Masakër në Korçë Vret çiftin në sy të fëmijëve dhe dajën e bashkëshorten e tij

Anxhela Tato

 

vrasja-e-4-personave-ne-korce-7-janar-2014-425x270Një ngjarje makabre me bilanc katër viktima ndodhi mbrëmjen e sotme në fshatin Gjonomadh të Korçës. Autori ka vrarë dajën dhe gruan e dajës, Rexhep dhe Valentina Metollari, dhe më pas çiftin Belimon dhe Daniela Meçollari në sy të fëmijëve, 4 dhe 6 vjeç.Sipas të dhënave të para të bluve, dyshohet se autori i këtij krimi të rëndë është shtetasi Bashkim Latollari, i cili është vënë në pranga. Menjëherë janë transportuar për në morgun e spitalit viktimat, të cilët do t’i nënshtrohen ekspertizës mjekoligjore që do të ndihmojë blutë në zbardhjen e plotë të ngjarjes. Sipas rrëfimit të dëshmitarit, që ka gjetur trupat e pajetë, burrë e grua kanë në trup plagë tejshpuese, çka shton dyshimin se ata janë vrarë nga një armë zjarri e llojit “Kallashnikov”. Nga hetimet paraprake të bluve mësohet se autori është i afërm i çiftit Metollari dhe mes tyre ka pasur një konflikt të vjetër. Dyshohet se autori kishte lidhje intime me Daniela Meçollarin. Sipas policisë, Latollari pasi i ka vrarë i ka hedhur në mes të rrugës katër viktimat për të humbur gjurmët. Bashkim Latollari rezulton me precedentë penalë. Ai është dënuar në vitin 2011 me 8 muaj heqje lirie për përkrahje të autorit të krimit. Bëhet fjalë për masakrën e Radanecit, ku mbetën të vrarë dy të rinj dhe Latollari strehoi njërin nga autorët e krimit.

Ngjarja

Bashkim Latollari ka shkuar në shtëpinë e Çiftit Meçollari dhe nga dritarja e banesës ka qëlluar për vdekje Belimonin dhe Danjelën në sy të dy fëmijëve 4 dhe 6 vjeç pasi këta të fundit ishin shtrirë për të fjetur. Nga hetimet rezulton se 40- vjeçari Latollari dhe Danjela Meçollari kishin një lidhje dashurore jashtë martesore. Madje autori i vrasjes i ka kërkuar nënës së dy fëmijëve të divorcohet nga bashkëshorti i saj.  40-vjeçari ka shkuar në banesën e çiftit Rexhep dhe Valentina Metellari dhe i ka vrarë pasi këta të fundit kishin mësuar lidhjen e tij jashtë martesore. Policia bën me dije se Rexhep Metellari është dajua i Belimon Meçollarit. Fillimisht u raportua se çifti Meçollari u gjetën të vdekur në aksin rrugor Korçë-Voskopojë pranë fshatit Gjonomadh ku dhe banonin, nga kalimtarë të rastit. Por pasi policia mbërriti në vendngjarje u vërtetua se të dy çiftet janë vrarë në banesat e tyre . Pasi ka kryer vrasjet autori Bashkim Latollari është dorëzuar te kryeplaku i fshatit dhe ky i fundit ka lajmëruar menjëherë policinë. Policia bën me dije se autori ka qenë në gjendje të dehur në momentin që ka kryer krimet.

 

 

 KLSH çon në prokurori ish-drejtorin dhe 6 nëpunës të ZVRPP-së

 Padia, punonjësit abuzuan me detyrën, duke dhënë tituj pronësie në mungesë të certifikatës

 Auditi, të paditurit i kanë “dhuruar” 1960 metra katrorë truall një subjekti në Voskopojë

 Vijon aksioni i Kontrollit të Lartë të Shtetit kundër abuzimeve me ndërtimet e paligjshme. Këtë herë subjekt padie është bërë ish-drejtori dhe 6 nëpunës të Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Korçë, të cilët janë paditur në Prokurori ditën e djeshme për akuzën e shpërdorimit të detyrës. Sipas të dhënave të auditit të KLSH-së, shtatë zyrtarët kanë kryer një sërë shkeljesh në drejtim të regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Burime nga ky institucion bëjnë me dije se gjatë auditimit në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme ka rezultuar se këta persona kanë lëshuar certifikata pronësie për subjekte, të cilët nuk kanë pasur asnjë titull pronësie. Nga kontrollet e kryera janë konstatuar 11 raste abuzimi. Një nga këto raste është shënuar në fshatin turistik të Voskopojës, ku personat e mësipërm sipas KLSH-së kanë dhënë kundër ligjit 1960 metra katror truall në favor të disa subjekteve. Ndonëse këto subjekte nuk kishin dokumente pronësi atyre i është dhënë një hapësirë e madhe tokësore, në shkelje të hapur me ligjin. Ndërsa pritet që nga ana e organit të akuzës të nisin hetimet për të zbuluar personat e tjerë të përfshirë në këtë rreth mashtrimi, ku shteti i është shkaktuar dhe një dëm i madh financiar. Përvetësimi i trojeve të tokës në mungesë të titullit të pronësisë sjell cenimin dhe heqjen e së drejtës pronarit real të tokës. Dyshohet se personat e përfshirë në këtë skemë kanë përfituar edhe ryshfet për nderin që kanë bërë. Fillimisht organi i akuzës do të regjistrojë veprën penale duke nisur nga verifikimi i ekzistencës ose jo të elementëve të saj. Më pas pritet që gradualisht të merren në pyetje personat që kanë pasur dijeni, përfituesit e tokës nëse kanë qenë bashkëpunëtorë si dhe nëpunësit. Ndërsa do të dërgohet edhe një kërkesë gjykatës për pezullimin nga detyra të gjashtë nëpunësve të Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.

