Frederik Stamati
Po marr përsipër të shkruaj historinë e një uniforme ushtarake të vitit 1920, pa pretenduar se do të jetë e plotë, por duke u munduar ta shoqëroj me të gjitha kuriozitetet e mundshme. Gjithashtu, dua të shtoj se gjetja e saj ishte frut i punës së katër vetave, ku veç meje morën pjesë edhe Arjola Prifti, shefja e Fondit Etnografik të Qendrës së Studimeve Albanologjike, Vilma Nallbani dhe Violeta Maloku, të dyja punonjëse të këtij fondi. Nga i gjithë ky grup asnjë nuk ishte i parë.
***
Stendali thotë se rasti është gjeneral. Për ne rasti është treguar një fisnik bujar, zemërgjerësia e të cilit ledhatoi si rrallëherë sedrën muzeale të shtetit shqiptar. Ja, ndonja dy muaj më parë, tek rrënonim plot emocione për relikte të harruara të bandës “Vatra”, gjetëm në një grumbull objektesh, që nuk dihej se çfarë ishin, një uniformë të vjetër ushtarake. Ishte e palosur pa kujdes, gjithë rrudha, me sa dukej nuk i hynte askujt në punë, madje as që e tërhiqte, as sa për kuriozitet. Ë hë, as sa për kuriozitet! Mirëpo kurioziteti është kapriçioz, është syth i fshehtësisë, apo lidhet me diçka të rrallë, të cilën e di, e kërkon dhe nuk e gjen dot. E shpalosëm xhaketën. Në të dyja anët e jakës simboli kombëtar, shiriti kuqezi dhe dy germa të mëdha prej bronzi T dhe V. O Zot! “Trupi Vullnetar”! “Trupi Vullnetar” apo “Garda Civile”, siç u quajt zyrtarisht më vonë, që në fillim të vitit 1920, erdhi në Shqipëri së bashku me bandën “Vatra”! “Garda Civile”, metamorfozë e “Regjimentit Shqiptar” i ideuar që në vitin 1918 nga Mehmet Bej Konica dhe i ftuar në 1920 nga Kryeministri shqiptar i asaj kohe, Sulejman Delvina! Ramë në një nga ngjarjet më mbresëlënëse të historisë së Shqipërisë të atyre viteve! Mirë, mirë, po le ta lëmë historinë për më vonë! Në gjoksin e xhaketës ishte kapur me një gjilpërë me kokë një fotografi e grisur, në madhësinë e kartolinës. Dukej një ushtarak, ndonja tridhjetë apo tridhjetë e pesë vjeç, me po këtë uniformë. Kush ishte ky? Nuk kishte gjë të shkruar. S’ka gjë, e shohim pastaj! Në mëngën e majtë të xhaketës përsëri simboli kombëtar, shiriti kuqezi, i qepur në formën e germës V. Futëm duart nëpër xhepa: gjetëm një palë doreza të holla e të bardha prej pambuku, si ato që përdoren nëpër parada ushtarake; në xhepin e majtë kishte një hudhër.
Gjetëm edhe kapelen me strehë, e punuar me po të njëjtën copë jeshile. Në ballë qëndron e mbërthyer shqipja e bronztë dykrenore, me shqyt në mes. Shiriti mbi strehë është mbërthyer me dy kopsa të verdha metalike, njëlloj si edhe ato të xhaketës, në të cilat është stampuar shqiponja me krahët e ngritura përpjetë. Nuk duket si shqiponja e jonë, por si ajo e ushtrisë amerikane. E kthyem nga brenda. Ka një shirit prej lëkure të hollë kafe, që është lidhur nga mbrapa me një si fjongo. Në të dallohet një pullë e kuqe e ngjitur, me numrin 678 . Në astar ka etiketën e prodhimit. Ja se çfarë shkruan:
ARMY AND NAVY
HARDING
UNIFORMS
22 SCHOOL ST.
BOSTON.
