më simboli i së drejtës, por është një letër shumëpërdorimëshe, të cilën e përdorin të gjitha krahët politike.

 

 

Share it :