 

Precedent

 

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar shkelje në Agjencinë Rajonale të Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave Ndërtimeve Informale (ALUIZNI), Shkodër gjatë auditimit për veprimtarinë e agjencisë në periudhën janar 2011-dhjetor 2012. Për këtë arsye KLSH ka kallëzuar në prokurori, ish-drejtuesit e ALUIZNI-t në Shkodër. Konkretisht, KLSH ka dërguar kallëzim penal në Prokurorinë e Shkodër për 6 ish-përgjegjës sektori të këtij institucioni, G. L., E. Sh., P. K., N. J., B. J. dhe F. P., me akuzën e shpërdorimit të detyrës për mangësi, shkelje e të meta që bien në kundërshtim me legjislacionin në fuqi. Sipas KLSH-së, ish-drejtuesit e ALUIZNI-t në Shkodër kanë shkelur ligjin me: “Moszbatimin e procedurave ligjore në mbledhjen, përpunimin dhe administrimin e të dhënave për ndërtimet pa leje, për mënyrën dhe afatin e kualifikimit të dokumentacionit të dosjes së legalizimit të objektit informal, për përgatitjen dhe dërgimin e dokumentacionit për kalimin e pronësisë së parcelës ndërtimore të objekteve informale nga shteti tek poseduesi i ndërtimit pa leje si dhe shkaktimin e mungesës së të ardhurave në Buxhetin e Shtetit për fondin e kompensimit monetar për subjektet ish-pronarë, pra një dëm ekonomik në vlerën 177.832.630 lekë. Lejim të parregullsive në plotësimin e dosjeve, duke legalizuar objekte në kundërshtim me ligjin si: për 50 objekte (dosje) janë kryer procedurat e dhënies së lejes së legalizimit dhe kalimit të pronësisë (regjistrim në ZVRPP).

 

 

Aksidentet rrugore

 

Bilanc lufte, 290 viktima për vitin 2013

 

Aksidentet rrugore për vitin 2013 kanë shkaktuar 290 viktima. Një bilanc lufte, me 2 mijë aksidente në të gjitha akset rrugore të Shqipërisë. Këtë fakt e bën me dije shefi i sektorit të Sigurisë Rrugore në Policinë e Shtetit, Mitat Tola, i cili thotë se në 3 muajt e parë të vitit 2014 masat e marra do të sjellin ndryshimin e pritur. E ndërsa Policia Rrugore është hedhur e gjitha në sulm për të sistemuar kaosin urban, gjatë përdorimit të rrugës nga drejtuesit e mjeteve, viti 2013 është mbyllur me një bilanc të frikshëm për sa u përket aksidenteve me 290 viktima. Këtë e bën me dije shefi i sektorit të Sigurisë Rrugore në Policinë e Shtetit, Mitat Tola. Sipas tij, tremujori i parë i këtij viti do të sjellë edhe ndryshimet e dukshme në respektim të Kodit Rrugor si dhe të infrastrukturës në sinjalistik. E kur shkaqet janë nga më të ndryshmet nuk kanë munguar as shoferët e kallëzuar në Prokurori për shkeljet rrugore, si dhe vendosja e policëve civilë në semaforë për të ndëshkuar cilindo shkelës. “Askush nuk do të jetë më i paprekshëm nga policia dhe të gjithë shkelësit do të ndëshkohen. Ne kemi hequr makinat e deputetëve që shkelnin rregullat dhe do të ndëshkohet kushdo”, – ka thënë Tola.

 

 

Durrës

 I shpallur në kërkim për shfrytëzim prostitucioni, arrestohet

Kapet në Durrës një shtetas shqiptar në kërkim ndërkombëtar për “Shfrytëzim prostitucioni dhe emigracion klandestin”. Ai është Gëzim Gjini, 57 vjeç, banues në Fushë-Kuqe të Kurbinit, person në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma. Arrestimi u krye nga strukturave të krimit të organizuar të policisë së qarkut të Lezhës në bashkëpunim me strukturat e policisë së qarkut të Durrësit. Ndaj këtij shtetasi janë dy gjykata italiane që kanë lëshuar urdhër arresti, ajo e Udines, e cila ka lëshuar urdhrin e arrestit rreth një vit e gjysmë më parë, në datë 7.9.2012, si dhe gjykata e Triestes, e cila ka lëshuar ndaj këtij shtetasi urdhrin e arrestit afërsisht 14 vjet më parë, në 11.3.2000 për “Shfrytëzim prostitucioni dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale e tipit mafioz”.

 

 

Sulmi me granatë

 Merret në mbrojtje familja e kreut të PD-së, Luan Lipo

 Merret në mbrojtje familja e kreut të PD-së për Pogradecin, të cilit para dy ditësh iu vendos një sasi lënde eksplozive në derën e banesës. Lajmi është konfirmuar nga ana e forcave të policisë, të cilët do të mbajnë nën mbikëqyrje familjen e Luan Lipos. Një granatë është hedhur nga persona ende të panjohur, ndërsa për fat të mirë dëmet kanë qenë vetëm në materiale. Familja Lipo ka qenë në gjumë në ato momente dhe pjesët metalike nuk depërtuan deri në dhomën e gjumit. Vetë Lipo ka mohuar të ketë konflikte dhe deklaroi se dyshon se sulmi ka motive politike.

Share it :