Kjo mund të përkthehet kështu:
USHTRIA DHE FLOTA
UNIFORMA
TË FORTA
- E SHKOLLËS 22
BOSTON
Poshtë xhaketës dhe kapeles ishin dy kambale, të punuara me një pëlhurë shumë të fortë prej pambuku. Janë të gjata dhe përdoreshin me lidhëse. Me sa duket pantallonat, të cilat mungojnë, duhej të dukeshin si kilota. Në fund kanë shiritin prej lëkure dhe tokëzën, që të kapeshin poshtë këmbës. Nga brenda dallohet numri 15. Çfarë tregon ky?
Tani, si përshkruam uniformën që gjetëm dhe që i përket një luftëtari të “Trupit Vullnetar”, po i kthehemi historisë mbresëlënëse të kësaj trupe ushtarake, që e krijoi nuanca e kuqe e patriotizmit shqiptar. Atë e ka treguar mjaft mirë Refat Xh. Gurrazezi tek “Historia e federatës “Vatra”, botuar në vitin 2006. Po e kopjojmë ashtu siç është shkruar:
“Me 18 maj 1918 Komisioni i Vatrës bisedoi lidhur mbi një letër që i kishte dërguar nga Londra Mehmet Konica, që propozonte organizimin e një regjimenti shqiptar nënë komandën e Kolonelit Aubrey Herbert, që të luftonte në Shqipëri bashkë me aleatët. (Të shkëputur nga shkrimi do të botojmë edhe një fragment nga një letër e Mehmet Konicës që ruhet në Arkivin e Shtetit dhe që tregon përkushtimin e vazhduar të tij ndaj kësaj nisme). Komisioni u dërgoi degëve të Vatrës një qarkore për të parë se sa vullnetarë mund të regjistroheshin.
Qarkore e Komisionit të Vatrës.
“Të dashur pleq,
Delegati ynë Mehmed Be Konitza ka patur gjithënjë idenë që e vetema mënyrë për të shiguruar independencën t’onë është të kemi një fuqi shqipëtare t’armatisur, e cila të leftojë bashkë me Aleatët në Shqipëri, dhe e cila të mundë të mbajë vëndin dhe të mbrojë kufiret e vëndit t’onë, posa të zbrazet Shqipëria prej ushtërive të huaja. U-përpoq pra me anën e guvernës Inglize të jipet leje prej Aliatëve për një regjiment (allaj, sintagma) shqipëtar, i cili të organizohet, të stërvitet dhe të armatiset në Amerikë, dhe i cili të vij në Shqipëri me FLAMURIN E SHQIPËRISË nënë kumandën e shqipëtarëfolësit të njohur Kolonelit dhe deputetit inglis Aubrey Herbert.
“Ja ç’na shkruan mi këtë pikë Mehmed Beu me 8 të Dhjetorit të shkuër:
“Pllani im, i pëlqyer dhe prej Kolonelit Aubrey Herbert, ka qenë ky: Koloneli Herbert do të marrë kumandën e regjimentit shqipëtar, i cili do të luftojë bashkë me Aliatët, në Shqipëri, po nën flamurin Shqipëtar. Si oficerë do të meren të gjithë Shqipëtarët oficerë që munt të gjënden, dhe në mos arrifshin këta, të mbushën viset e zbrazura me oficerë aliatë”. Miku ynë (Z. Aurbey Herbert) nisi të kujdeset për mënyrën më të cilën regjimenti ynë do të vishet, do të armatiset, do të stërvitet, do të ushqehet, edhe do të shpiret në Shqipëri.
“Më 14 të muajit, muarmë nga Mehmed Beu këtë telegram: ‘Shikoni letrën t’ime të 8 Dhjetorit. Regjimenti shqipëtar ësht i mirëpritur. Telegrafonemi sa shqipëtarë do të shkruhen në këtë regjiment që t’ia shtronj zyrtarisht Guvernës Inglize’.
