Mazhoranca fillon reformën pa opozitën/ Reforma territoriale, reagon ambasadori britanik, Cannon: Të realizohet me konsensusin maksimal  

Florenc Drizari

 

Fino: Po i lëmë kohë qeverisë që deri në 19 maj, të sjellë variante të hartës së re të ndarjes territoriale

 fino territorialeKomisioni i Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale në Republikën e Shqipërisë miratoi dje planin e punës me votat e mazhorancës së majtë. Ashtu siç pritej, opozita e bojkotoi këtë mbledhje, ndërkohë që pak ditë më parë mazhoranca miratoi edhe ndryshimet për reduktimin e përbërjes, duke reduktuar anëtarët e pakicës parlamentare. Ndërkohë, paralel me këto zhvillime kanë ardhur edhe reagime nga ambasadorët e huaj të akredituar në Shqipëri.

Ambasadori i Britanisë në vendin tonë, Nicholas Cannon, kërkoi që kjo reformë realizohet me konsensusin maksimal. Deklaratat ai i bëri nga qyteti i Elbasanit, ku zhvilloi një takim me kryebashkiakun e këtij qyteti, Qazim Sejdiu. Sipas Cannon, “kjo reformë është një proces delikat dhe duhet të ketë konsensus jo vetëm mes partive. Duhet konsensus edhe me grupet e interesit”. Ambasadori britanik theksoi më tej se: “E drejta e pronës është problem që duhet zgjidhur pasi problemet me pronën pengojnë investimet”.

Gjatë mbledhjes së djeshme kryetari i Komisionit, Bashkim Fino, tha se do t’i lihet kohë qeverisë që brenda datave 16 maj-19 maj të sjellë në Komision disa variante të hartës së re të ndarjes territoriale. Më pas, Komisioni do të vendosë se cilën prej tyre do të miratojë.

Në vijim, programi i punës parashikon një diskutim dymujor të hartës së re territoriale me zyrtarë vendore të komunave e bashkive në të gjithë vendin. Pas këtij diskutimi, drafti do të vijë sërish në komision me vërejtje dhe sugjerime, për të marrë më pas dhe vendimin përfundimtar, i cili do t’i paraqitet Kuvendit.

“Po i lëmë kohë qeverisë dhe ministrit, që deri në 19 maj, të na sjellë variante të hartës së re të ndarjes territoriale. Pasi të kemi bërë diskutimet, e të kemi dëgjuar të gjithë aktorët, do të vendosim se cilën projekte do të miratojmë. Nga data 19 maj- 20 korrik do të ketë një diskutim me të gjithë organet e pushtetit vendor. Do të diskutohet me kryetarët e komunave, këshillave. Më pas kjo hartë pas dy muajsh diskutimi do të vijë në Komision dhe më pas do të marrim vendimin përfundimtar për t’ia paraqitur Kuvendit”, – u shpreh Fino.

Nga ana e tij, ministri për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi, tha se qeveria synon që paralelisht me ligjin për ndarjen e re administrative të miratojë edhe ndryshimet në ligjin organik të qeverisjes vendore.

“Synohet që këto qendra të ofrojnë shërbime efikase për komunitetin. Për të arritur në përcaktimin e kësaj zone, bëhet një analizë e detajuar e territoreve që bashkohen rreth qendrave urbane. Kriteri i përcaktuar është distanca e qendrës së re që do krijohet me periferinë. Tjetër kriter është parimi i vazhdimësisë territoriale, pra nuk duhet të krijojnë ishull territorialë. Një njësi e qeverisë vendore duhet të ketë një numër të konsiderueshëm banorësh, të bazuar edhe në karakteristikat gjeografike të zonës. Ky është sugjerim që vjen nga INSTAT-i, i cili e ndan Shqipërinë në zona me densitetet të ndryshëm popullsie. Propozojmë që ushtrimi për aplikimin e kritereve të fillojë nga territori i rretheve”, – tha Çuçi. Aktualisht, reforma administrativo-territoriale vazhdon të mbetet një çështje e pazgjidhur mes pozitës dhe opozitës. Nga ana e saj mazhoranca thekson se opozita është e mirëpritur të marrë pjesë në punimet e këtij komisionit, duke garantuar se nëse bëhet palë e këtyre punimeve, ajo do të ketë të drejta të barabarta në komision, ndërkohë që pakica parlamentare shprehet për një konsensus të gjerë politik, duke e konsideruar këtë jo thjesht një reformë për ndryshimin e hartës territoriale të vendit, por edhe si një reformë që prek kodin zgjedhor etj.

 

Reforma, Rama: Opozita e mirëpritur, por Shqipëria s’ka kohë të presë

 Lidhur me fillimin e punën nga Komisioni i Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale, ka reaguar edhe Kryeministri Edi Rama. Kreu i qeverisë theksoi dje se reforma territoriale është çelësi i suksesit të vendit në rrugën e modernizimit dhe integrimit. Në rrjetin social “Facebook”, Rama deklaroi se opozita është e mirëpritur në komision, por sipas tij, Shqipëria nuk ka kohë për të humbur.

“Lajm shumë i mirë çelja e fazës 2 të programit për reformën territoriale me nisjen e punës së Komisionit Parlamentar nën drejtimin e Finos. Reforma territoriale, çelës suksesi i vendit në rrugën e modernizimit dhe integrimit. Opozita e mirëpritur, por Shqipëria s’ka kohë për të humbur. Pastërtia e zonave të banuara, cilësia e furnizimit me ujë, e transportit, e shërbimeve për qytetarin do të rriten ndjeshëm falë kësaj reforme!”, – ka shkruar Kryeministri.

 

Ndarja territoriale/ Përjashtim bëjnë komunat minoritare

Reforma e nisur nga mazhoranca për ndarjen territoriale përjashton nga kriteret komunat minoritare. Përjashtim nga kriteret, që përveç njësisë funksionale, përmban edhe lidhjet kulturore, historike dhe të traditës mes tyre, do të bëjnë vetëm komunat minoritare. “Komunat me përbërje minoritare të mos bashkohen në një bashki të madhe, në mënyrë të tillë, që do të sillnin pastaj përzierjen e popullsisë dhe do të krijonin ndonjë premisë për humbje të identitetit të tyre etnik. Këto komuna sigurisht që do të trajtohen me një vëmendje të veçantë”, – tha Çuçi.

Lidhur me programin e punës që Komisioni i Posaçëm miratoi gjatë mbledhjes së djeshme, qeveria ka afat të përcaktojë deri në 15 maj, 3-4 variante të hartës së re elektorale. Pas mbërritjes së hartave në Komision, atij i lihen 5 dite për seancat dëgjimore dhe diskutimi me ekspertët.

Share it :