Mbi 130 mln lekë për dy projekte/ Inkubatorët fantazëm gllabërojnë fondet publike në Korçë

Mbi 130 milionë lekë janë shpenzuar në Korçë për projekte të quajtura “Inkubatorë Biznesi”, por sot asnjë inkubator funksional nuk ekziston.

Investimet u prezantuan si nisma për mbështetjen e të rinjve, zhvillimin e startup-eve dhe krijimin e vendeve të reja të punës, por në praktikë një objekt është i mbyllur dhe i kthyer në magazinë, ndërsa tjetri është shndërruar në një strukturë private hotelerie.

Dy projekte të ndryshme në emër, por me të njëjtin rezultat: mungesë funksioni, mungesë transparence dhe zero impakt për sipërmarrjen rinore.

Inkubatori i parë, i ngritur në ish-Uzinën Mekanike me një kosto prej rreth 55 milionë lekësh, u inaugurua në vitin 2014 si një qendër moderne për startup-e në agroturizëm, zejtari dhe turizëm. Godina ndodhet jashtë përdorimit, dhe pas 11 vitesh, nuk ekziston asnjë raport publik që të provojë se ky inkubator ka prodhuar qoftë edhe një sipërmarrje të qëndrueshme. Ndërsa projekti i dytë, Inkubatori i Biznesit në Mikpritje dhe Turizëm, për të cilin nga viti 2024 janë shpenzuar rreth 87 milionë lekë, rezulton i kthyer në një hotel privat (MIK Korça), fakt që bie në kundërshtim me qëllimin e shpallur të investimit.

Të dhënat e “shteg.org” tregojnë se të rinjtë, bizneset lokale dhe shoqatat e interesit nuk kanë qenë as të informuar dhe as të përfshirë, dhe se projektet ekzistojnë vetëm në dokumente. Në realitet, janë shndërruar në objekte të braktisura ose biznese private, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi menaxhimin e fondeve dhe përgjegjësinë institucionale.

Start-up e dëshmuara

Pamje nga brenda e Inkubatorit të Biznesit në ish-Uzinën Mekanike

Në vitin 2014, ish-Uzina Mekanike në Korçë u rikonstruktua me një fond publik prej rreth 55 milionë lekësh për t’u kthyer në “Inkubatorin e Biznesit Korçë”, një projekt që u prezantua si nismë strategjike për mbështetjen e të rinjve 18–29 vjeç me ide sipërmarrëse.

Sipas një publikimi të vitit 2015, “Inkubatori i Biznesit Korçë është një përpjekje thelbësore e Bashkisë Korçë, A.R.ZH. Korçë dhe disa partnerëve të tjerë lokalë, kombëtarë dhe ndërkombëtarë për të mbështetur bizneset për të rinjtë dhe për të krijuar vende të reja pune”.

Nëpërmjet zbatimit të këtij projekti, Bashkia e Korçës synonte krijimin e ambienteve pune, trajnime profesionale, mentorim dhe mbështetje konkrete për startup-et, kryesisht në agroturizëm, zejtari dhe turizëm.

Bashkia e Korçës pretendonte se nëpërmjet këtij investimi do të prodhonte biznese dhe biznesmenë të moshave të reja, duke i mbështetur me ambiente dhe duke i trajnuar për tregun e punës.

Saktësisht në faqen zyrtare të ARZH Korçë, specifikohet se për një periudhë 24 mujore nga ky inkubator do të “çelnin” rreth 25 të rinj të biznesit.

“Investuam 55 milion lekë, për t’i dhënë mundësinë rreth 142 tregëtarëve të mos shesin më në tezga plasmasi jashtë, por në kushte më të mira me standarde bashkëkohore brenda godinës tek ish-UMB, sot Inkubatori i Biznesit. Përmes këtij investimi i’u rikthyem qytetarëve një tjetër hapësirë të lirë, sheshin i cili është hijeshuar edhe me një lulishte dhe rrugë të asfaltuara. Në një pjesë të veçantë të këtij sheshi u pozicionuan edhe triçiklat të cilët ndodheshin pranë Pazarit të Vjetër të Korçës. Inkubatori i Biznesit Korçë, pjesë e këtij projekti, është një përpjekje thelbësore e Bashkisë Korçë, A.R.ZH. Korçë, dhe disa partnerëve të tjerë lokalë, kombëtarë dhe ndërkombëtarë për të mbështetur bizneset për të rinjtë e për të krijuar vende të reja pune.” – thuhej në një njoftim të Bashkisë së Korçës në Nëntor 2016.