“Nga ky telegram meret vesh që Guverna Inglize e mirëpriti pllanin e Regjimentit Shqipëtar dhe vendosi të dërgojë këtë Qarkëtore Degëve, me anën e së cilës ju lutemi të bëni mbledhje, a të shkoni konak më konak për të rregjistruar të gjithë shqipëtarët në vërsë ushtëriake që më 20 gjër më 40 vjetsh, të na telegrafoni brënda në tri a katër ditë sa veta u-shkruan në kolloninë tuaj, dhe kështu të mundim të lajmërojmë delegatin Z. Konitza për numërin e përgjithëshmë.
“U lutemi atdhetarëve t’u thoni kështu: ‘Me këtë regjiment do të bëhemi shokë të Inglisë, të Amerikës dhe të Aliatëve të tjerë, dhe do t’i kemi mprojtës të patundur të Shqipërisë Independente me kufirë ethnografikë në Kongresin e Paqës. Ndryshe do të mbetemi pa krahë dhe do mos kemi ku të pështetim kokën. Shkoni nër mënd sa simpathi do të fitojmë këtu në Amerikë vetëm me këtë Regjiment.’ O burrani, duhet të bëhemi të paktën 5000, në mos më shumë. E vetëma gjë kërkojmë është ushtarë. Kumandari do të kujdeset për rastat (të tjërat). Rroftë Regjimenti Shqipëtar’.”
Bërë në Boston, Mass, më 18 maj 1918, dhe nënshkruar nga zyrtarët e Vatrës: F. S. Noli, Loni Kristo, Goni Katundi, Hasan M. Bitincka, Stathi Suli dhe Shefki Aliko.
Shqipëtarët e Amerikës, ose më mirë munt të thomi Vatranët, u-përgjigjnë menjëherë në thirrjen e Vatrës duke organizuar trupa vullnetarësh në këto kolloni: Boston, Mass.; Manchester, N. H.; Southbridge, Mass.; Lonsdale. R. I.; Leviston, Me., North Grosvenordale, Conn.; Biddeford, Me.; New Bedford, Mass. Mbeti gjer këtu sulmi i organizimit të vullnetarëve se zjarri i luftës po shuhej, dhe s’ish më nevojë për regjimentin shqipëtar.
Po ata trupa vullnetarësh që u-organizuan, fytyrat e të cilëve në grupe të ndryshme janë botuar në Kalendarin e Vatrës 1918, i vazhduan stërvitjet e tyre ushtarake, dhe shumë prej tyre shkuan në Shqipëri në fillim të vitit 1920, nënë kumandën e Kolonel Aqif Përmetit…”
Tani e kam të lehtë të kopjoj disa rreshta që i kam botuar në suplementin “Milosao” të “Gazetës Shqiptare” të datës 27 prill 2008 “… Shqipëria… kërkonte përkrahje dhe moral. Askush nuk mund ta bënte këtë më mirë nga vetë shqipëtarët. Dihet që entusiazmi është në gjendje të kryej atë punë që nuk e bën dot as ushtria dhe as thesarët. Në fund të fundit është shpirti ai që bën mrekullira. Këtë faktor kapi me zgjuarësi kryeministri i asaj kohe Sulejman Delvina. Ai shfrytëzoi psikologjinë e impresionit. Ai i kërkoi Faik Konicës që të organizohej në Amerikë, e të vinte në Shqipëri, një trupë ushtarake vullnetare prej njëqint e gjashtëdhjetë vetësh me në krye një bandë. Kështu Sulejman Delvina u tregua psikolog, veprimi i tij ishte mjeshtëror”.
“Vatra” i u përgjigj menjëherë thirrjes nga Tirana. Fedetara u dërgoi një qarkore të gjithë shqipëtarëve të rregjistruar si vullnetarë. Kjo thirrje ka më tepër se kuriozitet për tu lexuar. Ja përmbajtja e saj:
FEDERATA PANSHQIPTARE “VATRA”
Zyra e Gardës Civile
Boston, Mass
Shkurt 20, 1920
Anëtarit të Gardës Civile
Z…………………………..
