Florenc Drizari
Pas takimit në PPE, Basha: Berishës iu rezervua një respekt i denjë për një dekan të politikës së djathtë
“Marrëdhënie të kushtëzuar me Kuvendin e Shqipërisë deri në rikthimin e legjitimitetit”. Ky është qëndrimi i fundit i opozitës në raport me mazhorancën qeverisëse. Ky qëndrim u pohua nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, gjatë mbledhjes së djeshme të grupit parlamentar demokrat. Basha theksoi se kjo marrëdhënie do të vazhdojë derisa mazhoranca të rikthejë rivendosjen e ligjit në Kuvend, duke nënkuptuar tërheqjen e procedurave parlamentare të ndërmarra nga mazhoranca për shkarkimin e kryeinspektores së ILDKP-së, Zana Xhuka. Qëndrimi i opozitës tha Basha nuk ka të bëjë me raportet ndaj një individi (Zana Xhukës), por me qasjen që po mban shumica parlamentare ndaj institucioneve parlamentare.
Lulzim Basha
“Ne përsërisim qëndrimin tonë se marrëdhënia e grupit tonë dhe e opozitës me Kuvendin do të vijojë të mbetet e kushtëzuar, për shkak të dhunimit flagrant të Kushtetutës me datë 20 shkurt me shkarkimin e paligjshëm dhe antikushtetues të kreut të ILDKP-së, si prova gjenerale e shumicës për të uzurpuar institucionet e pavarura apo për t’i vënë ato në kontroll dhe diktat politik. Ky qëndrim do të mbahet derisa të rivendoset ligji dhe kushtetutshmëria në Kuvend”, – tha Basha.
PPE
Mbledhja e grupit parlamentar të opozitës nisi me 1 minutë heshtje në nder të Ferdinand Ponit, i cili u nda nga jete tri ditë më parë. Më pas, Basha informoi deputetët për vizitën e një delegacioni nga PD-ja në PPE. Të enjten e kaluar Partia Demokratike u përfaqësua me një delegacion të nivelit të lartë në kongresin e Partive Popullore Evropiane, PPE, kongres i cili zgjodhi edhe kandidatin për President të Bashkimit Evropian.
Në fjalën e tij, Basha foli edhe për pritjen që iu rezervua delegacionit shqiptar. Duke folur për ish-kryeministrin, Basha tha se “zotit Berisha iu rezervua një respekt i denjë për një dekan që ka ndarë një jetë të gjatë politike me familjen politike evropiane të qendrës dhe qendrës se djathtë”.
Ai vijoi më tej, duke thënë se pjesëmarrja aktive dhe roli aktiv i Partisë Demokratike në familjen politike të PPE-së ka një rëndësi të madhe për aspiratat demokratike dhe evropiane të shqiptarëve.
Duke iu rikthyer aktualitetit politik, Basha theksoi se partnerët evropian shprehën vlerësimin e tyre pozitiv të njëzëshëm për qëndrimin e PD-së të mbështetjes pa kushte te integrimit evropian të vendit.
Basha tha se mesazhi nga kryetarët e qeverive të shteteve anëtare dhe përfaqësuesit e lartë të institucioneve evropiane të pranishëm në këtë kongres ishte i qartë dhe pa ekuivok. “Shkeljet e përsëritura të Kushtetutës, kapja dhe përpjekjet për të vënë nën diktat e kontroll politik institucionet e pavarura, zhbërja e investimeve evropiane në fushën e administratës publike dhe Policisë se Shtetit, cenimi i themeleve të shtetit ligjor nga qeveria shqiptare përbëjnë një rrezik kërcënues për statusin në qershor dhe për udhëtimin e Shqipërisë në drejtim të integrimit evropian në tërësi”. Me tej, kreu i PD-së foli për takimin e nivelit të lartë mes përfaqësuesve të pozitës dhe opozitës me komisionerin për Zgjerimin në BE, Stefan Fyle. Sipas Bashës konkluzionet e qeverisë treguan qëllimin e shumicës së majtë ndaj opozitës, për ta zbahur rolin dhe kontributin në fushën e integrimit evropian.