Pas më shumë se një dekade nga nisja e projektit, nuk ekziston asnjë evidencë publike që këto objektiva janë realizuar.

Bashkia Korçë, në përgjigje të kërkesave për informacion, thekson se projekti është zbatuar nga ARZH gjatë viteve 2016–2017 dhe se institucioni nuk disponon të dhëna mbi aplikimet e pranuara, bizneset përfituese, kriteret e përzgjedhjes apo numrin e vendeve të punës të krijuara.

“Drejtoria e Turizmit, Projekteve të Zhvillimit, Migracionit e Diasporës nuk ka qenë e angazhuar në zbatimin e projektit dhe nuk disponon të dhëna të detajuara,” thuhet në përgjigjen zyrtare të Bashkisë, duke e zhvendosur përgjegjësinë institucionale te një tjetër strukturë, ndërkohë që objekti mbetet në pronësi të saj.

Ndërsa, në pamundësi për të pasur një kontakt zyrtar edhe pse u tentua me email apo nëpërmjet postës shqiptare, nuk u mundësua një komunikim me fondacionin “ARZH”, ndërsa të dhënat u mbështetën në të tjera komunikime zyrtare.

Gjendja reale e inkubatorit dhe perceptimi i të rinjve e nxjerrin edhe më qartë dështimin e kësaj nisme.

Nga monitorimi në terren rezulton se godina e ish-Uzinës Mekanike është plotësisht jashtë funksionit, e mbyllur prej vitesh dhe e kthyer në magazinë. Aktivisti Petro Lubonja ka denoncuar publikisht këtë situatë përmes pamjeve filmike të publikuara në rrjete sociale.

Por për Bashkinë e Korçës, godina është mbyllur për shkak të përfundimit të marrëveshjeve kontraktuale.

“Objekti qëndron i mbyllur prej datës së përfundimit të kontratës së huapërdorjes 11.01.2022 dhe është duke u parë mundësia për vënien në përdorim efiçent të tij.” – thuhet në përgjigjen e Bashkisë së Korçës.

Të dhënat tregojnë se godina është kthyer në një magazinë me karrike dhe materiale të tjera dhe ndodhet jashtë funksionit.

Megjithatë, për llogari të Bashkisë është shpenzuar një shumë e konsiderueshme që duhet t’i vinte në ndihmë të rinjve, ky institucion nuk disponon asnjë dokument mbi mënyrën se si janë shpenzuar këto para.

“Nga verifikimet e kryera rezulton se informacioni i disponueshëm lidhet me kontratën për rikonstruksionin e instalimeve dhe sistemimin e ambientit të jashtëm të ndërtesës “Ish Uzina Mekanike”, në kuadër të projektit “Forcimi i Komuniteteve nëpërmjet Inkubatorit të Bizneseve”, Ref. Nr. IADSA/2014/2. Aktivitetet përfshinin rikonstruksionin e ndërtesës bazuar në projektin e zbatimit, prishje dhe rikonstruksion të ndërtesës, instalimet elektrike, si dhe sistemimin e ambientit të jashtëm. Kontrata u nënshkrua më 09.01.2015, me vlerë 53,046,956 lekë, dhe kontraktues ishin Bashkimi i shoqërive “Xhengo” sh.p.k. dhe “Simaku” sh.p.k. Aktualisht, bashkia nuk disponon kopje të kontratave dhe preventivave përkatëse në arkivin e institucionit, duke qenë këto të vetmet të dhëna lidhur me procedurat e prokurimit për projektin.” – thuhet në përgjigjen që “shteg.org” mori nga Bashkia e Korçës.

Shndërrimi i ish-Uzinës Mekanike në një inkubator nuk ishte rasti i vetëm i financimit të Bashkisë së Korçës. Dokumentet tregojnë se një projekt i ngjashëm u realizua edhe në vitin 2024, por sot është shndërruar në një hotel, që pret e përcjell klient për interesa private.