I dashur Zotni:
“Vij t’ju bëj të njohur se Këshilla e Vatrës vendosi që anëtarët e Gardës Civile, të cilët kanë harxhet e udhëtimit, të ikin për në Shqipëri, posa të arrijë përgjigja nga Delegacja Shqiptare në Paris”.
Përgjigja që pritej erdhi sot. Kryetari i Qeverisë Shqiptare, Shkëlqesia e tij Sulejman Delvina i bën të njohur Vatrës që vullnetarët të nisen menjëherë.
Pregatitjet për të shkuar duhet të bëhen shumë shpejt. Si një anëtar i Gardës Civile që patë nderin të shkruheni duke mbushur aplikatën, jeni i lutur të përgatiti për të shkuar, dhe për këtë, menjëherë të mbushni aplikatën që do të gjeni brenda dhe të vini në veprim pikat që shënohen më poshtë:
1)Të dërgoni menjëherë në zyrën e Vatrës, 6 piktura të vogla (fotografi) për pasaportën tuaj. Nga këto piktura do të përdoren 3 për pasaportën tuaj, një për koleksionin që do t’i lëmë Vatrës, një për zyrën e Trupit të Gardës dhe një për koleksionin që do t’i dorëzohet Qeverisë Shqiptare në Durrës. Pikturat të jenë gjysmë dhe kryejashtë.
2)…….”
Natyrisht që këtë qarkore e ka marrë edhe vullnetari “ynë”. Dhe në bazë të kërkesës ka bërë edhe fotografitë, ndonjëra prej të cilave duhet të ruhet diku dhe kjo është shumë e rëndësishme.
A jeni kuriozë të mësoni se si vepruan vullnetarët? Mirë, për ta afruar këtë shkrim sa më pranë të vërtetave të atyre kohërave, po kopjoj diçka nga ditari i sekretarit të trupës, Llambi Vaskë Jorgjit:
“…Të dy ortakët e mij, Pali Rrapi, Niko Culja dhe unë vendosëm ta shesim shtëpinë prej dy katesh, me katër dhoma, që kishim blerë sëbashku mbasi na duheshin të holla se do të niseshim për në atdhe si vullnetarë dhe me shpenzimet tona”. Ç’është kështu? Në çfarë lartësie qiellore u ngrit shpirti i këtyre njerëzve? A ka ndonjë monument për ta? Monument! Historiografia zyrtare nuk e ka trajtuar ndonjëherë këtë temë, madje Fjalori Enciklopedik Shqiptar as që i përmend fare, sikur të ishte një turmë e çakardisur e Haxhi Qamilit! A mundet vallë që ndonjë institut që studion shoqërinë civile të bëjë një sondazh nderi per këta njerëz dhe të na thotë se sa shqipëtarë do ta bënin sot, në ditët e sotme, një veprim kaq suprem?
Të gjithë ata u grumbulluan në New York. Udhëtuan me vaporrin “Canada”. Ndërsa i afroheshin Italisë u lindi shqetësimi se çfarë do të mund të ndodhte me këta luftëtarë që shkonin në një vend të pushtuar nga italianët. Një natë u mblodh fshehurazi në fund të vaporrit Komisioni i “Trupit Vullnetar”. Ata menduan se si duhej të silleshin vullnetarët. Arritën në Brindisi. Nisja e tyre drejt Shqipërisë po vonohej. Më në fund u nisën natën me vaporrin “Baron-Brück”. Darkën e 3 prillit arritën në Durrës.