Grupi i PD-së, 1 minutë heshtje për Ferdinand Ponin
“Dje përcollëm për në banesën e fundit Ferdinand Ponin, mikun dhe shokun tonë të dashur, kolegun e respektuar, drejtuesin, veprimtarin dhe zyrtarin shembullor, demokratin e vendosur e mendjehapur, që ia kushtoi jetën e tij politike një çështjeje madhore të demokracisë, siç janë zgjedhjet, decentralizimi dhe autonomia e pushtetit vendor, modernizimi i qeverisjes, ku dha një kontribut të pashlyeshëm dhe të dorës së parë”, – deklaroi kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili pas këtij fjalimi të mbajtur dje në mbledhjen e grupit parlamentar, kërkoi nga deputetët e djathtë të mbanin një minutë heshtje në nderim të figurës së Ferdinand Ponit, ish-zëvendësministër i Brendshëm në qeverisjen e PD-së si dhe anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës deri pak ditë më parë. Ferdinand Poni u nda nga jeta të shtunën nga një atak kardiak.
Elmar Brok: Kam frikë se Rama po luan lojën e vjetër
Gjatë mbledhjes së djeshme të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, kryetari i PD-së, Lulzim Basha, foli edhe për reagimin që kishte marrë nga ndërkombëtarët gjatë takimit që zhvilloi me delegacionin e djathtë në kongresin e PPE-së. Basha iu referua deklaratave të fundit të kryetarit të Komisionit të Punëve të Jashtme në Parlamentin Evropian, Elmar Brok, duke thënë se, sipas tij, kur vërehen mijëra shkarkime në vend dhe militantët ftohen të aplikojnë në sitin e internetit të partisë për t’u futur në administratë, kjo është të duash ta bësh vendin pronën tënde. Basha citoi duke thënë: ”Kur shoh që ndryshohen postet kundër rregullave, duke përfshirë këtu edhe në raste që lidhen me rolin e Presidentit të Republikës për institucionet e pavarura, atëherë kam frikë se zoti Rama po luan lojën e vjetër. Dhe parimet që ne mbrojmë fort për forcimin e shtetit ligjor dhe këtë radhë janë shkelur nga qeveria. Kur mora vesh se aktet kushtetuese mund të ndryshohen përmes një akti normativ të qeverisë, kjo është më shumë se befasuese, është afër një regjimi diktatorial. Tejkalimin e Kushtetutës përmes një akti normativ qeveritar, s’e kam parë kurrë këtë përpara përveçse në diktatura”.
Mblidhet të martën Këshilli i Sigurisë Kombëtare
Ngjarjet e fundit kriminale në vend, duke përfshirë edhe shpërthimet me tritol, pritet të mbledhin ditën e martë, më datë 11 mars, Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Mësohet se Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ka dërguar ftesë për Kryeministrin e vendit, Edi Rama, ministren e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, shefin e Shtabit të Përgjithshëm, Jeronim Baze, kreun e Shërbimit Informativ Shtetëror, Visho Ajazi, kreun e Policisë së Shtetit Artan Didi, si dhe prokurorin e Përgjithshëm Adriatik Llalla. Mbledhja e Këshillit të Sigurisë do të zhvillohet në Presidencë dhe pritet të nisë në orën 10:30. Mësohet se gjatë kësaj mbledhjeje do të diskutohet për situatën e sigurisë dhe atentatet e kohëve të fundit me tritol në vend. Prania e zyrtarëve të lartë të shtetit ende nuk është konfirmuar plotësisht. Dyshimet për praninë e tyre në këtë takim vijnë nga fakti që krerët e mazhorancës kanë kritikuar ditët e fundit lëvizjet e kreut të shtetit Bujar Nishani dhe të disa institucioneve të pavarura në vend. Gjithashtu, kritika ka pasur edhe ndaj punës së kreut të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe prokurorit të Përgjithshëm. Më herët ka qenë vetë Kryeministri Edi Rama, i cili ka kërkuar hetim të pavarur për ngjarjet e 21 Janarit me prokurorë të huaj, ndërsa për SHISH-in kreu i qeverisë ka thënë se nuk është në lartësinë e duhur dhe reforma e qeverisë pritet të prekë edhe këtë institucion.