Inkubatori që u shndërrua në hotel

Share it :
CEZ-DIA dhe akuzat ndaj Metës/ Avokati Zhllima: Së shpejti VIDEO-ja me politikanin që merr para! Gjyqtarja Irena Gjoka, e cila po shqyrton çështjen ndaj ish-presidentit Ilir Meta, gjendet në qendër të akuzave për një konflikt të rëndë interesi. Nga dokumentet e paraqitura nga avokatët e ish presidentit në konferencën për media, mbrojtësi i Metës, Gylsen Zhllima, tha se gjyqtarja Gjoka rezulton të ketë qenë kryesuese në një gjykim të vitit 2016, ku është vendosur për konfiskimin e pasurive të shtetasit Kastriot Ismailaj, një fakt që, sipas akuzës, e bën të papërshtatshme për gjykimin aktual dhe kërkonte përjashtimin e saj nga çështja. Sipas avokatit, është e pamundur që një gjykatës të mos kërkojë përjashtimin kur brenda akteve të një çështjeje gjendet një lidhje e mëparshme. Përtej këtij rasti, avokati Zhllima pretendoi se caktimi i gjyqtares Gjoka në çështje të profilit të lartë politik, ndjek një model të caktuar, situatë e cila përshkruhet si pjesë e një “plani afatgjatë” për eliminimin politik të zotit Meta, duke përdorur atë që quhet “drejtësi perceptuese” dhe jo fakte penale. Avokati parlajmëroi se së shpejti do të publikohet një material ku do të tregohet me emër dhe mbiemër një politikan duke marrë para në dorë, në kuadër të marrëveshjes së shumëpërfolur CEZ-DIA, duke theksuar se Ilir Meta nuk ka asnjë lidhje me këtë aferë. Vendimi gjyqësor i Gjykatës së shkallës së parë të krimeve të rënda, që është kryesuese zonja Irena Gjoka, e cila ka konfiskuar pasuritë e zotit Kastriot Ismailaj. E kuptoni qartë se është e pamundur që në një proces gjyqësor dhe penal, gjykatësi mos të shikojë dhe mos të kërkojë vetë përjashtimin kur brenda akteve ndodhet emri i vetë dhe aty duhet të paktën të kërkojë që të heqi dorë për shkak se ka gjykuar në të shkuarën dhe në vitin 2016 pasurinë e personit të cilët janë i kanë konfiskuar pasurinë. Pra, e thënë me pak fjalë, për ata që besojnë tek drejtësia e pavarur e paanshme te GJKKO-ja, e cila është e pastruar nga vetingu me thonjëza, tregohet qartë që zonja Irena Gjoka është pothuajse te rasti i zotit Berisha, zotit Mediu, tek rasti i zotit Meta dhe ku ka opozitarë, zonja Gjoka është relatore dhe vendos gjithmonë në disfavor të opozitarëve. Por ajo që duhet të duket e çuditshme është kjo, e lidhur nga 2011-ta në vazhdim, që eliminimi politik i zotit Meta nuk është thjesht një plan afatshkurtër, është një plan afatgjatë dhe kuptohet që donin ta implikonin me shumë fakte penale, pra të asaj që ne themi perceptimi, pra drejtësia perceptuese njerëzore është më e rrezikshme se ajo faktike penale, por ne po paraqesim tek ju se si ata në perceptimin publik të videos së famshme të 2011-ës, në rast se do të kishte i ndjeri Dritan Prifti një fakt penal kundër zotit Meta, nuk do të bënte videon ku dyshohet që ka edhe një video për zotin Dritan Prifti, por ai do të sillte si fakt penal konkret rastin ÇEZ-DIA. Por ne do na lejoni, sepse edhe minutat janë të shkurtra, ne do na lejoni që në konferencën e radhës do ju nxjerrim një material ku duket qartë me emër dhe mbiemër politikani, i cili do të marri para në dorë nga kjo marrëveshje e famshme që është ÇEZ-DIA, që nuk ka lidhje fare i mbrojturi prej nesh zoti Ilir Meta. Pra, qartazi kërkoj regjinë, se kjo është fotografia më e mirë dhe më e bukur, pavarësisht se thamë shumë fakte të rëndësishme, se si ka mundësi që e njëjta gjykatëse të jetë edhe gjykatëse e seancës paraprake ndaj zotit Meta. Pra, i dhanë seancën paraprake, i dhanë mundësinë që të shikojë dhe të gjykojë dhe të hetojë, i nderuar koleg, në mënyrë të paanshme, të pavarur zonja Irena Gjoka, aktet kundër zotit Meta dhe ajo nuk tha të paktën një fjalë për sa i përket vendimit të 2016-ës, ku ajo vetë është e përfshirë për shkak se ka bërë konfiskimin e pasurive të Kastriot Ismailajt. Prandaj unë qëndroj në mënyrë të përmbledhur të gjithë ato që tha kolegu, por mos harroni një fakt shumë të rëndësishëm, që personi i cili ishte në kushtet e burgimit, zoti Kastriot Ismailaj, në 21.04.2022, tha qartë dhe duke qenë dhe pothuajse i kanosur nga shumë shumë faktorë të tjerë, deklaroi që midis zotit Elvis Mataj, zotit Romeo Kara dhe tij, ka pasur një marrëveshje, një marrëdhënie e cila ishte edhe monetare përveç të tjerash.