E gjithë historia e mëvonëshme ishte një ekstazë, një përzierje e lotëve të mallëngjimit me lulet e mirënjohjes, e luleve dhe flamurit kombëtar, e marshimeve raskapitëse, të ndjekura me uljen e flamurit italian në zonat akoma të pushtuara dhe e ngritjes së flamurit shqiptar, e pritjeve, takimeve…Ky vullnetar i ka parë dhe i ka ndjerë të gjitha…
Veprimi i fundit i “Trupit Vullnetar”, apo i “Gardës Civile” ishte detyra e përballjes në kufirin shqiptaro-grek, me pretendimet teritoriale greke ndaj Korçës. “Garda Civile” qëndroi atje deri në fillim të gushtit. Me datën 1 erdhi urdhëri nga Komanda Ushtarake e Korçës për zëvendësimin e ushtarëve të gardës me ushtarë të rregullt. Me datën 4 ata u liruan. Misioni i saj u shua ashtu siç shuhet një zjarr hareje, ngadalë dhe gjithë mbresa të pashlyeshme. Ngjarje të tilla mbyllen me gjeste simbolike, po aq mbresëlënëse sa edhe jeta e tyre. “Trupi Vullnetar” vendosi që flamurin e tij, flamurin që e kishte shoqëruar në të gjithë marshimin kombëtar, t’ia dhuronte Primarjes së Kurveleshit, pra bashkisë, “për nder të atyre që luftuan trimërisht kundër italianëve në Vlorë”. Kundër këtij vendimi u shpreh Aqif Përmeti: po të ishte për të, ai flamurin do t’i a kishte dorëzuar Shoqatës “Vatra”, që u krijua në Korçë.
Me që sapo përmendëm flamurin dhe me që këto kohë po merremi me flamujt historikë të Shqipërisë, do të dëshironim që ta kishim edhe këtë flamur në inventarin e muzeumeve tona. Por mësuam nga Zoti Kristaq Jorgji se flamuri nuk u dorëzua. Atë e mbante Lipe Konomi nga fshati Katund i Korçës. Pastaj e mori Zoti Gurashi, që iku në Austri. Fati i mëtejshëm i tij u mjegullua. Megjithatë ne po kërkojmë. Se si, është disi e komplikuar, por po kërkojmë. Nganjëherë…
Dhe tani, mbas kësaj ndërprerjeje të nxitur nga miklimi, po rikthehemi tek shtjellimi i historisë. Akoma nuk dihet mirë numuri i ushtarëve të “Gardës Civile”, që erdhën në Shqipëri. Thuhet se ishin njëqint e gjashtëdhjetë…ndoshta dyqint, a më tepër. Që atëhere kanë kaluar nëntëdhjetë e dy vjet…Kristaq Jorgji, i biri i sekretarit, ruan me kujdes thesari kartelat e luftëtarëve, ashtu siç u plotësuan atëhere në Amerikë. Ai është duke përgatitur një botim të rrallë.
E deri atëhere, të gjithë ata që do të dëshironin të dinë hollësitë mbresëlënëse të udhëtimit odisean të “Gardës Civile”, mund të lexojnë botimin e Ethim Dodonës dhe Llazar Morckës “Historiku i Bandës Kombëtare “Vatra”, botuar në gazetën “Rilindja”, të dates 24, 25 dhe 26 gusht 1995, apo “Shënime të një ditari” të Llambi Jorgjit, botuar në vitin 1964 në “Studime Historike”.
Kush është vullnetari në fotografi? Nuk duket aq i ri. Por nuk ka as spaleta në supe. Me sa duket ka qenë një luftëtar i thjeshtë. Kush e ka dorëzuar kostumin dhe fotografinë e tij? Nga mbrapa fotografia ka disa shkrime të studios. Janë në anglisht:
POST CARD (KARTË POSTARE)
CORRESPONDENCE HERE (KËTU KORESPONDENCA)
NAME AND ADRESS HERE (KËTU EMRI DHE ADRESA)
PLACE STAMP HERE (VENDOSE KËTU PULLËN)
Dhe më e rëndësishmja për ne në këtë kërkim:
WALPER STUDIO
832 WASHINGTON ST.
BOSTON
Pra kjo fotografi është bërë në studion “Walper” të Bostonit. Po pse, pse nuk e kanë shkruar emrin? Hapëm kalendarin e Vatrës të vitit 1918. U përqendruam në fotografinë që paraqet vullnetarët nga Bostoni. I vëzhguam me shumë kujdes, i zmadhuam. Ka nja dy ngjasime, ndoshta të rastit. As edhe laboratori i kriminalistikës nuk arriti të realizojë identifikimin e pritur me padurim. Ngulmuam më shumë, duke krahasuar fotografi të tjera…Ngjason në një fare mase me…Mirëpo nuk mund të thuhet me siguri. Vallë, a do të mundemi ta identifikojmë këtë luftëtar që ka hyrë në botën e muzeut, në botën e përjetësisë.
Kush është ky luftëtar? Kush e njeh? Kush e ka në kujtimet familjare, për të cilat i a vlen të krenohet? Këtu ose në SHBA në arkivat e “Vatrës”? Ndoshta do të jetë një simbol. Emri dhe fotografia e tij i përkasin historisë po aq sa “Trupi Vullnetar”, apo “Garda Civile”. Ne nuk e gjetëm dot. Na e tregoni ju, në se keni mundësi! I shkruani gazetës ose Qendrës së Studimeve Albanologjike në Tiranë, ku ruhet ekzemplari i vetëm i uniformës së çmuar.
Kjo uniformë ushtarake duhet të ketë qenë dorëzuar dikur në Muzeun Kombëtar, nga ku kaloi në vitin 1946 në Institutin e Shkencave, pa u shoqëruar me të dhënat përkatëse. Nuk ka numër inventari, as të ri dhe as të vjetër, kështu që kërkimi ynë do t’i përngjasojë erës. Uniforma, dikur jeshile, sot është e zbardhur. Ka ndodhur nga drita e diellit, që ka rënë në të gjatë ekspozimit të parë. Vendi ku ka pasë qenë kapur me gjilpërë fotografia dhe i ka shpëtuar diellit vazhdon të mbetet jeshil, veçse në të dallohen disa njolla të lehta ndryshku. Pse jemi kështu? Restaurimi do ta përmirësojë gjendjen, por nuk do të mundet kurrë të rikthejë atë që do të dëshironim ta shikonim.
Epilog për vullnetarët
Gazeta “Koha” e datës 14 gusht 1920 shkruante në numrin gjashtë të saj se “dragonjtë e rinj që përçanë oqeanin për të derdhur pikën e gjakut u liruan”…”por duhet të marrim shembull se këta dragonj ngjalli Kombin nga vdekja… ata derdhë qeset e tyre vetëm e vetëm për shpëtimin e Shqipërisë!”
Mbas lirimit nga detyra, ata morën dëshminë e pjesëmarrjes dhe rekomandimin për përkrahje. Disa nga ata u kthyen në Amerikë, të tjerët u punësuan këtu. Ndërsa komandanti i Gardës, ushtaraku që e drejtoi, u pushkatua si kolaboracionist dhe armik në vitin 1945. Ai dhe disa të tjerë i kërkuan Komandës gjermane që të armatosnin dhjetë mijë shqiptarë për të luftuar kundër partizanëve, “që të shpëtonin Shqipërinë nga komunizmi”.
Dhe ja tani plotësimi i epilogut. Në Arkivin e Shtetit ruhet një letër e Nikol Dishnicës një vatran i ardhur edhe ky vullnetar, drejtuar kryeministrit të asaj kohe Sotir Pecit. Do të kopjojmë vetëm disa rreshta:
“Sot mësova se qeveria urdhëroj që trupi i Vullnetarëve që lishohet, dhe pas urdherit qeverisë djemtë ulëshuanë.
Zoti Peci uparaqit me anën e kësaj letre tërë ndodhjen e Trupit Vullnetar.
Disa nga pjesëtarët ekëtij trupit ndodhen ne nje pozitë fort të keqe umungojnë financat si dhe pa roba dhe pa kepucë janë disa pe tyre.
Tani fjala është vallë çdo të bëjnë këta djem të cilët mbetnë rugavet pa ndonjë përkujdesje nga qeveria. Këta janë ata djem që lanë tërë mirësitë etyre në Amerikë, dhe usulë gazit Atdheut dyke shpresuar që të pakën doti nderojnë si shqipëtar, por për fat të keq as njeri su përkujdesnë për ta dhe sot ilëshuan rugavet, sa dhe rekomanët, ( duhet te jetë “grekomanët”, F. S.). e vendit këtu qeshin me ta. U lutem pra në emërin e Shqipërisë bëni atë që u është e mundur në Qeverinë e atjeshme për të mirësuar fatin e Vulnetarëvet.”
Zhgënjimi! A u vra vallë shpirti i lartë i këtyre njerëzve të hedhur në mjerim nga ata për të cilët blatuan qenien e tyre? A mos vallë u penduan për sakrificën atdhetare? Nuk dimë gjë! Por ama nuk kemi as edhe një ankim! I vetmi kujtim i mbetur, uniforma e zbardhur nga një ekspozim i gabuar dikur në Muzeun Kombëtar dhe fotografia e grisur e vullnetarit, së bashku me hudhrën e fatit në xhep, ruhen të harruara në një kuti kartoni të vendosura pa kushtet më elementare që kërkon konservimi. Muzeologjia i hodhi poshtë si edhe historia.
Përpjekjet e bëra dikur për ta shpëtuar këtë uniformë dështuan plotësisht. Askush nuk u përgjigj me neglizhencën e shkaktuar nga mosnjohja. Ky dokument i fundit, ky dokument tronditës ndoshta do të trondisë drejtuesit e Ministrisë së Kulturës dhe Ministrisë së Mbrojtjes apo të gjithë ata që sponsorizojnë spektakle pa fund, AMC, VODAFONE, biznesmenë etj., për të gjetur ato pak para që duhen për ta shpëtuar këtë uniformë me anë të një ndërhyrje serioze laboratorike dhe për të gjetur në se na ndihmon fati, në ndonjë depo të ushtrisë, një pushkë të vjetër të tipit të përdorur nga luftëtarët e Trupit Vullnetar. Dhe këto pastaj t’i vendosim në një vitrinë të veçantë në Muzeun Historik Kombëtar.
***
Më poshtë është një fragment i shkëputur nga një letër e Mehmet Konicës, por që në dokument nuk kuptohet se kujt i drejtohet:
Londër, W. 1
31 gusht 1918
Miku im i shtrenjtë
Ju kam shkruar një letër të shkurtër me 28 të këtij muaji.
Ambasada italiane mori udhëzime telegrafike nga Roma që të më lehtësonte udhëtimin për në Itali, (kisha kërkuar të shkoja në Zvicër, ose përms Italisë në se s’ishte e mundur direkt). Por telegrami i Romës nuk është i plotë, pasi nuk përcakton në se është Ambasada ajo që duhet të ndërmarrë hapat e nevojshme për vizën franceze, apo vetë Ministria e Jashtme dhe për këtë arsye duheshin kërkuar udhezime të mëtejshme për këtë çështje. Nga ana tjetër, kolonel Castoldi i kishte thënë mikut tonë kolonel Herbertit që të vinte nga Londra për t’u marrë vesh me mua në se do të dëshiroja dhe në se duhej vetëm t’i dërgonim një telegram me ndërmjetesinë e Ambasadës, që ai të vinte këtu. Së bashku me Herbertin vendosëm që do të ishte më mirë që Castoldi të vijë këtu më parë, sepse do ta rregullonte m shpejt çështjen e vizës dhe që më vonë do të na duhej për Regjimentin shqiptar, (Çështja e Regjimentit është e gjatë dhe e ndërlikuar për t’u a shpjeguar me letër).”




